Pjesa dërrmuese e shqiptarëve ndjehen të papërfaqësuar nga Qeveria dhe nga klasa politike në përgjithësi. Dy të tretat e personave në moshë madhore dhe me të drejtë vote shprehen të pakënaqur si me punën e qeverisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, ashtu edhe me opozitën.
Ky është rezultati i gjetjeve të një sondazhi të kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim. Sondazhi është shtrirë në të 12 qarqet e vendit dhe në të kanë marrë pjesë mbi 1500 qytetarë.
Gjetja tjetër e këtij sondazhi është numri i lartë i qytetarëve që shprehen se mund të mos marrin pjesë në votime. Numri i tyre shkon deri në 52 për qind. Nga këta, 44 për qind thonë se nuk ndjehen të përfaqësuar nga asnjë forcë politike aktuale dhe 27 për qind thonë se partitë politike nuk do të mbajnë premtimet e tyre elektorale.
22 për qind e të anketuarve kanë shprehur hapur dhe me bindje mospjesëmarrjen në votime, shifër kjo 8 për qind më e lartë se në 2016-ën, kur ishte 14 për qind.
Rreth 70 për qind e të anketuarve e vlerësojnë me rëndësi aksesin tek informacioni publik. Ata kërkojnë transparencë në lidhje me burimet e fondeve në fushatat elektorale të partive dhe kandidatëve.
Mbështetje të gjerë ka gjetur edhe hapja e plotë e listave. Pjesa dërrmuese e qytetarëve, mbi 80 për qind preferojnë që të përzgjedhin vetë kandidatin dhe jo partitë. Sipas këtij sondazhi, personat që kanë shprehur gatishmërinë për të marrë pjesë në votim në 2020 ranë në 29 përqind, 21 për qind më pak në krahasim me një sondazh të njëjtë të kryer në 2016.
“Kjo reflekton zhgënjimin me institucionet qeverisëse dhe opozitën. Pjesa dërrmuese e qytetarëve ndjehen të papërfaqësuar nga partitë politike”, thuhet në sondazh.
Por, po në krahasim me 2016-ën, qytetarët këtë herë janë shfaqur më të gatshëm për t’u përfshirë në nisma të shoqërisë civile sesa tek partitë politike dhe po ashtu edhe për t’u organizuar, aktivizuar e vepruar për çështje që prekin jetën e tyre të përditshme.
“Qytetarët po shohin gjithnjë e më shumë përtej partive politike për të ndikuar në vendimmarrjen e Qeverisë, sidomos përmes organizatave të shoqërisë civile. Ka një rënie të vazhdueshme të anëtarësimit nëpër partitë politike që prej 2016-ës, ndërkohë që anëtarësimi në organizatat joqeveritare mbetet i ulët, por i qëndrueshëm që prej 2016-ës”, thuhet mes gjetjeve të sondazhit.
Anketa vëren se personat e punësuar në administratën publike janë ata që kanë shprehur gatishmërinë më të madhe për të marrë pjesë në votime.
“Mungesa e përfaqësimit nga partitë ekzistuese dhe mosbesimi tek aftësitë e partive për të mbajtur premtimet e dhëna janë arsyet kryesore që çojnë në bojkotin e zgjedhjeve. Dhurimi i parave për fushatë për partitë politike është e paimagjinueshme për pjesën më të madhe të qytetarëve, nxitur fort nga besimi se partitë dhe sistemi politik janë të korruptuara dhe jopërfaqësuese”, vlerëson sondazhi.
Anketa është zhvilluar në muajin qershor të këtij viti. 31 për qind e pjesëmarrësve në të janë nga qarku i Tiranës, ndërsa pjesa tjetër nga të 12 qarqet e vendit, me numër individësh të pyetur në proporcion me popullsinë. Autorët e anketës e vlerësojnë sondazhin me saktësi rreth 95 për qind./GazetaSI