Nga Shpëtim Idrizi
Platforma e kandidatit për kryetar të PDIU-së, Shpëtim Idrizi
Të dashur miq,
Sot po fillojmë një proces unik në mesin e partive parlamentare shqiptare, në historinë e parlamentarizmit shqiptar. Ne do të zhvillojmë një debat platformash me kandidatin tjetër për kryetar të PDIU-së. Ju do të bindeni nga gjithë zhvillimet e sotme se çfarë pasurie përfaqëson ky debat, jo thjesht për PDIU-në, por për skenën politike shqiptare, për mendimin tonë politik. Profili i lartë i rivalit tim do ta demonstrojë qartësisht çfarë po ju pohoj.
Unë e kam quajtur aksionin tim të sotëm dhe të ardhshëm politik: Beteja ndaj statusquosë.
Statusquoja është gjendja e sendeve, e gjërave, e marrëdhënieve, e interesave, ashtu si janë sot, pa lëvizur, pa ndryshuar, pa u rritur, pa u përmirësuar, madje duke u përkeqësuar. Me fjalë të tjera, statusquoja është kënetë. Në kënetë uji, nuk lëviz, nuk qarkullon, nuk është i pastër përgjithësisht.
Beteja e PDIU-së, nën drejtimin tim, prej themelimit deri më sot, e tash e tutje, është betejë kundër statusquosë, kundër kënetës.
A nuk e kemi ndryshuar ne, peshën e partive kryesore politike shqiptare, duke u afirmuar me forcë në gjirin e tyre? Pa ne, skena ishte përgjithësisht e palëvizshme. Statusquo!
A nuk e kemi ndryshuar ne me fluksin e ideve, qëndrimeve, betejave, debateve, tematikën e patriotizmit shqiptar, në të gjitha viset ku jetojnë ata? A nuk e kemi pasuruar ne këtë tematikë në mënyrë të veçantë, atë që lidhet me bashkimin kombëtar, me Çështjen Çame, me identitetin tonë kombëtar? Them se po. Pa ne, në hapësirën brenda Republikës sonë, por dhe jashtë, kjo tematikë ishte ngërthyer në palëvizshmëri, në pandryshueshmëri, në inerci.
Në statusquo!
Mjetet e zgjidhjes gjithashtu ishin të parashikueshëm. Ne i kemi dhënë kreativitet, ne i kemi dhënë energji.
A nuk e kemi ndryshuar ne dhe vetë komunitetin çam? E kemi bërë më të hapur ndaj komuniteteve të tjera, më besues, më komunikues, më solidar me të tjerët?
A nuk e ndërtuam ne paradigmën e tragjedisë kosovare si të ngjashme me tragjedinë çame, e cila gjithashtu pritet të zgjidhet njësoj, me mjete të ligjshmërisë ndërkombëtare, ama, me fuqi diplomatike, me lobim të mençur, me kohezion kombëtar?
Para nesh ky komunitet, subjektet që e përfaqësonin kishin bërë shumë beteja, disa prej tyre periodike, por dukej se perspektiva e kësaj zgjidhje po tretej në peshën e kohës. Më duhet të ripohoj: Po, Ne e kemi fituar betejën me Kohën e Harresën. Sot ajo është një çështje që nuk ka më kthim pas dhe për këtë Ju siguroj ju në këtë sallë, politikën shqiptare, shtetin grek dhe partnerët ndërkombëtare. Sepse ajo është çështje e të drejtave themelore të njeriut. Duhet zgjidhur si e tillë. Ne besojmë thellësisht tek demokracia europiane, institucionet e saj e do luftojmë si të tillë deri në fund, me Shpëtim Idrizin apo Halil Hysenin si kryetar. Sot, ne i kemi dhënë dinamikë të re perspektivës së zgjidhjes. Kemi dhënë horizont ndërkombëtar, kemi fuqizuar përmasën e ligjshmërisë, kemi depërtuar shumë më thellë se më parë në ndërgjegjen e brezave të rinj në të gjithë kombin tonë.
Unë po e shpreh, edhe sot, këtu para jush, që zgjidhja e Çështjes Çame është afër, shumë afër, aq sa punojmë ne çdo ditë. Ky nuk është sllogan elektoral, por për herë të parë zgjidhja e Çështjes Çame është në dorën tonë. Ajo na ka ne që i dalim për Zot. Ne kemi detyrimin, përgjegjësisë, privilegjin dhe barrën qe të ketë më në fund drejtësi.
Dhe kjo nuk është më statusquo!
A nuk kemi fuqizuar zërin e diasporës sonë, nëpërmjet përpjekjeve për të krijuar një ministri të saj, nëpërmjet institucionalizimit të fuqisë së saj politike, kulturore, ekonomike ?
A nuk kemi lançuar ne në tregun e ideve politike, platforma, studime për modelin ekonomik të zhvillimit, për prioritetet tona kombëtare, për dhënien fund të mbështetjes së ekonomisë tek tatimet dhe doganat, pa kurrfarë strategjie zhvillimore?
Ne kemi tentuar ta godasim modelin e palëvizshëm, statusquo-në në modelin tonë zhvillimor që e ka karakterizuar të majtën dhe të djathtën në qeverisje.
Ne do të luftojmë deri në fund, sa të afirmohet ky model i ri.
Modeli që ne kemi propozuar është njerëzor, social, mendon për brezat e vjetër që kanë kontribuar dhe që duan nderim në vitet e fundit të jetës. Ai thyen skemat e vjetra, ai godet statusquo-në në sistemin tonë asistencial.
Ne jemi partia që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm si parti e pjekur në ndryshimin e hartës administrative të vendit, duke goditur ndarjen e dikurshme të pandryshuar, të kooperativave. Ne dhamë një dorë për ta goditur kënetën që ekzistonte në këtë hartë, me ndarjen e vjetër.
Kjo ka qenë një tjetër fitore e jona ndaj statusquo-së!
Ne jemi parti e reformës në drejtësi. Ajo do duhej të ishte bërë. Mjaft me teatrin e shëmtuar të partive të mëdha që ja hedhin fajin njera tjetrës!
Mjaft me statusquo-në e gjyqtarëve, prokurorëve që mbajnë peng vendin!
Mjaft me dilemat se kush është e para për të ndryshuar, për tu reformuar, veza, apo pula!
Pas dekriminalizimit minimal të politikës dhe administratës, duhet filluar nga drejtësia.
Duhet plugim, duhet plugim i thellë, duhet luftë e pandalshme ndaj statusquo-së që po bllokon modernizimin e vendit!
Ne jemi parti e brezit të ri, e Klubi të Patriotëve të rinj, e grave të fuqishme të Forumit të grave me Vjollcën, me Mesilën, si kurrë më parë!
Ne jemi parti ku vijnë eksponentë të spikatur të partive të mëdha. Kjo do të thotë se ne ekzistojmë, se ne kemi perspektivë rritje elektorale, se ne kemi të ardhme.
Ne pra, jemi partia që e luftojmë dhe do ta luftojmë statusquo-në kudo!
I.LUFTA NDAJ STATUSQUOSË, NË ORGANIZIM, NË MARRËDHËNIET ME ALEATËT, E MË GJERË
Arritje:
Kemi arritur te shndërrohemi në një nga forcat politike më të qënësishme të vendit, duke rritur elektoratin tonë nga zgjedhjet në zgjedhje prej vitit 2011, kur jemi krijuar.
Jemi konfirmuar si një parti me objektiva dhe qëllime të patundura. Jo pragmatizëm tipik të partive të mëdha, apo atyre më të voglave. Nuk kemi pasur drojë të përplasemi me aleatët tanë, sa herë ka qenë në pikëpyetje çështjet programore.
Përballja me ministrat e jashtëm Haxhinasto dhe Bushati për Çështjen Çame, me qeveritë shqiptare për censusin e reformën territoriale rrëfen këtë të vërtetë.
Jemi konfirmuar si parti ekzistente dhe e madhe, duke marrë mbi 60 mijë vota në zgjedhje, vota që janë të PDIU-së dhe jo të kanalizuara nga partitë e mëdha.
Jemi konfirmuar si parti mbarëkombëtare, me shtrirje kapilare në të gjithë vendin, me prezencë të fortë nga Tropoja e Devolli në Durrës e Konispol.
PDIU ka qenë forcë e dytë në Tropojë dhe e treta në Devoll.
Kjo rrëfen se PDIU nuk është parti vetëm e çamëve, nuk jemi parti komunitare, apo rajonale, por partia e çështjes kombëtare dhe partia e Çështjes Çame dhe ka mbështetës çdo shqiptar që beson në këto kauza.
Kemi 31 mijë anëtarë, duke u renditur partia e katërt për nga anëtarësimet, çka tregon forcën dhe peshën tonë specifike dhe dyfishimin e votave në zgjedhjet e ardhshme.
Të gjithë në një regjistër elektronik.
Do të kryejmë të shtunën, më 21 maj zgjedhje me anë të parimit një anëtar një votë, në të gjithë vendin, për të gjithë hierarkinë drejtuese të PDIU-së.
I kemi bërë të gjitha këto, sepse jemi një parti, e cila nuk ka frikë të hapet.
Nuk kemi asnjë lloj paragjykimi, sepse mendojmë që në politikat tona kombëtare, ekonomike, bujqësore, fiskale gjejnë veten të gjithë shqiptarët.
PDIU nuk ka frikë të hapet, sepse nuk ka frikë garën, konkurencën. Kjo nuk është parti-kryetar-pronar. Kjo është parti e patriotëve, ndaj kudo ka patur zgjedhje, kudo ka patur garë, kudo ka patur mirëkuptim, sepse është parti që ka rregullat e lojës së ndershme.
Objektiva:
Ngritja e departamenteve dhe sekretariateve që do të administrojnë vazhdimisht pjesët organizative dhe programore të jetës sonë publike.
Krijimi i seksioneve në çdo fshat e lagje të vendit dhe i grupseksioneve në çdo degë të PDIU-së.
Fuqizimi i rolit të gruas, me përfshirjen në pozicione të fituese në listat zgjedhore të zgjedhjeve të ardhshme.
Fuqizimi i rolit të rinisë, duke e bërë KPR-në, pjesë të pandashme të procesit të kandidimit (30% e kandidatëve do të jenë të rinj e të reja).
Ngritja e degëve në diasporë, në Greqi, Itali, SHBA e kudo që ka prani të fortë shqiptarësh.
Arritja e marrëveshjeve për integrimin, në formën e një partie shumëpolare, me parti simotra në Kosovë dhe Maqedoni.
II.LUFTA KUNDËR STATUSQUOSË NË HARTËN POLITIKE DHE EKONOMIKE TË KOMBIT
Pjesa programore (vizion)
Qëllimi ynë është i qartë: Bashkimi kombëtar i shqiptarëve në një shtet të vetëm.
Ky është detyrim kushtetues, të cilin në kushtet e sotme ne nuk mund ta arrijmë. Janë rrethanat gjeopolitike, ato të cilat duhet ta mundësojnë këtë qëllim. Ky qëllim mund të realizohet vetëm me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha pa luftë, në mënyrë paqësore dhe me tolerimin e të gjitha shteteve fqinje.
Mirëpo, kjo që sot nuk mund të realizohet, nuk do të thotë se në një të ardhme, kur rrethanat të ndryshojnë, nuk do të jetë e mundur.
Në vetëm një shekull, bota ka ndryshuar tre sisteme të mëdha gjeopolitike dhe pa dyshim që sistemet evoluojnë dhe ndryshojnë vazhdimisht.
Ajo që ne kemi në dorë sot, është të krijojmë parakushtet e bashkimit kombëtar, sepse bashkimi kombëtar është një proces.
Ne duhet të jemi të gatshëm, që në momentin e duhur, të kryejmë aktin sublim, të realizimit të detyrës kushtetuese. Kjo nuk bëhet me fjalë, por me punë dhe me vepra.
Ndaj bashkimi kombëtar bëhet duke filluar nga ekonomia.
Kemi njohur, kemi ndërgjegjësuar faktorin politik në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për nevojshmërinë e një Komunuellthi Ekonomik Kombëtar dhe kemi arritur në njëmendësi me Kryeministrin e Shqipërisë, Presidentin e Kosovës dhe liderët politikë në rajon. Kjo ide është zbatim i doktrinës së patriotizmit modern të Arben Xhaferit të ndjerë.
Dua të ndalem pak këtu, sepse këtë platformë, këtë bashkim, këtë fuqizim kombëtar, e quaj si parakusht të rritjes së ndikimit të shqiptarëve në rajon, që shqiptarët të bëjnë ligjin në rajon, që shqiptarët të imponojnë axhendën e zgjidhjes së Çështjes Çame, si çështja e fundit e pazgjidhur në rajon.
Kush është armiku i këtij bashkimi ekonomik ?
Është statusquo-ja e interesave ekonomike të fqinjit, në lidhje me operatorë të caktuar të hapësirës sonë kombëtare.
Kjo statusquo, këto interesa, këto plane ogurzeza bëjnë që shqiptarët të jenë kombi i vetëm, me dy shtete që nuk kanë furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike.
Nuk ka modernizim të kombit pa energji. Ne sot nuk kemi pavarësi energjitike. Është e kotë pavarësia politike pa pavarësi energjitike që nga ana tjetër është parakusht dhe për zhvillim tërësor ekonomik. Ja pse interkonjeksioni me Kosovën është vonuar, dhe ja pse ai është shpëtim kombëtar.
Por, do të ishte më i plotë nëse ne do të shkonim kah ndërtimi i gjeneratorëve të përbashkët të energjisë: në Kosovë me thëngjill dhe në Shqipëri me ujë. Ka projekte në këtë drejtim.
Kundër hapësirës sonë kombëtare të përbashkët, janë ajo pjesë e elitës ekonomike që në Kosovë ka lidhjet me Serbinë dhe në Shqipëri ka lidhje me Serbinë, me Greqinë, apo fqinj të tjerë.
Kjo pjesë e elitës nuk do shfaqjen në skenë, të operatorëve të përbashkët ekonomikë.
Shqipëria me Kosovën janë komplementare në ekonomi dhe Zoti ka dashur që ato të jenë të vendosura kështu si janë.
Kundër kësaj hapësire janë pjesë të caktuara të elitës administrative, burokracitë që i bien shkurt duke planifikuar buxhete mbi të ardhurat doganore që përftohen kryesisht në kurriz të vëllezërve tanë kosovarë apo e anasjellta.
Ne duhet të riorganizojmë tregjet, operatorët, duke krijuar energji të reja.
Në 3 qershor do të bëhet mbledhja e radhës e dy qeverive. Por, ne duhet të heqim dorë nga tavolinat e bukura me flamuj të këtyre mbledhjeve. Ne duhet të thërrasim në skenë biznesin e kësaj hapësire. Ne duhet të dëgjojmë nevojat e tij, dhe pastaj t’i shndërrojmë ato në politika përbashkuese. Përndryshe mbledhja e radhës do të jetë një formalitet.
Ky vizion përbashkues kombëtar na ka udhëhequr vazhdimisht.
Po ju ftoj të reflektoni pak për lidhjen e bashkimit me hartën administrative.
Nëse çasti i bashkimit do të vinte nesër, ne nuk do të ishim të gatshëm. Ne nuk kemi as parakushtin minimal në këtë drejtim. Prandaj, ne në çdo nismë kemi parasysh këtë detyrim.
Ndërhyrja e PDIU në reformën territoriale kishte edhe këtë qëllim për bazë: krijimin e bashkive të të njëjtave madhësi dhe kompetenca me komunat e Kosovës dhe komunat shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.
Kjo mundësonte, veç të tjerash, bashkëpunimin e njësive të pushtetit vendor. Dhe kjo arritje e jona është pjesë e procesit të gjatë të bashkimit kombëtar.
Këtë sens ka programi ynë, mbi çështjen kombëtare, të cilin do ta analizoj më vonë, si për nga arritjet, ashtu edhe për objektivat.
Pjesë e pandashme e çështjes kombëtare, është Çështja Çame, ndaj dua ta nis me të.
III.PRISHJA E STATUSQUOSË NË ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES ÇAME
- Falë presionit të PDIU-së, ka hyrë në fuqi Rezoluta për Çështjen Çame, që detyron shtetin shqiptar ta trajtojë këtë çështje në raportet ndërkombëtare.
- Falë ndërhyrjes së PDIU-së, është bërë realitet ndërtimi i Varrezave Monumentale të Shqiptarëve të Çamërisë, pas një turpi kombëtar 70 vjeçar, ku eshtrat e 2700 shqiptarëve në Kllogjer të Sarandës, preheshin nën tokë të djerrë.
- Sanksionimi i “Javës së Kulturës Çame” dhe kulmimi i saj në homazhet në Qaf Botë.
- Mbështetja e ngritjes së shtëpisë muze të Hasan Tahsinit dhe të Kodrës së Rilindasve në Gjirokastër.
- Kemi sensibilizuar mbarë Kombin dhe politikën shqiptare, duke rritur ndjeshëm përfshirjen e çështjes çame në debatin publik, si edhe përfshirjen e kësaj çështjeje në programet politike të shumicës së partive në Shqipëri.
- Kemi kontraktuar një kompani prestigjoze britanike për studimin në pikëpamje juridike të Çështjes Çame dhe për realizimin e hapave të nevojshëm për zgjidhjen ligjore të kësaj çështjeje.
- Kemi krijuar një rrjet lobimi në Uashington dhe Bruksel për lobim të vazhdueshëm pranë Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Komisionit të Bashkimit Evropian për ndërkombëtarizimin e Çështjes Çame.
- Kemi bërë presion të vazhdueshëm ndaj qeverisë shqiptare që të vendosi në tryezën e bisedimit me Greqinë Çështjen Çame dhe kemi sensibilizuar mbarë kombin shqiptar për këtë çështje.
- Kemi vendosur kontakte me shqiptarët ortodoksë që jetojnë në Çamëri dhe me shqiptarët e Çamërisë të dëbuar për në Turqi dhe SHBA, për një veprim të përbashkët, por edhe me hebrenjtë e Epirit.
- Kemi dorëzuar dosjen e Çështjes Çame, në Departamentit Amerikan të Shtetit, Këshillin e Evropës, Bashkimin Evropian, qeverinë shqiptare dhe qeverinë greke.
Për Çështjen Çame:
- Depozitimi i padisë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg dhe/ose në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për zgjidhjen ligjore të Çështjes Çame.
- Propozimin e një Rezolute për Çështjen Çame në Parlamentin Europian dhe në Kongresin Amerikan.
- Fuqizimin e presionit pozitiv politik, shoqëror dhe publik, ndaj të gjitha institucioneve përkatëse shtetërore dhe ndërkombëtare, si dhe fuqizimin e lobimit tek aleatët e mëdhenj të kombit shqiptar.
- Ngritjen e Pavionit të Çamërisë në Muzeun Historik Kombëtar.
- Zhvendosjen e Çështjes Çame në një nga parimet e politikës së jashtme të Republikës së Shqipërisë.
- Krijimin e një rrjeti mes shqiptarëve të Çamërisë që jetojnë në Shqipëri, Greqi, Turqi dhe SHBA, për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
- Koordinimin me grupimet e tjera të popullsisë në Greqi që kanë pësuar fat të ngjashëm me shqiptarët e Çamërisë, si hebrenjtë, maqedonasit, e të tjerë.
- Ngritjen e varrezave për shqiptarët e vrarë gjatë genocidit të bandave shoviniste greke.
- Dhënien e statusit të minoritetit ttnik shqiptar për shqiptarët e Çamërisë.
- Hapja e një konsullate shqiptare në krahinën e Çamërisë.
- PRISHJA E STATUSQUO-SË NË RAPORT ME TË KALUARËN: NË TERRITOR, NË IDEOLOGJI, NË DREJTËSINË SOCIALE DHE POLITIKE, E MË GJERË
Bilanci ynë:
- Reforma territoriale, në shërbim të interesit kombëtar, duke shmangur një hartë që krijonte “Vorio Epirin”
- Nismat për dekomunistizimin
- Pensioni social
- Detyrimi i shtetit shqiptar për një census të bazuar në baza objektive, nëpërmjet amendamenteve të PDIU-së në ligjin për censusin, duke shmangur ndërhyrjet e jashtme në politikën e brendshme të Shqipërisë.
- Kemi arritur një reagim të koordinuar kundër raportit të Dick Martin në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, i cili tentonte të hidhte baltë mbi luftën e drejtë të kombit shqiptar.
- Kemi reaguar ashpër ndaj konkurrencës së pandershme ndërmjet produkteve shqiptare të Shqipërisë me ato të Kosovës dhe anasjelltas apo incidenteve të tjera me karakter ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.
- Kemi përkrahur nismën “Blej Shqip”, për rritjen e përfitimeve të kompanive shqiptare, si mjet për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
- Kemi sponsorizuar mjete didaktike dhe ndihmë logjistike për shkollat shqipe për anëtarët e diasporës së re dhe të vjetër.
- Kemi kërkuar amendimin e kodit zgjedhor me qëllim votimin e emigrantëve shqiptarë në shtetet ku jetojnë.
- Kundërshtimin e të gjitha akteve apo veprimeve që nuk respektojnë parimin e reciprocitetit, si Marrëveshja e Ujrave me Greqinë, Marrëveshja e Varrezave të Ushtrisë pushtuese greke gjatë Luftës së Dytë Botërore, etj.
- Ndalimin e hyrjes në Shqipëri të deputetit neonazist grek, Kristo Papas dhe nxitja e shtetit shqiptar për shpalljen e tij persona non grata.
- Rivendosja e Pllakës së Kujtimit në godinën ku u zhvillua Kongresi i Manastirit.
- Nisma si “Një flamur, një komb” mbi ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët kulturore kombëtare.
- Mbështetjen praktike të unifikimit të abetares mes të gjitha trojeve shqiptare, nëpërmjet angazhimit të strukturave dhe antarëve të PDIU-së për realizimin e saj sa më të shpejtë.
- PRISHJA E STATUSQUO-SË NË ORGANIZIMIN DIKASTERIAL, NË PËRFAQËSIM, NË INFRASTRUKTURË-LIDHJE TË REJA NË FUNKSION TË BASHKIMIT KOMBËTAR
Për Çështjen kombëtare/diasporën/arsimin dhe administratën:
- Propozimi i krijimit të një institucioni mbishtetëror, të quajtur Parlamenti i Shqiptarëve, me pjesëmarrjen e deputetëve nga të gjitha trevat shqiptare dhe mbledhja e saj periodike, së paku një herë në vit.
- Propozimi i krijimit të “Bashkësisë së Bashkive dhe Komunave Shqipfolëse”, me aderimin e të gjitha bashkive dhe komunave të Shqipërisë, Kosovës, si edhe komunat shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës, arbëreshët e Italisë dhe me përfaqësim të Shoqatës Çamëria dhe diasporës shqiptare.
- Krijimin e kushteve për përafrimin dhe ku është e mundur njësimin e legjislacionit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, duke mundësuar kohezionin mes realiteteve në të dyja shtetet, duke marrë për bazë Acquis Communitaire, legjislacionin e Bashkimit Europian.
- Integrimi kombëtar infrastrukturor nëpërmjet ndërtimit sa më të shpejtë të Rrugës së Arbërit, rrugës Deçan-Plavë-Guci-Vermosh-Tamarë-Shkodër, rrugës Lezhë-Shëngjin-Velipojë-Urë në Bunë-Shtoj-Ulqin, hekurudhës Lin-Strugë-Kërçovë dhe hapjes së një pike të re kufitare në Zogaj me Malin e Zi.
- Propozimi në draft ligj i idesë së krijimit të Komunuellthit Ekonomik Shqiptar, duke çelur më shumë se 100 mijë vende të reja pune, prej rritjes së tregut.
- Propozimi i projektligjeve për heqjen e taksave doganore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
- Propozimi në ndryshimet e Kodit Zgjedhor të së drejtës së votës së emigrantëve në shtetet ku banojnë, duke e trajtuar emigracionin si një njësi të veçantë elektorale. (e kemi bërë në amendimet e Komisionit te Venecias, por mund ta propozojmë veçmas)
- Ndryshimin e ligjit për shtetësinë, duke mundësuar që diaspora e vjetër, kryesisht qytetarët me origjinë shqiptare në Itali (arbëreshët), Greqi (arvanitasit), Turqi, Ukrainë, Kroaci, SHBA, të kenë të drejtë të marrin shtetësinë shqiptare, pa kushte të tjera.
- Rezervimi i një mandati në Kuvendin e Shqipërisë për shqiptarët e Amerikës, duke iu kthyer traditës të viteve 1920, kur një deputet zgjidhej nga Federata Vatra; si edhe një deputet i zgjedhur nga arbëreshët e Italisë.
- Hapja e konsullatave të reja pranë Arbanasit në Zadar si dhe në Horën e Arbëreshëve në Kalabri.
- Marrjen e masave dhe propozimin e akteve të nevojshme ligjore për hapjen e shkollave shqipe të financuara nga shteti shqiptar, për emigrantët dhe nxitja e Ministrisë së Arsimit që të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe me shtetet ku ka prani shqiptare për çeljen e shkollave shqipe.
- Lehtësimin e procedurave në ambasadat dhe konsullatat shqiptare, nëpërmjet krijimit të Ministrisë së Diasporës.
- Rritjen e rolit të diplomacisë shqiptare, nëpërmjet mbështetjes shtetërore të kandidaturave shqiptare në poste të rëndësishme të organizatave ndërkombëtare, në të cilat shtetet pjesëmarrëse kanë të drejtën e propozimit.
- Krijimi i një rrjeti lobingu, duke mundësuar zgjedhjen e Shqipërisë në organizma të rëndësishme brenda organizatave ku është anëtare, si në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, brenda kësaj dekade, si përfaqësuese e Grupit të Evropës Lindore.
- Nxitja e krijimit të Autoritetit Kombëtar të Pronave, ku do të përfshihen të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me çështjen e pronave, në mënyrë që të ketë koordinim, mes rikthimit, kompensimit, legalizimit, pronave shtetërore, etj.
- Përfundimin e procesit të dëmshpërblimit të ish-të burgosurve politikë, brenda dy viteve, nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre direkte në procesin e privatizimit.
- Propozimin e një projektligji që detyron ish-funksionarët e regjimit komunist që të deklarojnë se ku janë fshehur eshtrat e viktimave politike të regjimit komunist dhe kriminalizimi i mosdeklarimit të tyre.
- Propozimi për përjashtimin nga sistemi i drejtësisë i gjyqtarëve dhe prokurorëve të komunizmit. Nuk mund të bëhet një reformë në drejtësi me këta çibanë në trup. Nuk jep dot drejtësi ata që dhanë padrejtësi për 50 vjet.
- Propozimi për zgjedhjen e Presidentit nga populli. Nuk mund të kemi një President të dobët, teksa pretendojmë reformë në sistemin e drejtësisë. Po kështu një President i zgjedhur nga populli është i vetmi Garant me fuqi të plota i Kushtetutës. Një president i zgjedhur nga populli do të jetë i vetmi që është mbi partitë politike dhe humoret e tyre.
- Kemi qenë të parët që kemi refuzuar ndryshimet Kushtetuese që i hapin udhën martesave gay. Duke mbrojtur familjen e vërtetë, atë mes një burri dhe një gruaje, atë që na ka dhënë Zoti, mbrojmë atdheun, shoqërinë e sotme, sepse familja është bërthama e të gjithave, edhe e patriotizmit.
- Propozimi i një projekligji për heqjen e dekoratave dhe ndereve udhëheqësve komunistë.
- Unifikimi i sistemit të pranimit në universitete, duke përfshirë si mundësi përzgjedhjeje, e pa kufizime, të gjitha universitetet publike shqipfolëse për të gjithë maturantët shqiptarë, në formularët e Maturës Shtetërore.
- Rishikimi tërësor i Kodit Zgjedhor në Shqipëri, në mënyrë që deputetët të jenë individualisht produkt i vullnetit të qytetarëve dhe jo i vullnetit të kryetarëve të partive, si edhe për të depolitizuar procesin e administrimit të votave.
- Propozimi i masave ligjore, të cilat do të mundësonin depolitizimin e administratës, duke vendosur një sistem kombëtar provimi për punësimin në administratë në bazë të profesionit, me anë të të cilit të plotësohen vendet që mbeten vakante në administratën publike.
- Bashkëpunimin e këshillave bashkiake me institucionet qëndrore të linjës në përzgjedhjen e drejtuesve vendorë të arsimit, rendit, shëndetësisë, etj.
- Reformimi i sistemit të drejtësisë, duke përfshirë sistemin e jurive në proceset gjyqësore, si edhe duke rritur pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
- Ndryshimin e ligjit për referendumit, duke lejuar edhe plebishitin, si edhe duke lehtësuar mënyrën e organizimit të tij, me uljen me së paku 30 % numrin e nënshkrimeve të kërkuara për peticionin.