Nga Klodian Tomorri
Qeveria dje ka kaluar një vijë të rrezikshme. Vrasja e qytetarëve nga policia e shtetit në mënyrë të paligjshme është hapi i fundit drejt greminës për çdo regjim.
Askush nuk mendon se atë policin e urdhëroi Rama apo qeveria të vriste. Por, qeveria duhet te pyesë veten se pse një polic i saj vret në tejkalim të ligjit një qytetar?
Është paaftësia?
Janë emërimet e paligjshme që e kanë mbushur policinë me elementë të inkriminuar?
Apo mos ndoshta klima e dhunës buron nga lart?
Arroganca në qeverisje, kapja e të gjitha pushteteve, deklaratat prej të fortësh nga zyrat e qeverisë inkurajojnë dhunë në kaskadë në të gjitha nivelet e shtetit.
Tani është në dinjitetin e qeverisë që të inkurajojë zbardhjen e ngjarjes dhe përballjen me ligjin të përgjegjësit. Çdo tentativë për të fshehur apo manipuluar provat ka pasoja të tmerrshme për vendin.
Përballë krizave dhe pakënaqësisë në rritje, mbrojtja e fundit e socialistëve ka qenë se Edi Rama nuk vret, nuk është i dhunshëm. Por, nëse të vret polici i Ramës, nuk ka ndonjë ndryshim të madh.