“Pritja ia vlen, kur di çfarë pret”. T’ia thuash këtë një të riu sot që rend t’i bëjë gjërat shpejt dhe e kërkon suksesin po aq shpejt do të qeshte. Por kur njeh një njeri, që ka kaluar 28 vitet e rinisë në burg, që e thotë këtë frazë duke buzëqeshur, këto fjalë marrin një dimension tjetër. Dimensioni i pritjes si një zgjidhje shpirtërore e jetësore jo si një rastësi apo fatkeqësi. Kur kishte vetëm 22 vite mbi supe Adem Demaçi, “e kalli jetën e tij si një cigare”, siç pëlqen vetë ta epitetizojë ai, duke zgjedhur burgun në vend të lirisë në një vend të palirë. “Njeriu zgjedh nëse do të jetë një njeri i vogël ose të jetë një njeri në shërbim të një kauze, të një ideali”, thotë ai gjersa trazon një çaj të fortë në hollin e Hotel Rogner. ” Këtë çaj unë nuk e pi kurrë, vetëm kur më duhet të merrem me shqiptarë”, thotë me të qeshur me sytë e një djali 22 vjeçar, që kërkon të jetojë gjithë jetën, që s’mundi ta jetojë si shokët e tij dhe me pamjen e mençurinë e burrit plak, që i ka tashmë 76 vite mbi supe. Nuk ka ndryshuar aspak. Është i njëjti. Ai djali i ri, që në dhomën e tij ndezi të parën e të vetmen cigare në jetën e tij, vetëm për të parë se si do të digjej letra në zjarrin e një vendimi që do t’i ndryshonte jetën përgjithmonë dhe do ta bënte atë të ishte ai që është sot. “Unë i kisha marrë indiciet e para se do të burgosesha dhe po rrija vetëm në kthinën time, duke menduar mbi zgjedhjen që kisha bërë. Kur nana më pa që kisha ndezur letrën e përdredhur si cigare, erdhi e shqetësuar -ah bir po kall cigaren?- më tha me një merak, që ajo e kishte gjithmonë.- Jo Nanë- i thashë, -tash po kall jetën time”. Pas asaj dite erdhën vitet e burgut, me periudha të shkurtra, të gjata, që po t’i mbledhësh bashkë bëhen plot më shumë se 28 vite. 28 VITE! Një jetë e tërë. Një jetë në të cilën ai mund të zgjidhte të ishte një njeri i zakonshëm si ne, të krijonte familje, të mblidhte pasuri….të shijonte ditën nga mëngjesi në darkë.
A ia vlejti?
“Pritja është e bukur dhe e ëmbël kur e di se çfarë pret. Pritja nuk është asnjëherë e gjatë, kur e di që pret një gjë të bukur, një gjë që beson.”
Po pritja është edhe zhgënjyese, a është realizuar pritja jote?
“Jo e gjitha, pjesërisht. Por jam shumë i lumtur, ia ka vlejtur krejtësisht. Ajo do të realizohet kur të gjitha pjesët e Shqipërisë të bashkohen në një. Kur të jemi të gjithë bashkë. Por unë jam i lumtur deri më sot boll plot është arritur, ne tani jemi të lirë dhe na duhet të punojmë për bashkimin e madh kombëtar. “
Ky njeri të lë pa fjalë. Ne fëmijëve të shekullit të globalizmit, të ngutjes, të materializmit, na lë pa fjalë. Është një burrë vital, e do jetën aq shumë, sa të bën ta kesh zili. Dimrin e kalon në Prishtinë, ndërsa verën kryesisht në Sarandë. Para shumë vitesh e kam pyetur përse? “Sepse vetëm në Kosovë dimri është një dimër i vërtetë, dhe vetëm në Shqipëri vera është një verë e vërtetë”.
Si mund të shtyhet jeta në burg, çfarë mendon njeriu brenda katër mureve, a nuk çmendet?
“Të tregoj si shtyhet dita në burg, në izolim. Aty në një dhomë shumë të vogël e të errët është vetëm një stol druri, që përdoret dhe si shtrat. Herë të japin batanije, herë jo, herë ndonjë gazetë, herë jo. Vë kokën mes duarve çdo ditë për 5 vite e gjysëm me radhë dhe mendon. Adem a je çmend? Po jo s’e besoj se i çmenduri nuk e di asnjeherë se është çmend, kështu që nuk besoja se isha çmend. Atëherë çfarë ndodhi? Në 5 vite e gjysëm izolim, ku ata më futën për t’më çmendur, unë zbulova meditimin. Pa libra, pa literaturë, e zbulova vetvetiu. Mendja ime për një moment u mbush me forcën e gjithë Universit. U bëra më i fortë se ç’isha”.
Me studentët e nis bisedën duke iu drejtuar “kolegët e mi”.”Unë ju dua shumë, sepse i besoj filozofisë kuantike, që unë jam ju dhe ju jeni unë, pasi jemi të përbërë të gjithë nga kuantet dhe jemi pjesë e Universit.”
Njeriu, që njihet si Nelson Mandela i Evropës dhe që është nominuar për çmim nobel për Paqen e më pas është duartrokitur në sallën e Parlamentit Evropian me çmimin Saharov, kur flet për atdhetarizëm dhe për përkushtimin në çështjen kombëtare nuk flet për vete, por për të tjerët.
“Atdhetarët e vërtetë janë ata që e dhanë jetën për atdheun, luftuan e vdiqën për të dhe nuk i njohu kush. Adem Demaçi futej në burg, e dinte gjithë Evropa, kishim gazeta, libra, por ata që nuk i njohu njeri, që nuk e diti njeri, që luftuan e dhanë jetën për atdheun, ata janë atdhetarët e vërtetë”.
Përkrahja e luftës së UÇK-së nuk mund të jetë pa vlerë për të, ndoshta është një nga momentet më aktive në jetën e tij si aktivist i çështjes kombëtare. Ai kërkon që ajo frymë që përcolli UÇK të mos vdesë, që të rinjtë e sotëm të jenë po aq të përkushtuar për bërjen e vendit të tyre një vend të lirë, jo duke nderuar me fjalë ata atdhetarët që s’janë më, po duke vënë nga një gur të vogël për të ardhmen.
“Kur më pyesin për heronjtë që s’janë më, unë flas dhe në emër të tyre, se e kam detyrim të flas në emër të tyre, dhe e di çfarë u them të rinjve sot: Mos u merrni me ne, ne e bëmë tonën, por pyesni veten ç’po bëni ju për vendin!”
Adem Demaçi është nga ata njerëz që s’ka shumë të ngjashëm dhe nuk të rastis t’i takosh shpesh në jetë. Është nga ata njerëz, nga të cilët mund të mësosh, më së paku, të duash jetën dhe të dish të presësh për atë që do.
“Unë i kam plan të jetoj dhe nja 35 vite, sepse kam shumë plane, plane që edhe po s’i realizova e di që do t’i realizoni ju, të doni dhe të punoni për bashkimin shqiptar, si një gjë, që na përket të gjithëve, sepse ne jemi një popull që i kemi mbijetuar historisë”, u thotë ai të rinjve.
Nga Blerina Gjoka/ Prill 2012