Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të zhvillojë të hënën një vizitë në Kosovë ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës.
Vizita e zotit Basha vjen pas ftesës së Kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti.
Lideri i opozitës do të takohet me Kryeministrin Avdullah Hoti, Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani si dhe me drejtuesit e partive politike, Vetvendosjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës-Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.
Vizita e zotit Basha në Kosovë zhvillohet në një kohë të rëndësishme nisur nga zhvillimet e javëve të fundi, ndërkohë që ka rinisur dialogu Kosovë- Serbi, intervistimi në Hagë i presidentit Thaçi por edhe në momentet kur Shqipëria dhe Kosova po përballen me sfidën e menaxhimit shëndetësor por dhe ekonomik të situatës së krijuar nga Covid19.