Ministri i Transporteve: Së shpejti do të nisin fluturimet kombëtare e ndërkombëtare
Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, tha se do të ngrihet një institucion i posaçëm shtetëror për të administruar Aeroportin e Kukësit. Haxhinasto inspektoi sot këtë aeroport, për të parë nga afër gjendjen e tij, me qëllim shqyrtimin e mundësisë së fillimit të operimit të fluturimeve prej tij. Haxhinasto theksoi se janë të gjitha mundësitë që ky aeroport të nisë fluturimet kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Ky aeroport do ketë impakt të madh në ekonominë e zonës”, theksoi ministri.
Haxhinasto siguroi se në bashkëpunim edhe me Aeroportin Civil Shqiptar po shqyrtohen mundësitë për ta bërë sa më shpejt operacional këtë Aeroportin e Kukësit. Sipas ministrit, për vënien në funksion të tij do të investohet edhe në rrugën lidhëse me autostradën Durrës-Kukës-Morinë.
Aktualisht, kompania ajrore hungareze Low-cost ”Wizz Air” ka bërë kërkesë për të ardhur e operuar në Aeroportin e Kukësit. Kompania bëhet e ditur se është në moment diskutimi me Ministrinë e Transportit.
Aeroporti i Kukësit përfundoi së ndërtuari në vitin 2006, por asnjëherë nuk u vu në punë, për shkak të eksluzivitetit mbi fluturimet ndërkombëtare, që gëzon operatori i Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” për periudhën 20 vjeçare 2005-2025.