Elbasan 1848/ “Tek vizatonte sendet e afërt dhe të largët, populli, ca nga ca, nisi të mblidhet rreth tija dhe duke parë pikturën, filloi të thërresë: Shejtan, Shejtan!”
Të bësh mirë e të gjesh keq. Ky ka qenë fati që e ka ndjekur piktorin anglez Eduard Lear në disa qytete të Shqipërisë së vitit 1848. Injoranca, padija, keqdashja e moskuptimi të përziera me varfëri do të ishin ana e errët e pamjes që piktori gjeti në vendin prej të cilit u mahnit për bukurinë natyrore që kishte. Pasi e ka përshkruar e fiksuar në piktura vendin tonë duke nisur nga Manastiri për të mbërritur deri në Shkodër e për të zbritur nga Perëndimi deri në gjirin e Artës, tre vjet më vonë piktori e hedh gjithcka që ka parë edhe në një libër të vecantë me 340 faqe që titullohet: Edëard Lear – “Journals of a Landscape painter in Albania”, – London 1851.
Lumo Skendo në revistën e tij Diturija nr 6 të vitit 1928 bën nje recensë të plotë të këtij libri duke sjellë edhe anën e pakëndshme të asaj që piktorit i kishte ngjarë vecanërisht në Elbasan e Tiranë.
Ja se si e nis Lumo Skendo përshkrimin e tij duke theksuar në mënyrë të vecantë mahnitjen e piktorit me bukuritë natyrore të Shqipërisë: “Në Shqipëri njeriu gjen atë që është e pamundurë të shohë gjetkë, bukuri natyre të ndryshme, hollësi linje dhe shkëlqim drite që të kujtojnë visetë e kandshme të Greqisë, po mbi këtë edhe një abondencë bimësije, me drurë të mëdhenj dhe gjeth të shpeshtë që s’e takojmë as në Greqi, as në Itali. Kjo bukuri është më e madhe në jugë, kurse, malet e veriut janë teprë grandioze, të mëdhenj e të gjerë, dhe furca e një piktori nukë munt t’ i vizatojë”.
Duke na dhënë rrugën e përshkruar nga Lear, Skendo thotë: Piktori ynë niset nga Stambolli në shtator 1848, del në Selanik me vapor, dhe ndjek rrugën Manastir-Ohër-Strugë-Elbasan”. Pas përshkrimeve të marra nga libri autori ndalet më gjatë në Elbasan. Ja përshkrimi: “Elbasani, në mes të ullinjvet, në fushët të bukurë ku rrjeth Shkumbini, i duketë aqë piktoresk së jashtmi, sa edhe i ndyrë dhe i fëlliqurë së brendëshmi, me rrugat e tij të ngushta, të mbuluara me rogoz dhe recka të grisura: “Isha i shtrënguarë, thot’ artisti i mjerë, të kërrusem dysh mbi kalin që të mos më takojë kryet këto ndragësinat”. Pamja e errët e njerëzvet nuk i duketë më teprë e kandëshme, edhe shton: “Duketë se jemi në mes t’egrëvet të Shqipërisë”. Qyteti kishte tre hane, të errët dhe plot bubureca dhe morra; lumtërisht kishte edhe një han të katërt, që kishte një odë të errët si pus, dhe një divan (ku piktori do të qëndrojë). Me një ditë që rri në Elbasan piktori ynë kërkon të ketë, jo vetëm një ide të plotë prej qytetit, po edhe kujtime të fiksua mbi pëlhurë, skica të vijosura në album. Qyteti i duketë jashtëzakonisht piktoresk; një mur i lartë dhe masiv, një hendek i gjerë, së jashtmi, rrethas një katrëkindshe me shtëpi glysmë të rrëzuara; në të katrë çipat e murit janë nga një kullë, si edhe dy prej të katrë dyervet. Pakë vënde në botë munt të japin një përshtypje shkretësi dhe pikëllimi (desolation) sa Elbasani, sadoqë prej fortesës njeriu gëzon një pamje të kandëshme mbi rrethinatë, me drurët e gjallë, minaretë, kodrinatë ose Tomori gjigant, atje në jugë”.
Pasi ka bërë këtë përshkrim autori duket se na ka përgatitur për më të pakëndëshmen që i ndodh në Elbasan teksa pikturonte peisazhet që tashmë janë në sy të të gjithëve falë edhe dixhitalizimit që u janë bërë atyre pamjeve që piktori fiskoi në letër e pëlhurë. Ja se cfarë thotë Lumo Skendo:
“Tek vizatonte sendet e afërt dhe të largët, populli, ca nga ca, nisi të mblidhet rreth tija, dhe, duke parë p!kturën, filloj të thërresë: Shejtan, Shejtan! Një dervish me sarëk të gjelbrë u përzje në gjëmët, dhe gurë breshëruanë mbi kryen e ingIizit. Disa prej sulmuesvet qenë më elokvent: Frëngu është Rus, thoshnin, dhe Sulltani e ka çuarë të na shkruajë, që të na shesë pastaj ne Rusija”.
Do ta lërë Elbasanin në paditurinë e vet, duke marrë me vete një kujtim të keq që do ti përsëritet edhe një herë. Ikën, ndjek rrugën nga Qafa e Kërrabës, mahnitet nga bukuritë, pikturon atë që i shfaqet përpara dhe teksa “nuk nginjet me pamjen e rrallë e të magjishme që zgjatet tej gjer në horizont” zbret në Tiranë. “Tiranësë i vëren, në radhë të parë, xhamit e saj të stolisura, me gjyra të shkëlqyera dhe elegante, që u japin një tërheqësi të panjohurë në faltoret e këtvre viseve. Sa për qytetin i kujton Elbasanin, sadoqë rrugët pakë me të gjera dhe sheshet e pazarit më të mëdhenj. Të dy hanet e Tiranësë ishin të pabanushmë; i treti kishte famën të jetë më i miri, më fisniku, më selekt dhe eleganti: atje vajti dhe zuri vënt piktori. Ishte një gërmadhë me shkallët që tundeshin; muretë — prej ballë dhe kallameje — plot vrima; tavani mveshure në merimaga, dhe godija e tërë lënë në sundimin autokratik të minjvet, të mizavet, të çdo farë insektësh, të mëdhenj a të vegjël, të dukur a të pshehtë. Në këtë çregullsi dhe situatë të tmerrshme mezi u gjend një çip, me një rogos pakë si të pastrë, ku udhëtari i mjerë gjeti pakëzë gjumë, i lëkundurë prej këngëvet me melodi të gegëvet”.
Dita kalon me pikturë e nata gjithë ankthe. “Dita qe mbledhje pazari, me kafshë çdofarësh, djem, çupa, gra, dhe kjo i jep rasje vizatuesit tënë të begatojë fletët e albumit. Kur u kthye mbrëmanet në han, në atë çerdhe thiu, që të flerë, dëgjon se dera e odësë fqinjë hapetë me një çelës, dhe drita arrin në odët të tij, prej një vrime një pëllëmb’ e gjysmë të gjerë, se muri kishte një tok penxhere të tilla, ca të mëdha, ca më të vogla. Vë syrin në një nga këto zbrazësina, dhe ç’ të shohë? Një dervish fanatik që i ishte kanosurë, ditën, në pazar, disa herë, me shkopin e tij me hekura kishte zënë të bëjë një farë gjimnastikë frenetike, me lëvizje dhe klithje të çuditëshme, të frikëshme. Inglizin e zë Imerri, dhe pret ç’do të dalë. Po, dervishi ynë (padyshim një rufai) nxjer në funt disa veshë rrush, i ha, qetohetë dhe bie në gjumë.
Kur ikën nga Tirana zoti Lear gëzohetë që i largohet këtij hani, më i ligu i hanevet të dheut, pasi edhe zihetë me hanxhinë — që kërkon ta zërë monedhën dy grosh më poshtë — dhe me kavasin, Beqirin nga Ohrija, që pretendon se ka humburë çibukun me qehlibar, duke ruajturë kalin, në një vënt imazhinar, në Elbasan, dhe, kërkon shpërblimin e tij. Mbi këto dy skena i huaji udhëtar ka fatin të shtojë edhe çfaqjen e tretë të dervishit, me flok të zes dhe fytyrë te zeshkët, sytë të fanatikuarë, që prap i kanosetë me stapin e hekurtë, bërtet, këlthet, shan, mallkon”.
Ndonëse qëndrimi i piktorit në vendin tonë është shumë më i gjatë, ku mikpritja në shumicën e qyteteve nuk i ka munguar sic e thotë edhe vetë, Lear e ka marrë me vete një kujtim të hidhur, krejt të pamerituar. Nga pas ka lënë kuadro fantastikë të cilët sot janë pamja e vetme e qyteteve tona të asaj kohe. “Vepra e piktorit Eduard Lear, si përshkrimi i nië artisti plot entusiasm për vëndin t’ënë, është një librë me rëndësi dhe interes të math. Një send që i shton akoma një herë vleftën e saj janë pikturat e bukura, reproduktuara me lithografi. Këto piktura janë njëzet gjithësej, të mëdha, shtypurë jashtë tekstit, mbi kartë’ të trashë. Gjashtëmbëdhjetë syresh janë të qytetevet ose vëndevet të Shqipërisë, do me thënë: Manastir, Ohri, Tiranë, Krujë, Shkodrë, Durrës, Viorë, Tepelenë, Gjinokastrë, Janinë, Sul e Pargë”.
Që nga ajo kohë po bëhen gati 200 vjet. Leir na ka lënë pamjet e mrekullueshme që ne i “shijojmë” edhe sot. Bashkë me to ai është treguar i kujdeshëm të na tregojë me anë të librit edhe për gurët që “budallenjtë” e Elbasanit hodhën mbi të. Ata janë mësim me vlerë. Por për fat të keq ne shpesh e harrojmë.