“Çami gjithmonë mbetet Çam”. Kështu e përfundon mesazhin e tij për kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi, njëri ndër anëtarët e komunitetit çam në Izmir të Turqisë.
Hecai Nuh, i ka dërguar një letër kreut të PDIU-së Shpëtim Idrizi, ku ndër të tjera shprehet se veprimtaria e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet duhet përqafuar dhe mbështetur nga të gjithë.
Nuh vlerëson angazhimin e kryetarit të PDIU, Idrizi, në adresimin dhe lartësimin e çështjes Çame, për të bërë realitet ëndrrën e mijëra shqiptarëve çamë të dëbuar dhunshëm prej tokave të tyre, nga agresioni grek.
Më poshtë letra e plotë:
Në kujtim të prindërve të mi
Vëllai im i dashur çam Shpëtim Idrizi,
Më lejo të prezantohem. Prindërit e mi të dashur Mersin Nuh dhe Qerime Bresho Nuh janë nga Filati.
Unë kam lindur në Australi në vitin 1964, ndërsa në 1975 familja jonë u transferua në İzmir, Turqi. Prindërit e mi gjithmonë na rritën si shqiptarë të Çamërisë. Na mësuan traditën dhe kulturën tonë çame. Gjatë gjithë kohës prindërit e mi na rrëfenin për Çamërinë. Ata e thoshin gjithnjë me krenari që ishin shqiptarë të Çamërisë.
Babai im do të kishte qenë shumë krenar të njihej me ju. E do të kish biseduar kaq shumë me ju për Çamërinë. Gjatë gjithë jetës së tij ai mendonte për Çamërinë.
Mbaj mend kur z. Nuri Dino na vizitonte dhe qëndronte disa ditë në shtëpinë tonë. Mua më dërgonin për t’u kujdesur për dyqanin e familjes, ndërsa ata flisnin orë të tëra për Çamërinë. Unë isha kaq krenar që mund të ndihmoja sadopak, edhe pse isha veç 11-12 vjeçar. Kur shoh Shpëtim Idrizin dhe PDIU-në kujtoj ditët e mia të fëmijërisë dhe krenohem me prindërit e mi. Ata do të ishin pjesë e nismave dhe aktiviteteve që ju dhe PDIU po bëni për Çamërinë.
Kjo është arsyeja pse me gjithë zemër duhet të mbështesim Shpëtim Idrizin dhe anëtarët e PDIU-së. Ata po bëjnë realitet ëndrrat e prindërve tanë. Për mua nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa realizimi i ëndrrave të tyre.
Babai im gjithmonë thoshte Çami gjithmonë mbetet Çam.
TË FALA,
H. NUH