Nga Alket Veliu
Gjykata e Apelit në Athinë e shpalli “Agimin e Artë” organizatë kriminale. 20 anëtarë të saj, nga të cilët 18 deputetë, u shpallën fajtorë për drejtimin e organizatës kriminale, ndërsa për disa vrasje emigrantësh janë shpallur të gjithë fajtorë. Bizantologia Greke me famë botërore fituese e çmimit Nobel, Eleni Glikatzi, është shprehur: “Agimi i Artë” është degradim i çdo kulture dhe qytetërimi grek. Tani këto vlera përçudnohen nga kriminelë të zakonshëm, injorantë, të mbushur me urrejtje, të cilët ne i çuam në Tempullin e Demokracisë”.
Po a mjafton ky gjest juridiko-butaforik për të shpëlarë fytyrën “evropiane” të shtetit grek pas 35 vjetësh që kur u shfaq kjo organizatë?
Ëndrra e neonazistëve grekë
Agimi i Artë u themelua në vitin 1985, por fillon të aktivizohet në vitin 1993, duke marrë pjesë në manifestimet për Maqedoninë. Në vitin 1994, anëtarë të kësaj organizate marrin pjesë si vullnetarë në krah të serbëve të Bosnjes. Në këtë periudhë fillojnë të çelen në të gjitha qytetete Greqisë, veç celulave ideologjike të partisë edhe grupet e para të ndërhyrjes së shpejtë të kësaj organizate. E gjithë ecuria e neonazizmit në Greqi do të personifikohet me liderin Mihaloliakos, të cilin anëtarët e partisë e dëgjojnë e i binden verbërisht dhe e përshëndesin në mënyrë naziste. Shumë nga eksponentët e Agimit të Artë, e kanë prejardhjen nga oganizatat “vorioepirote”, që në fillim të viteve 1990 e në vazhdim kërkojnë pavarësinë e Vorio- Epirit dhe kanë patur një rol tepër negativ në mbjelljen e urrejtjes kundrejt shqiptarëve nga ana e grekëve. Simboli i Agimit të Artë, është flamuri me gjarpërimin e zi në sfond të kuq, që ngjan shumë me kryqin e thyer nazist. Adhurojnë Hitlerin . Libri i Hitlerit “Main Kampf” është në krye të biliotekës së tyre dhe nga të parët që detyrojnë anëtarët e partisë që të lexojnë e të diskutojnë në format politike. Nikos Mihaloliakos, ka shkruar shumë artikuj ku Hitlerin e quan si njeriun mëtë madh të shekullit të XX, vizionar të madh të Europës së Re, etj, etj.
Po cila ëndrra e neonazistëve grekë?
Një Greqi pa të huaj dhe me kufijtë e mbyllur hermetikisht e të rrethuar me mina. “Ne i duam jashtë të gjithë emigrantët. Ata nuk duhet që të ishin dhe nuk duhet të vazhdojnë që të qëndrojnë më këtu në Greqi dhe duhet të largohen në një mënyrë, ose në një tjetër”,- thonë në të gjitha tonet anëtarët dhe deputetët e Agimit të Artë, duke kërkuar, bile që me emigrantët e djegur të bëhen edhe sapunë, për t’u larë jo grekët se ndyhen, por të lahen familjet e të djegurve në vendet prej nga vijnë…
E njëjta politikë u ndoq edhe me çamët në trojet e tyre autoktone në Çamëri. Për të kuptuar pse ikën çamët dhe si ikën ata nga trojet e tyre, duhet cituar vetë kryekrimineli Napoleon Zerva. Në letrën e dërguar prej tij më 1953 nga Parisi, ku kishte shkuar të mjekohej, ndër të tjera ai i shkruan mikut të tij:“I dashur Jani Popovi, bëjua të qartë njerëzve se ne e kryem detyrën që na ish ngarkuar për pastrimin nga atdheu ynë të çamëve myslimanë, të cilët kanë qenë 500 vjet në qafë të grekëve; kështu ua bëmë të mundur malësorëve (grekë) të zbresin në fushat! Pres letër nga ty.
Me dashuri
Athinë 4.8.1953
Zerva”.
Ndërsa në pragvdekjen e tij gjenerali kolaboracionist e përbindësh Napoleon Zerva, thotë: “Vdes i qetë se bëra ate që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha; ulërima fëmijësh, nuse dhe gra të zhveshura, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helenë !”.
Trashëgimtarë të Napoleon Zervës!
Idhtarët e Agimit të Artë janë neonazistë, trashëgimtarë të deklaruar të kriminelit famëkeq Napoleon Zervas. Edhe Zervas u dënua me 5 vjet burg si bashkëpunëtor i gjermanëve nga qeveria e ish-kryeministrit Rallis. Por edhe sot e kësaj dite në Greqi krimineli Zervas nderohet me statuja si hero Kombëtar! Kaq mjafton të bindemi se deri ku shkon hipokrizia greke. Se a janë vërtet trashëgimtarë të Zervës neonazistët e Agimit të Artë e ka deklaruar vetë ideologu i tyre Kristo Papas, në një intervistë dhënë në vitin 2013 Artur Zhejit në emisionin “360 Gradë”.
Zheji: Në Shqipëri kohët e fundit ka ndodhur një fenomen. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet e Shpëtim Idrizit, që është çam me origjinë, ka depozituar ne Kuvendin e Shqipërisë një rezolutë që kërkon rikthimin e pronave te sekuestruara prej 60 vitesh në Greqi, ata thone me preteksin apo arsyen e kolaboracionizmit ne kohen e luftes italo-greke. Çfarë mendoni se do ndodh nëse parlamenti shqiptar e miraton këtë rezolutë dhe a ekziston Çamëria dhe një çështje çame?
Papas: Si deputet i parlamentit grek, por në veçanti si patriot, gjëja e fundit që do të më interesonte do të ishte se çfarë do të thoshte parlamenti shqiptar. Ne kemi anën tonë, historinë, gjakun, zotin, Jezu Krishtin vetë. Meqë po më flisni për Çamërinë apo Çështjen çame sic e thoni ju, për ne është një cështje inekzistente dhe që për fat të keq diskutohet në këto çaste. Nëse doni përgjigje është një çështje e cila është zgjidhur një herë e përgjithmonë në periudhën 1944-’45 nga strategu i guximshëm dhe i zoti, Napeolon Zervas me ushtrinë e tij. Ata pak banorë myslimanë të zonës bashkëpunuan me armikun kundër grekëve dhe morrën përgjigjen e duhur. Nuk janë grekë në asnjë rast. Goditën dhe luftuan Greqinë dhe ajo tokë nuk u përket. Ajo tokë është vetëm dhe vetëm për grekët.
Le të sjellim në vëmendje edhe reagimin e zotit Shpëtim Idrizi, pas deklarimeve të neonazistit Papas.
A.Zheji: Papas thotë: Kolonel Zerva i dha fund Çështjes Çame. Opinioni juaj…
Shpëtim Idrizi: Napolon Zerva është i njohur si bashkëpunëtor i gjermanëve. Ne kemi dhe marrëveshjen që ka pasur me komandën gjermane. Dhe ky është momenti i fundit i tragjedisë së shqiptarëve të Çamërisë, sepse historia e shqiptarëve të Çamërisë, daton që në momentin që filluan problematikat për të gjitha trojet shqiptare. Sot, ky Kristos Papas deklaron se ekziston ligji i luftës. Po, po, ekziston ligji i Luftës dhe nuk duhet të bëjmë më sikur nuk e shohim dhe një ndër pikat kryesore të rezolutës është pikërisht heqja e ligjit të luftës. Gjatë Lutës së Dytë botërore, shqiptarët kishin dy batalione antifashiste, fillimisht kishin çetën “Çamëria”, pastaj batalionin “Ali Demi”, e vetëm në fund të luftës, nazisti Napoleon Zerva, arriti të dëbonte shqiptarët e Çamërisë brenda një jave duke masakruar 20 për qind shqiptarëve të shqiptarëve Çamë . Pikërisht trashëgimtar i këtij krimineli sadist është sot Kristo Papas dhe idhtarët e tjerë të Agimit të Artë, por edhe shumë politikanë dhe qevritarë grekë që pretendojnë ende “Vorio-epirin” dhe Çështjen Çame e konsiderojnë inekzistente!
Kush ishte N. Zerva dhe bashkëpunimi me gjermanët.
Po të shfletojmë pjesë nga libri ‘Kolaboracioni dhe Gjenocidi në Çamëri/ 1944-1945’, i historianit Arben Llalla. shohim se: “Gjatë regjimit të Metaksas, 1936-1941, Napoleon Zerva ishte akuzuar se bashkëpunonte me shërbimin e fshehtë gjerman, dhe ishte burgosur. Pasi gjermanët erdhën në Greqi, Prill, 1941, Napoleon Zervën e lirojnë nga burgu. Më tej filloi të organizonte forcat e djathta greke, por arrestohet nga italianët. Me ndërhyrjen e prof. Nikolaos Luvaris, atë e lirojnë. (Nikolaos Luvaris ka qenë pro gjerman dhe ministër i Fesë dhe Arsimit në qeverinë e Joani Rallis, (1943-1944). U dënua me 5 vjet burg si bashkëpunëtor i gjermanëve dhe u lirua më 1949). Në 9 shtator 1941, Napoleon Zerva bashkë me Leonidha Spais nga Arta, Ilia Stamatopulo dhe Mihail Miridhaqi themelojnë EDES-in, Lidhja Kombëtare Republikane Greke. Nga të gjitha dokumentet, gazetat e kohës, do shohim se ushtria e Zervës, EDES, përbëhej nga mercenarë, plaçkitës, të cilët nuk bënin dallime fetare apo etnike kur ishte në pyetje grabitja e pasurisë së popullsisë të pambrojtur, qofshin ata shqiptar apo grek. Në Shtator të 1943, Napoleon Zerva takohet me Komandantin e Përgjithshëm gjerman për Greqinë, Hubert Lanz, i cili kishte ardhur për operacionet kundër partizanëve grek ELAS. Pas këtij takimi u ra dakord që gjermanët dhe EDES të kenë një armëpushim 10 ditor. Më tej Zerva sulmoi forcat partizane ELAS dhe liroi robërit gjerman me qëllim që EDES të sigurojë një armëpushim e bisedime me gjermanët nga dhjetori 1943 deri në janar 1944.
Tashmë gjermanët kishin gjetur edhe një partner tjetër për të luftuar partizanët grek EAM-ELAS, që bënte lojëra të shumëfishta, por edhe Zerva kishte siguruar një aleatë të fshehtë për t’ju bërë ballë sulmeve të ELAS. Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë. Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se: “ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun”. Në dokumentin gjerman thuhet: “Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propozimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it në azhornim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike”. Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Evropën Juglindore, Ministrit Nojbaher. Përgjigja ishte: të vazhdojmë tratativat deri sa të merret vendimi përfundimtar. Më 9 shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar… Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të Korrikut 1944. Forcat e Zervës në mars 1944, kishin rreth 10.000 luftëtarë. Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke Kouvras më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist të tipit të Mihailloviçit të Jugosllavisë. Kouvaras i paraqiti Senatit një dokument shumë kompromentues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane.
Gjithë bota është informuar për terrorin e ushtruar ndaj popullsisë Çame në Greqi. Në qershor të vitit 1944 dhe në mars të vitit 1945, bandat e gjeneralit kuisling Napoleon Zerva, dogjën katundet tona, plaçkitën pasuritë dhe vranë me mijëra burra dhe gra, fëmijë dhe pleq. Më se 25 mijë çamë, që mundën të shpëtonin nga vdekja, u arratisën në Shqipëri. Pas ikjes dalëngadalë të gjermanëve më tepër se 2.500 forcat e EDES të drejtuara nga Napoleon Zerva hynë në Paramithi të Martën, 27 qershor 1944. Pas dreke, filloi masakrimi kudo në çdo vend që gjenin çamër. Nga kjo masakër nuk shpëtuan pa u vrarë burra, gra, fëmijë, pleq. Si pasojë shqiptarët e zonës së Paramithisë u larguan për të shpëtuar nga shovinistët EDES të Napoleon Zervës duke u vendosur në fillim në Filat. Por në Gusht të 1944, forcat e EDES sulmuan Filatin duke bërë masakra mbi popullsinë shqiptare. E frikësuar popullsia e pambrojtur shqiptare filloi njëherë e përgjithmonë të braktisë shtëpitë dhe pasurinë në Çamëri. Mbi 20 mijë shqiptar nga Çamëria braktisën trojet e tyre duke mos marrë asgjë me vete, rreth 2.500 burra, gra, fëmijë e pleq u masakruan nga EDES që drejtonte Napoleon Zerva.