Dy javë nga zgjedhjet presidenciale amerikane të këtij viti, ekspertët politikë po analizojnë një sërë skenarësh me të cilat vendi mund të përballet në ditën e zgjedhjeve dhe në javët në vijim. Mundësitë ndryshojnë midis një fitoreje të qartë nga Presidenti Donald Trump ose ish-nënpresidenti Joe Biden, dhe një beteje të pazgjidhur ligjore që e lë rezultatin të pasigurt në janar, kur Kongresi i ri duhet të çertifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Ekspertët thonë se përcaktimi i fituesit të këtyre zgjedhjeve është veçanërisht i tensionuar për shkak të një niveli të paprecedent të votimit në mungesë të nxitur nga pandemia e koronavirusit. Dallimet e ligjeve mes shteteve mbi mënyrën dhe kohën e numërimit të fletëvotimeve në mungesë lenë të kuptohet se mund të duhen ditë ose javë për të përfunduar numërimin e votave.
Në atë që ai e quan “skenar makthi”, studiuesi politik William Galston i Institutit Brookings thotë se kontestimi i zgjedhjeve me rezultat të ngushtë për të cilin ka dyshime do ta “[zhyste] vendin në kaos në rrethana shumë të pafavorshme”.
Presidenti Trump ka ngritur vazhdimisht shqetësimin që përdorimi masiv i fletëvotimeve me postë do të çonte në një rezultat të manipuluar të zgjedhjeve dhe ka refuzuar vazhdimisht të angazhohet paraprakisht për një transferim paqësor të pushtetit nëse ai humbet. Zoti Biden ka thënë se ai do të pranonte rezultatin e zgjedhjeve, me kusht që të ketë një numërim të drejtë të votave.
Duke patur parasysh trazirat e mundshme që mund të shkaktojnë zgjedhjet e kontestuara, skenari më i mirë do të ishte një rezultat i qartë ose gati i sigurt natën e zgjedhjeve, që edhe mund të ndodhë. Por natyra e sistemit amerikan të zgjedhjes së presidentit lë të hapura rezultate të ndryshme.
Një proces kompleks
Joe Biden, sfiduesi demokrat, aktualisht gëzon një epërsi afërsisht prej 9 deri në 10 pikësh në sondazhet në të gjithë vendin, por presidenca nuk fitohet në bazë të votës popullore. Zgjedhjet presidenciale amerikane vendosen përmes një sistemi kompleks me dy hapa në të cilin votat në nivelin shtetëror pasohen nga një votim i dytë në një organ të njohur si Kolegji Zgjedhor. Shteteve individuale u caktohet një numër i dhënë “elektorësh”, bazuar në popullsinë, dhe pasi të jenë numëruar votat çertifikohet një listë personash që mbështesin fituesin e votës popullore në secilin shtet. (Vetëm në dy shtete, Mejn dhe Nebraska, është e mundur që kandidatët t’i ndajnë mes tyre votat elektorale.)
Sondazhet në disa shtete të caktuara nxjerrin se pavarësisht se është prapa në sondazhet në nivel vendi, Presidenti Trump mund t’i fitojë zgjedhjet edhe nëse ai nuk merr më shumë vota se rivali i tij, siç bëri në vitin 2016, duke fituar në Kolegjin Zgjedhor.
Kolegji Zgjedhor mblidhet më 14 dhjetor për votimin që përcakton zyrtarisht se kush do të jetë presidenti i ardhshëm. Për të arritur fitoren, një kandidat duhet të marrë të paktën 270 nga gjithsej 538 votat e Kolegjit Zgjedhor. Votat numërohen zyrtarisht në një seancë të përbashkët të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit më 6 janar.
Ndërsa shumë shteteve do t’u duhen ditë ose edhe javë për të përfunduar numërimin e të gjitha votave, një numër shtetesh kyçe për rezultatin e zgjedhjeve pritet të shpallin rezultatet e plota ose gati të plota në mbrëmjen e zgjedhjeve ose në fillim të ditës pasuese.
Mes tyre është Florida, një shtet që Presidenti Trump e fitoi në vitin 2016 dhe ku ai dhe zoti Biden tani janë në një garë të ngushtë. Një fitore e zotit Biden në këtë shtet do t’i siguronte atij 29 vota elektorale dhe do t’ia mbyllte gati të gjitha rrugët e fitores zotit Trump. Karolina e Veriut, me 15 vota elektorale dhe Arizona me 11, gjithashtu të rëndësishme për shumicën e skenarëve që mund t’i japin fitoren Presidentit Trump, ka të ngjarë t’i njoftojnë rezultatet herët.
“Ka një arsye për të besuar se ato shtete mund të jenë në gjendje të përfundojnë numërimin e plotë të votave natën e zgjedhjeve, ose mëngjesin e ditës tjetër”, tha Richard H. Pildes, ekspert i ligjit të zgjedhjeve dhe profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Nju Jorkut . “Nëse ne e dimë, për shembull, se Presidenti Trump ka humbur Floridën, atëherë edhe nëse Miçigani, Pensilvania dhe Uiskonsini nuk do të kishin përfunduar numërimin e votave, do të kishim një arsye shumë të fortë për të besuar se zoti Biden do t’i fitonte zgjedhjet.”
Miçigani ka 16 vota elektorale, Pensilvania 20 dhe Uiskonsini 10.
Zoti Pildes shton se në një skenar ku rezultati në Florida është shumë i ngushtë dhe nuk mund të përcaktohet fituesi natën e zgjedhjeve, ndërsa shtetet e tjera janë të ndara midis kandidatëve, gjërat shumë shpejt mund të bëhen të debatueshme.
Betejat e mundshme ligjore
“Nëse rezultati është i pasigurt nga, le të themi herët në mëngjes të nesërmen, sepse ka shtete që nuk mund të përfundojnë numërimin e plotë për shkak të vëllimit masiv të fletëvotimeve në mungesë që ende duhet të numërohen … atëherë unë do të prisja mosmarrëveshje të forta në ato shtete për secilën prej atyre fletëvotimeve në mungesë, dhe debate nëse ato duhet të trajtohen si të vlefshme”, thotë Pildes.
Ka disa momente kryesore midis ditës së zgjedhjeve dhe çertifikimit të rezultatit nga Kongresi më 6 janar. I pari prej tyre është 8 dhjetori, e ashtuquajtura data “e sigurt” deri në të cilën shtetet pritet të paraqesin listat e çertifikuara të zgjedhësve tek Arkivisti i Shteteve të Bashkuara.
Në rast se një shtet nuk e ka përfunduar numërimin e votave deri në atë datë, ose për shkak të vazhdimit të numërimit apo veprimeve ligjore, ekziston një dispozitë në ligjin federal që lejon legjislaturën e shtetit të mblidhet dhe të caktojë një listë të elektorëve pa e ditur numrin përfundimtar të votave. Kjo krijon mundësinë që një legjislaturë partiake të caktojë një listë elektorësh që mbështesin kandidatin, i cili në fund humbet votën popullore të shtetit.
Në shtetet ku guvernatori dhe legjislatura janë të ndara midis palëve, ekziston një faktor tjetër komplikues. Për shkak se është guvernatori që zyrtarisht çertifikon listën e zgjedhësve pas një votimi, është e mundur që një shtet mund të paraqesë dy lista elektorësh, të dyja me një pretendim të besueshëm legjitimiteti.
Sipas ligjit federal, nëse Kongresi i ri paraqitet me dy lista konkurruese elektorësh nga i njëjti shtet, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati votojnë për të përcaktuar se cila do të pranohej. Nëse bien dakord, atëhere merret propozimi që ata zgjedhin. Nëse ata nuk bien dakord, fiton lista e çertifikuar nga guvernatori.
Një rezultat i barabartë në Kolegjin Zgjedhor
Është gjithashtu e mundur, megjithëse nuk ka gjasa, që të mos ketë asnjë fitues të presidencës edhe pas numërimit të votave elektorale. Nëse të dy kandidatët përfundojnë me nga 269 vota secili, është Dhoma e Përfaqësuesve që vendos për fituesin. Megjithatë, në vend të një vote për secilin nga 438 anëtarët Dhomës së Përfaqësuesve, delegacionet për secilin shtet votojnë si një grup, që do të thotë se partia dominuese në secilin shtet do të kontrollonte votën e saj.
Një rezultat i tillë do t’u jepte afërsisht të njëjtën peshë të 600,000 qytetarëve të shtetit Uajoming në zgjedhjen e presidentit sa 40 milionë qytetarëve të Kalifornisë.
Një alternativë e fundit në sistem është mundësia që disa nga zgjedhësit e dërguar për të votuar për presidentin më 14 dhjetor të rezultojnë “të pabesë”. Në një numër të kufizuar rastesh gjatë viteve, elektorët që duhet të votojnë për një kandidat të caktuar kanë hedhur votat e tyre në Kolegjin Zgjedhor për kandidatin tjetër.
Disa shtete kanë miratuar ligje që detyrojnë zgjedhësit të votojnë ashtu siç ka votuar shumica e votuesve të shtetit dhe Gjykata e Lartë ka vendosur që kufizime të tilla janë të ligjshme. Mbetet e mundur që zgjedhësit “e pabesë” të përpiqen të ndikojnë në rezultatin zgjedhjeve, por ekspertët theksojnë se rezultati duhet të jetë tepër i ngushtë që një përpjekje e tillë të jetë e suksesshme dhe do të duhej një shkallë e lartë koordinimi mes anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që do të ishte e vështirë për t’u realizuar.
Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa janë të mundur, shumica e këtyre skenarëve nuk ka të ngjarë të ndodhin.
Profesori Pildes, nga Universiteti i Nju Jorkut, thekson se edhe pa një numërim të plotë ë natën e zgjedhjeve, në fund mund të jetë e qartë se kush do të jetë fituesi.
“Edhe në shtetet që nuk mund ta përfundojnë dot numërimin e votave, qarqet e veçanta në ato shtete mund ta përfundojnë numërimin”. “Dhe media do të bëjë krahasimin e rezultatit të votimit të vitit 2020 për Presidentin Trump në ato qarqe me ato të vitit 2016. Dhe nëse nuk paraqitet mirë në mënyrë sistematike ose paraqitet shumë mirë bazuar në këtë krahasim, ky do të jetë një informacion që mund të sinjalizojë shumë fort se në cilin drejtim po shkojnë zgjedhjet, edhe nëse fituesi nuk mund të deklarohet zyrtarisht … Unë mendoj se kjo është e mundur ashtu si çdo skenar tjetër”, thotë profesor Pildes./VOA