Nga Ermal Mulosmani
Në librin e tij më të famshëm “Gargantua dhe Pentagruel” shkrimtari francez François Rabelais ka një personazh-karikaturë me emrin Panurg.
Këtij personazhi qesharak i referohet Kundera në një nga esetë e tij kur përshkruan plot humor skenën e mëposhtëme:
“Një anije me disa marinarë (ndër ta edhe Panurgu) e zë një stuhi e madhe në det të hapur. Dallgët e egra e sulmonin anijen nga të gjitha anët, detarët e ngratë u shpërndanë për të mbrojtur me çdo kusht anijen duke luftuar me vetmohim e përplasur sa andej-këndej. Vetëm Panurgu, i ngrirë nga frika, ishte mpakur dhe strukur në një qoshe duke qarë me lebeti…
Sapo stuhia kalon Panurgu fillon tjetërsohet. Me paturpësinë më të madhe, ky maskara, ky karagjoz, ky dembel e frikacak fillon të mburret e të kapardiset për guximin e treguar në luftë me dallgët. Çudia është se detarët e tjerë, trimat e vërtetë, nuk zemërohen, përkundrazi në momentet e kapardisjes së Panurgut dimensioni i tij karagjoz bëhet veçanërisht i lezetshëm”.
Mu kujtua pikërisht ky personazh qesharak kur shoh Taulant Ballën të flasë për UÇK-në dhe përkushtimin e tij në mbrojtje të kauzës së tyre.
Liderët kryesorë të UÇK-së janë arrestuar me akuza të rënda për krime lufte. Dosjet e tyre janë hetuar nga Prokurorë të Eulexit me lejen e veçantë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Situata është shumë serioze, akuzat janë të rënda. Është në diskutim krejt reputacioni ndërkombëtar i Kosovës, i luftës çlirimtare dhe i figurave më të njohura kosovare. Situata nuk ka qenë ndonjëherë më dramatike. Nëse akuzat vërtetohen dëmi që i shkaktohet kauzës së lirisë është përtej fatit të komandantëve. Mbrojtja e tyre duke rrëzuar akuzat duhet të jetë fokusi i çdo energjie shqiptare.
Mirëpo Panurgu ynë e ka gjetur qoshen e vet ku struket dhe kapardiset. Ka gjetur kauzën më qesharake të mundshme, do formojë një komision të posaçëm parlamentar për të analizuar dokumentet e prokurorisë shqiptare mbi krimet e mundshme të UÇK-së. Pasi t’i analizojë këto dokumente Komisioni do të bëjë një rezolutë në emër të Parlamentit Shqiptar ku do të deklarojë që “Sipas hetimeve të Prokurorisë sonë nuk ka pasë krime nga UÇK-ja”.
Ja si thotë në momentet e miratimit të këtij komisioni:
“Unë nuk dua të arrij në konkluzionet e këtij hetimi, por gjithsesi, jemi të gjithë dakord se në Shqipëri nuk kanë ndodhur kurrë krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk kanë ndodhur kurrë krime lufte nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në territorin e Kosovës sepse biem të gjithë dakord se lufta për liri, lufta për pavarësi, lufta për çlirim nuk është kurrë krim lufte,” deklaroi Balla javën e kaluar në parlament, në prezantimin fillestar të nismës për komision hetimor.
Sepse Taulanti e di përfundimin e hetimit para se të ndodhë verifikimi.
Komisionet Parlamentare konfirmojnë akuzat ose nuk i konfirmojnë dot ato. Nuk mund të ketë Komision që deklaron me siguri se nuk ka pasë krime. Askush, as hetimi më i gjerë e profesional ndërkombëtar, as FBI-a amerikane nuk mund të vërtetojë që këtu ose atje nuk janë kryer krime. Ata mund të thonë që ne nuk kemi gjetur prova për ato krime, kaq.
Mirëpo Panurgu do të shesë mend, deklaron me zulmë se Krime në Shqipëri nuk ka patur. Madje qysh përpara fillimit të punës së Komisionit.
Në këtë rast ata që qeshin janë Prokurorët e Hagës…Për fatkeqësinë tonë.
Ja u miratua rezoluta. Kujt i intereson rezoluta e Parlamentit shqiptar? Kush e lexon atë? Kujt i shërben ajo rezolutë? Tani çështjen e kanë prokurorët, avokatët dhe gjyqtarët e Gjykatës Speciale. E kanë në dorë faktet dhe dëshmitarët, çështja është shumë më e komplikuar…
Sami Lushtaku, Ramush Haradinaj, Isa Mustafa nënqeshin idhtas…Edhe më keq nënqeshin nga Haga Hashimi, Kadria, Jakupi,Rexhepi…
Mo bre Panurg pash Zotin se nuk ta kemi ngenë…
Nuk po kemi as kohë me qeshë tamam, anija është mes dallgëve Panurg… Sapo të mbarojë ky siklet do qeshim do shkrihemi me ty por tani jemi në hall. Një qesharak në kohë tragjike është maskara.
Ky Komision është akti i fundit i Panurgut, më qesharaku i një vargu veprimesh dhe nismash absurde që shoqëruan arrestimin e udhëheqësve të Kosovës. Ka dy muaj që shteti shqiptar nuk bën asgjë për mbrojtjen e të akuzuarve të Hagës. Përkundrazi, për interesa të tyre meskine politike, ngritën një mjegullnajë që aludonte përzierjen e Kryetarit të Opozitës në pregatitjen e dosjeve të UÇK-së. E dinin shumë mirë që, edhe sikur të donte Lulzim Basha, askush nuk do ta pranonte një shqiptar në hartimin e akuzave për shqiptarë, ky është parimi i parë i prokurorëve ndërkombëtarë.
Mirëpo puna e parë që bëjnë spin doktorët është përjashtimi i të vërtetave që nuk konvenojnë me çështjen. Ta hajë kush ta hajë. E dyta u ngrit çështja e votimit të PD-së në Këshillin e Evropës në vitin 2011. Edhe këtu u harrua e vërteta e madhe: “Sa ishte rezultati i asaj resolute dhe a kishte ndonjë gjasë grupi i deputetëve shqiptarë që të ndikonte mosmiratimin e saj?” E dyta “Nëse do të votonte kundër si do të interpretohej vota e delegacionit shqiptar?” .
Rezultati i atij votimi ishte 166 vota pro, 8 abstenime dhe 9 vota kundër. Vota e eurparlamentarit të PD-së ka qenë pro hetimit të kësaj rezolute. Ka qenë vendimi i duhur, një vendim i mençur politik. Nuk e di a është konsultuar me udhëheqësit e Kosovës por një votë kundër nuk do të ndryshonte asgjë në votimin përfundimtar përveçse do tregonte frikën e shqiptarëve nga hetimi. Madje, në dokumentin e miratuar përmendet personalisht Damian Gjiknuri të ketë thënë : “Sidoqoftë Tirana mbështet hetimin e akuzave” (fjalia e fundit e dokumentit këtu).
Taulant, do të kemi kohë të qeshim në një kohë të dytë me trimëritë e tua. Por për momentin nuk ta kemi ngenë. Do të qeshim me lot si detarët e anijes së Panurgut. Por, të lutem prit edhe pak.