Ish-deputeti i Partisë Demokratike Bardh Spahia ka akuzuar ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliun se po fsheh numrin e të infektuarve nga personeli shëndetësor.
Spahia përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë se nga 35 anëtarë të personelit shëndetësor të testuar, vetëm 2 kanë rezultuar pozitivë, është një gënjeshtër skandaloze dhe e paturpshme.
Sipas tij, vetëm në qendrën shëndetësore nr. 9, vatra e re e infeksionit Covid-19, kanë rezultuar pozitivë 4 personel.
Postimi i plotë:
E pabesueshme se si mund të gënjehet kaq paturpësisht, duke fshehur shifrën reale të të infektuarve në personelin shëndetësor!
Sot ministria e shëndetësisë tha se nga 35 anëtarë të personelit shëndetësor të testuar, vetëm 2 kanë rezultuar pozitivë. Kjo është një gënjeshtër skandaloze dhe e paturpshme! Vetëm në qendrën shëndetësore nr 9, vatra e re e infeksionit Covid-, kanë rezultuar pozitivë 4 anëtarë të personelit, 2 mjekë, një infermiere dhe personi në recepsion. Dhe testet në këtë qendër u bënë, vetëm pasi u denoncua se pas identifikimit të 2 të infektuarve të parë, personelit nuk u ishin bërë tamponët. Testet janë bërë dje por vetëm disa anëtarëve të personelit që paraqisnin simptoma dhe disa familjarëve të tyre, por jo të gjithë personelit të Qendrës. Nga testimet e pjesshme kanë rezultuar pozitivë 4 anëtarë të personelit mjekësor, ndërsa ministria raporton vetëm 2 në total.
Si mund të talleni në këtë mënyrë si me personelin shëndetësor ashtu edhe me qytetarët, të cilëve u keni detyrimin e transparencës?
Si nuk të vjen zor zonja ministre e shëndetësisë, që manipuloni kaq trashë shifra, që janë të verifikueshme nga vetë të interesuarit?
Si nuk “tmerrohesh“ që luan kaq paturpësisht me shëndetin e njerëzve?
Si nuk “tmerrohesh“ që edhe pse ke të paktën 6 të infektuar në Qendrën Shëndetësore nr.9, bën testim të pjesshëm e jo të plotë, në këtë vatër të re infeksioni?
Pse po ndihmon në përhapjen e virusit mes mjekëve e pacientëve, duke mos zbatuar protokollet anti Covid, e duke fshehur shifrat pastaj?
Si ka mundësi që nuk të “tmerron“ fakti se QSUT dhe Qendra Shëndetësore nr.9 janë kthyer në vatra infeksioni, sic u “tmerrove“ dje nga qytetarët që u mblodhën spontanisht rreth kreut të opozitës në Durrës?
A nuk është përgjegjësia jote direkte, siguria e personelit shëndetësor, por edhe e pacientëve që i drejtohen strukturave shëndetësore publike?
A nuk je ti zonja ministre e shëndetësisë, që ke vendosur rregullat e propozuar ndëshkimet në Kodin Penal për mosrespektim të masave të sigurisë, si dhe për ata që bëhen burim infeksioni me apo pa dashje?
Si nuk “tmerrohesh“ që po i shkel vetë këto rregulla e falsifikon shifra, ndërsa për sigurinë shëndetësore të shqiptarëve paguhesh me taksat e tyre, e jo me lekët e Edi Ramës apo të PS?
Pa dyshim zonja ministre, do hysh në historinë e shëndetësisë shqiptare, si njollë e zezë e modelit, që jo thjesht nuk dinte, por as nuk donte të vendoste të parën sigurinë shëndetësore të shqiptarëve, edhe pse paguhej nga taksat e tyre.