Partia Demokratike, kërkon nga ministria e brendëshme verifikim për 130 emra zyrtarësh, të cilët sipas opozitës, rezultojnë me rekorde kriminale, të dënuar në Shqipëri dhe jashtë saj. PD ka publikuar listën me emrat e 130 zyrtarëve dhe në emër të komisionit hetimor për verifikimin e emërimeve në Administratën Shtetërore, kërkon nga ministri Tahiri të dhëna zyrtare.
“Materialet që disponon Ministria e Brendshme, apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që vërtetojnë se shtetasit e përfshirë në listën e mëposhtme janë dënuar me vendim gjykate në Republikën e Shqipërisë apo të gjykatave të shteteve të tjera, duke specifikuar numrin e vendimit të gjykatës, gjykatën që ka marrë këtë vendim, llojin e veprës penale për të cilin është dënuar nga gjykata, koha kur është dënuar dhe masën e dënimit të shoqëruara me fotokopjen e vendimit të gjykatës”, theksohet në kërkesën e PD-së.