Tre këshilltarë të qeverisë “Rama” dhe drejtori i Informacionit i Bashkisë së Tiranës konkurrojnë mes tyre për postin e kreut të AMA –në dukje pa plotësuar as kriterin formal të vjetërsisë në punë –një garë që rrit shqetësimet mes organizatave të medias për fiktivitet dhe varësi të mëtejshme të institucionit nga politika.
Në opinionin e Komisionit të Venecias për të ashtuquajturën “paketa antishpifje”, dyshimet për varësi politike të Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA përbëjnë një ndër arsyet kryesore për rrëzimin e ligjit të qeverisë.
“Të gjithë anëtarët e AMA kanë lidhje të qarta politike,” thuhet në opinionin e shpërndarë më 19 Qershor.
“Këto fuqi të reja nuk duhet t’u jepen këtyre organeve, pa siguruar më parë se ato janë mjaftueshëm të pavarur nga partitë politike, bizneset e mëdha të medias dhe interesat e korporatave të lidhura me politikën,” shtohet në opinion.
Por ndërsa Komisioni i Venecias sugjeron rishikimin e formulës së zgjedhjes së anëtarëve për të garantuar pavarësinë e tyre, një garë e hapur në Kuvend për kryetarin e ri të AMA-s i thellon dyshimet mbi përpjekjet e qeverisë për të forcuar kontrollin e saj mbi institucionin.
Gara për zgjedhjen e kryetarit të ri të AMA-s u çel fillimisht në fund të vitit 2019, por dështoi për mungesë të kandidatëve. Ajo u rihap në janar dhe aplikuan tre këshilltarë të qeverisë “Rama”, Maklen Misha, Edvin Kukunja dhe Fatjon Hoxhalli si dhe drejtori i Informacionit në Bashkinë e Tiranës, Denis Dedej.
Pozicionimi politik i kandidatëve në garë është vetëm njëra anë e problemit. Dokumentet e siguruara nga BIRN ngrenë dyshime edhe për procedurën e verifikimit parlamentar, pasi asnjë prej kandidatëve nuk plotëson sipas deklarimeve në Sigurimet Shoqërore, kushtin e vjetërsisë prej 10 vitesh në punë.
Gara për kryetarin e AMA-s konsiderohet njëkohësisht si jo-serioze dhe politike nga organizatat e medias në Shqipëri, të cilat parashikojnë një skenar të rrezikshëm në dritën e miratimit të mundshëm të së ashtuquajturës “paketa antishpifje”.
“Një skenar akoma më i rrezikshëm do të ishte zgjedhja e një kandidati politik në krye të AMA-s, në kushtet kur prej një viti tentohet votimi i një ligji “të rrëzuar” nga gjithë organizmat ndërkombëtarë,” tha Elvin Luku, pedagog dhe drejtues i MediaLook.
Pretendentët për kreun e AMA-s refuzuan për BIRN që të konsiderohen kandidatë politikë, ndonëse mbajnë poste në kabinetet ministrore.
“Posti i këshilltarit nuk është post politik, nuk ka të bëjë me përkatësinë politike,” tha Maklen Misha, favorit në garë dhe aktualisht këshilltar i ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Edhe Fatjon Hoxhalli pretendoi po ashtu se përvoja e tij si këshilltar për mediat në dy ministri kishte qenë “teknik”.
Dy kandidatët e tjerë të kontaktuar nga BIRN nuk iu përgjigjën kërkesës për koment deri në publikimin e këtij shkrimi.
Pikëpyetjet mbi kandidatët
Në Shqipëri, ligji “për Administratën Publike” i konsideron anëtarët e kabinetit të ministrit dhe këshilltarët si funksionarë politikë, “të cilët emërohen dhe shkarkohen nga ministri”.
Ndonëse ligji për AMA-n nuk i përjashton specifikisht këshilltarët e ministrave që të garojnë për një vend në bordin e këtij institucioni, fryma e ligjit synon që të garantojë pavarësinë e institucionit që rregullon aktualisht mediat audiovizive dhe që pritet ta shtrijë kontrollin edhe mbi mediat elektronike.
Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi në Kuvendin e Shqipërisë tregojnë se të katër kandidatët kanë mbajtur pozicione në qeverinë e kryeministrit Edi Rama apo në kabinetin e kryebashkiakut Erion Veliaj.
Maklen Misha, aktualisht këshilltar në Ministrin e Mbrojtjes, ka qenë themelues i partisë G99 dhe njëkohësisht pjesë e grupit të punës për programin e Partisë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2013. Ai ka qenë gjithashtu këshilltar i zv.kryeministrit në vitet 2014-2015 si dhe këshilltar i kryebashkiakut Erion Veliaj në vitet 2015-2018.
Edhe Edvin Kukunja është aktualisht këshilltar ligjor i ministres së Drejtësisë, ndërkohë që në vitet 2013-2017 ka mbajtur të njëjtin pozicion në Ministrinë e Arsimit.
Fatjon Hoxhalli punon aktualisht për kompaninë e kërkimeve dhe konsulencës, IDRA Research and Consulting –por ka punuar si këshilltar për komunikimin me ministren e Arsimit, Besa Shahini dhe ish-zv.kryeministrin Niko Peleshi.
Ndërkohë, Denis Dedej është aktualisht drejtor i Informacionit në Bashkinë e Tiranës.
Kandidatët për anëtarë të AMA-s duhet të kenë gjithashtu një përvojë pune jo më pak se 10 vjet. Por dokumentet e siguruara nga Kuvendi tregojnë se 4 kandidatët e thirrur për t’u dëgjuar nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik mund të mos plotësojnë formalisht këtë kriter nga puna e dokumentuar nga Sigurimet Shoqërore.
Sipas verifikimeve të kryera nga Kuvendi, Maklen Misha rezulton të ketë 8 vite dhe 1 muaj punë të plota. Ai deklaron gjithashtu 2 vjet e 9 muaj si kontraktues individual dhe eksperienca të tjera, përmes vërtetimeve nga punëdhënësi.
Kandidati tjetër, Edvin Kukunja ka punuar 4 vjet e 7 muaj i siguruar dhe ka 121 javë (dy vjet e pak muaj) punë part time. Në jetëshkrimin që Kuvendi i dha BIRN, ai shënon se ka filluar punë në vitin 2012.
Kandidati Denis Dedej ka sipas një dokumenti nga Kuvendi 7 vite e 9 muaj pune më librezë pune. Ndërkohë, për tre vite të tjera pune ka marrë vërtetim nga punëdhënësi –ku rezulton si konsulent i jashtëm i gazetës “Koha Jonë”.
Fatjon Hoxhalli nga ana tjetër ka filluar punë në administratë si drejtues në Agjencinë Kombëtare të Turizmit në vitin 2014. Në dokumentet e Kuvendit, Hoxhallit i shënohen 6 vite punë të dokumentuar dhe katër vite me vërtetim nga Qendra Agenda, një NGO e krijuar në vitin 2006. Ai i tha BIRN se kishte eksperienca të mëparshme “edhe jashtë Shqipërisë”.
Pavarësisht vlerësimeve të kryera për vitet e punësimit, Kuvendi i tha BIRN se “nuk e kishte vendosur ende nëse kandidaturat i përmbushnin kriteret ligjore”.
“Sikurse jeni informuar, për kryetarin dhe anëtarët e “Autoritetit të Mediave Audiovizive”, janë paraqitur kandidaturat, ku dokumentacioni i paraqitur prej tyre po shqyrtohet akoma nga shërbimi përkatës në Kuvend, mbi plotësimin e kritereve ligjore,” tha Kuvendi.
Ndërkohë, kandidatët Maklen Misha dhe Fatjon Hoxholli mohuan për BIRN si akuzat për mbajtjen e posteve politike, ashtu edhe atë për mosplotësimin e kriterit të vjetërsisë.
“Para se të aplikoja jam konsultuar me ekspertë juristë dhe më kanë thënë që nuk mund të vihet shenja e barazimit mes kohës me sigurime shoqërore dhe eksperiencës në punë. Unë kam 8 vite dhe 1 muaj me sigurime dhe kam një periudhë tjetër si konsulent apo freelance. Jam paguar me projekte, për të cilat është paguar tatimi në burim,” tha Misha për BIRN.
Ndërsa Fatjon Hoxhalli i tha BIRN se kishte eksperienca pune edhe jashtë Shqipërisë, ndërkohë që e konsideroi punën si këshilltar si post teknik.
“Unë nuk e ndjej veten afër ndonjë partie politike,” tha Hoxhalli. “AMA, edhe më e varur”
Procesi i zgjedhjes së anëtarëve dhe kryetarit të Autoritetit të Mediave Audiovizive merr një rëndësi edhe më të madhe, në kushtet kur kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca e drejtuar prej tij po tentojnë prej më shumë se një viti që ta shtrijnë mandatin e institucionit edhe mbi mediat online.
Ndryshimet ligjore të propaganduara si “paketa antishpifje” u miratuan në seancën e fundit parlamentare të vitit 2019, por u rikthyen në Kuvend nga Presidenti Ilir Meta si antikushtetuese.
Ndërsa opinioni ligjor i Komisionit të Venecias, i publikuar më 19 qershor e konsideroi projektligjin për Mediat Audivizive të paqartë, si dhe me rrezik për të sjellë efekt frikësues dhe ndrydhje të debatit të lirë dhe debatin politik në internet.
Sipas Komisionit të Venecias, autoritetet shqiptare nuk duhet t’i japin AMA-s mandat për të ushtruar kontroll mbi median online, pa garantuar më parë pavarësinë e institucionit.
Për përfaqësuesit e organizatave të medias në Shqipëri, gara aktuale për kryetarin e AMA-s shkon përkundër këtij parimi dhe rrezikon të rrisë tutelën e qeverisë mbi institucionin.
Koloreto Cukali, kreu i Këshillit Shqiptar të Medias i tha BIRN se caktimi i personave me lidhje të qarta politike me mazhorancën do të krijonte një kontroll vertikal të AMA-s nga qeveria.
“Në ligj mund të mos jetë e ndaluar, sepse ligji nuk mund të parashikojë çdo perversitet të mendjes njerëzore për të përdhunuar institucionet, por ka dhe një frymë të ligjit, ka moral politik, ka parime mbi të cilat mbështetet shteti,” tha Cukali, duke iu referuar ligjit për pozicionin e këshilltarit.
“Komisoni i Venecias e tha qartë që AMA nuk ofron garanci për paanshmërinë e saj, dhe zgjidhja e Kryeministrit është ta bëjë edhe më të varur se sa është,” shtoi Cukali.
Për Elvin Lukun nga Qendra MediaLook, ligji i tanishëm kërkon që anëtarët e AMA-s të zgjidhen mes atyre institucioneve që konsiderohen të pavarura dhe që kanë ushtruar funksionin e monitorimit të pushtetit, dhe jo që janë pjesë e tij.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për proces jo serioz, por nëse merren në konsideratë dhe kualifikohen për t’u përfshirë në garë individë të cilët nuk plotësojnë kriteret ligjore…. kemi të bëjmë me një garë fiktive, antiligjore dhe me kryetar të emëruar, jo të zgjedhur,” përfundoi Luku. /Reporter.al/