Nga Sindi Bego
Maks Velon do ta takoja për herë të parë në një mbrëmje në Butrint. Ishte viti 2013-të, dhe bashkë me nënën time të zhgënjyera nga interpretimi që një trupë amerikane e teatrit “Lit Moon” po i bënte dramës “Shtrëngata” të Shekspirit, përshkruam në heshtje amfiteatrin e madh për të dalë në portën kryesore të Parkut. Pikërisht aty ndodhej dhe Maksi. Ashtu si ne dhe ai ishte zhgënjyer. Pas bisedave për dramën më drejtohet nga mua e thotë: Le ta lemë Shekspirin, po kjo vajza jote çfarë do të bëhet kur të rritet?
“Aktore” i them unë. Aktore, ngre zërin ai. Po pse budallaqe është kjo jot ëmë të bëjë ty aktore. Më kujtohet trishtimi që më pasoi gjatë gjithë asaj mbrëmje. Sesi rrugës nga Butrinti deri në hotel mezi mbaja lotët. Kisha ardhur në një festival teatrit dhe cilido që kisha takuar deri atë mbrëmje rrudhte buzët sapo u thosha që “do bëhem aktore”. Në ato kohë të bëhesha aktore ishte ëndrra ime më e madhe, por me kohë kjo ëndërr si të gjitha ëndrrat u zëvendësua me një tjetër.
Nga ajo mbrëmje do ta takoja shpesh për shkak të miqësisë familjare, ku me humor kujtonte dëshirën time për tu bërë aktore. “Bëj atë që di të bësh më mirë, shkruaj”, më thoshte. Në fillim përpiqesha të shmangja kontaktet me të, pasi ishte konfiguruar tek unë si njeriu që “dhunshëm” më kishte treguar se çfarë duhet të bëja.
Me vitet portreti i tij do të qartësohej tek unë, duke u bërë më i plotë, duke kuptuar se të qënurit i drejtpërdrejtë siç ishte ai me mua, ishte një vlerë njerëzore, të cilën tashmë përpiqem ta kuptoj në gjithë dimensionin e së drejtës në degën që kam zgjedhur të studioj.
Sot në trishtim e kësaj ikjeje, sjell në mëndje gjithë takimet me të. Vizitat në banesën-studio të tij ku pikturat moderniste, nudot, apo vizatimet, albumin e fëmijërisë të cilin e tregonte plot krenari, apo fotoja e nënës mbi krevatin e gjumit më bënin ta shihja si një njeri tepër të brishtë. Aq i ashpër i njëkohësisht aq njerëzor, në foton e dalë në një kënd lojërash me fytyrën e madhe të bardhë, në prehrin e nënës. “Nëna nuk ikën asnjëherë prej teje. Bëj si nëna jote, ndiq rrugën e saj. Njeriu duhet të shkojë aty ku përket”, më thoshte, duke më sjellë shembuj nga historia e artit botëror,ku shkëlqimi kishte qenë më i plotë kur vinte nga origjina. E më pas vazhdonte “jo po do bëhesh aktore” e qeshte. “Aktore budallaqe”.
Më vonë e kuptova se ky përçmim i tij për aktorët nuk ishte i vërtetë. Ishte thjesht mënyra që ai kishte zgjedhur të më çonte mua tek vetja. Kjo pasi gjithnjë pas një shfaqjeje në Teatrin Kombëtar, apo në Opera ne do të takonim gjithnjë atë. Ai ishte një nga adhuruesit më të mëdhenj të këtij qyteti të shfaqjejeve teatrore, e nuk linte shfaqje teatri pa ndjekur. Kultura për të ishte diçka që nuk ishte e plotë nëse ishte vetëm në një përmasë. Një intelektual duhet të ishte një vizitor i përhershëm i kalendarit kulturor në qytet.
Prej Maksit kisha dëgjuar aq shumë për Parisin. Çdo verë ai udhëtonte drejt Parisit qytetit ku kishte lindur dhe qëndronte aty një muaj. Përpiqesha që në kafet e kthimit që do të pinte me mamanë të isha e pranishme. Pasi në këto kafe ai zgjonte një botë të cilën e përfytyroja aq shumë. Tregonte për vizitat në galeri, një ekspozitë të Pikasos që kishte vizituar dhe se si e kalonte ditën me një hartë në xhep duke shëtitur në rrugën e galerive. Tregonte për operat që kishte ndjekur, apo teatrot. Për të një artist nuk ishte i plotë nëse njëherë në vit nuk vizitonte Parisin. Ishte një ushqim shpirtëror që rriste dimensionin e tij për bashkëkohësinë. Kur disa kohë më parë do të kaloja në rrugën e galerive në Paris nuk e di pse mu kujtua Maksi. U përpoqa ta përfytyroja teksa ecte në ato rrugë të ngushta, me xhaketën e tij kafe duke biseduar me galeristët.
Në kërkimin tim për të Drejtën nga Maksi kam mësuar diçka, se e drejta ka lidhje me ndershmërinë. Që të jesh i lirë, thoshte ai nuk duhet të urresh. Kam lexuar pak nga krijimtaria e tij e burgut, por kisha kuptuar përmes bisedave që dëgjoja në tavolina se rrëfimin për të shkuarën, burgun, ai nuk e tregonte me urrejtje. Shpesh me humor,e ndonjëherë me revoltë, por më pas sërish i qetë, fliste për ata që e kishin lënduar si të fliste për një dramë të tyren. Maksi ishte gjithnjë në anën e të lënduarve.
Vetë ai ishte i lirë. Dimensioni i lirisë tek unë do të ketë gjithmonë fytyrën e tij.
Një tjetër veti që e adhuroja tek Maksi ishte ligjërimi i tij. E në ligjërim ai e lidhte artin me të drejtën. Kam moderuar dy takime me të me të rinjtë e brezit tim. Nga adhurimi që kisha për të doja që dhe bashkëmoshatarët e mi ta njihnin. Një takim ka qenë me të rinj në instilacionin “Reja”, e një tjetër me nxënësit e një gjimnazi në Laprakë. Pavarësisht refuzimit që brezi i ri ka ndaj personazheve të së shkuarës, Maksi i bënte ta donin. Rrëfimet e tij, humori, ekspresiviteti, bënin që pas këtyre takimeve të gjithë të kërkonin foto me të. Maksi dinte të ishte modernist, ndoshta se modernizmi tek ne ka filluar me të.
Kujtoj sot dilemat që kisha tek vetja kur më duhet ti drejtoja pyetje, pasi doja të isha në përmasën që ai kërkonte tek unë. Në ato kohë kam lexuar tregimet e tij, në mënyrë që të mos e zhgënjeja.
Nuk i thashë kurrë që po shkruaja, pasi nuk doja “ti jepja të drejtë”, megjithëse në ëndrrat e mija sa e sa herë e mendoja kur për herë të parë do ti jepja një libër timin atij.
Sa e sa copëza kujtimesh më vijnë sot në mëndje, teksa përpiqem të qetësoj veten nga dhembja e kësaj ndarjeje, tek ngushëllimi, që pata fatin ta njoh e të përmirësohem përmes tij. Faleminderit Maks e vazhdo të flasësh e jetosh bukur dhe atje lart!