Suzana Zhuka, mjeke okuliste pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, shpjegon se kur konjunktivitet, infeksionet e syve, zgjasin për një kohë të gjatë, pas vizitës tek okulisti mund të kërkohen edhe kontrolle te specialistë të tjerë, pasi mund të bëhet fjalë për prani të sëmundjeve të tjera.
Problemet e shumta që shfaqin sytë në këtë periudhë, me çfarë mund të lidhen?
Kjo lidhet me periudhën në të cilën ndodhemi për shkak se pranvera dhe vera aktivizojnë infeksionet e syve. Këto infeksione klasifikohen në disa lloje, virale, bakteriale, infeksione nga pishinat, alergjike dhe të përziera. Konjunktiviti është infeksioni i cipës së bardhë që mbështjell kokërdhokun e syrit (konjunktivën bulbare) dhe konjunktivën e kapakëve (palpebrale).
Si mund të kuptojmë që kemi të bëjmë me një infeksion, cilat janë shenjat?
Konjunktivitet virale janë pak më të vështira sepse ato janë ngjitëse dhe kalojnë nga një pjesëtar i familjes në një pjesëtar tjetër. Në këtë rast, më të rrezikuar janë grupmoshat e vogla, fëmijët që shkojnë në kopshte apo në çerdhe, të cilët e marrin nëpërmjet ambientit, lodrave dhe duarve. Ndaj dhe duhet një higjienë maksimale sepse një fëmijë nuk e kupton, prek çdo gjë, më pas prek edhe sytë dhe merr infeksionin. Në këtë rast, konjunktivitet virale duhet edhe të lokalizohen, të jepet mjekimi dhe të mos çohet në ambientet ku ka fëmijë të tjerë, sepse ua ngjit edhe të tjerëve. Një tjetër lloj konjunktiviti është ai bakterial, i cili shkaktohet nga mikrobe të ndryshme. Konjunktiviti bakterial shoqërohet me sekrecione konjunktivale, që janë të trasha dhe jo të ujshme, në ngjyrë të verdhë. Po kështu, pacienti shfaq si ankesa praninë e një trupi të huaj në sy, i duket sikur ka rërë apo zhavorr në sy, ënjtje të mukozës së syve, skuqje dhe rëndesë të syve. Konjunktiviti bakterial fillon në mënyrë akute dhe fillon të ketë edhe lotim. Ndërsa kur kemi konjunktivin alergjik, nuk kemi sekrecione të verdha, të trasha mukupurulente, por i kemi të ujshme sepse konjunktiviti alergjik shoqërohet edhe me një gjendje të përgjithshme alergjike, dhe rinitet alergjike në sezonin e pranverës i kemi më shumë të përhapura, ku pacientët ankohen se kanë teshtima, se kanë kollë, kanë lotim të shtuar, skuqje të syve por nuk kanë sekrecione të trasha siç janë konjunktivitet bakteriale. Konjunktivitet alergjike shoqërohen edhe me renite alergjike dhe konsultohen përveçse nga mjeku okulist edhe nga mjeku alergolog, nëse do të ketë nevojë për bërë edhe provat e alergjisë për të parë shkaktarin e alergjisë. Përgjithësisht janë pacientë kronikë dhe infeksioni përsëritet çdo vit dhe duhet të bëjnë provat e alergjisë për të gjetur se cilët janë shkaktarët. Për infeksionet e pishinave, ne e kemi ngritur si shqetësim para disa vitesh, sepse vinim re që pishinat ishin të përbashkëta, për të rriturit dhe fëmijët. Kjo ka qenë totalisht e gabuar sepse përqendrimi i klorit duhet të jetë i ndryshëm, sipas moshave.
Doktoresha, përmendët një sërë faktorësh që ndikojnë në shfaqjen e shqetësimeve te sytë, por a ndikojnë faktorët e brendshëm?
Në rastin e konjunktiviteve që zgjasin shumë dhe që përsëriten disa herë, po. Prandaj ne bëjmë një sërë kontrollesh. Pasi kur konjunktivitet zgjasin për një kohë të gjatë, merret edhe anamneza, historiku i familjes dhe pyetet nëse vuajnë nga ndonjë alergji, infeksion në grykë, në dhëmbë etj. Pasi nëse ke një infeksion në dhëmb apo dhëmballë, nëpërmjet gjakut infeksioni shkon edhe në sy. Ndaj dhe i bëhet pyetje pacientit nëse kanë ndonjë shqetësim apo infeksion të brendshëm, për t’iu nënshtruar më pas edhe kontrolleve te specialistë të tjerë, sepse syri është pasqyrë e organizmit dhe këto infeksione shkojnë edhe në sy, nga ku edhe mund të evidentohen më lehtë.
Cilat janë grupmoshat më të rrezikuara?
Infeksionet e syrit mund të prekin të porsalindurit, të cilët mund ta marrin që nga lindja infeksionin e syrit e deri te moshat më të rritura. Më të shpeshta janë në periudhën e verës, ku ndotja është më e madhe dhe fillon e rritet edhe temperatura. Në periudhën aktuale, kryesisht gjatë pranverës, më të shpeshta janë infeksionet alergjike dhe ato të pishinave, dihet që pishinat te ne nuk janë shumë të kontrolluara, në të njëjtën pishinë gjen të rritur dhe fëmijë, aty mund të merren këto infeksione të syve.
Përballë këtyre shenjave që ju thatë, përse nuk duhet neglizhuar një kontroll mjekësor?
Në rast se infeksioni kapet në fazën fillestare, siç janë infeksionet bakteriale, ato kalojnë shumë lehtë me antibakterialë. Por nëse vijnë në fazë të rënduara, nevojitet një trajtim i veçantë, pasi përveçse kanë prekur pjesën e konjunktivitës së cipës së bardhë, infeksioni fillon të depërtojë më pas nga pjesa e bardhë, në pjesën e kornesë (e xhamit të syrit), që formon keratite (infeksionet e kornesë). Infeksionet e xhamit të syrit janë më të rënda dhe nuk kalojnë lehtë, prandaj mesazhi që japim është të shkojmë në fazën fillestare të sëmundjes dhe sa më shpejt që të kapen, më e ulët është kostoja e shërimit dhe më i kënaqshëm është rezultati dhe koha e trajtimit.
Shenjat:
Shenjat e para për të cilat duhet të shqetësohemi dhe t’i drejtohemi mjekut okulist janë skuqje, djegie dhe lotim i syve, i shtuar. Sekrecione, ndjesi e trupit të huaj në sy dhe shpesh dhe fotofobi, çka do të thotë se drita është e padurueshme.
Fëmijët:
Më të rrezikuar për infeksione në periudhën e verës, janë fëmijët. Ata janë më të pakujdesshëm sa i përket higjienës. Prekin gjithçka dhe nuk bëjnë larje të shpeshtë të duarve dhe në këtë mënyrë janë më të predispozuar ndaj infeksioneve bakteriale të syve. Më të përhapura janë fëmijët e grupmoshës 3-10 vjeç. Këto konjunktivite, gjithashtu janë ngjitëse. Kur një fëmijë është në çerdhe a në kopsht dhe ka infeksion bakterial, prej tij rrezikohen dhe fëmijët e tjerë. Fëmijët prekin të njëjtat objekte e lodra dhe marrin infeksionin. Prandaj, mjekët në fazën akute, 3-4 ditët e para, i këshillojnë prindërit të mos i çojnë në këto institucione.
Këshilla:
Duhet higjienë maksimale e duarve, peshqiri personal më vete, kompresa të ftohta nga jashtë dhe mjekimi duhet bërë në mënyrë të rregullt. Pas hapjes, shishet duhen mbajtur te dera e frigoriferit për arsye të skadencës. Duhet të mos prekim me duar të palara tastierën, kompjuterin, telefonin, tavolinat, pasi duke prekur ato, çojmë duart te sytë.
Intervista për gazetën MAPO