Me ndryshimet e vrullshme ligjore në revolucionin e të ndryshuarit të çdo strukture, gërme apo koncepti të drejtësisë së vjetër jorilindase, krijuan dhe SPAK-un si ilaçin çudibërës të çdo sëmundje kriminale në Shqipëri. Kuvendi ynë nën direktivën e Komisionit të Rëformës së babait të Drejtësisë Xhafaj (kujdes Babai i Kombit është dikush tjetër!), u kujdes që SPAK të kishte si kompetencë gjithçka që i duhej propagandës anti-korrupsion të qeverisë, por nuk kishte si kompetencë fare luftën kundër terrorizmit, trafiqeve të çdo lloji e shumë vepra të rënda penale. SPAK-ut si fëmija i përkëdhelur i baba Xhafës, nuk iu dha në kompetencë, asnjë nga veprat penale të rrëmbimeve apo vrasjeve të çdo zyrtari të shtetit.
Në 30.03.2017, kur u miratuan ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, ligjvënësit nën frymën e Komisionit të Reformës në Drejtësi, nenin 75/a e ndryshuan duke lënë jashtë kompetencës së SPAK plot 33 vepra penale.
Ndër të tjera ky Kod përcaktoi dhe kompetencat e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Dhe pa zhurmë, thjesht ashtu si dinë ta bëjnë ata që punën në hetuesi e nisnin, kur errej neni 75/a i këtij Kodi përcaktoi se:
“Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjykon:
a) krimet e parashikuara nga nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 257, 258, 259, 259/a, 260, 319, 319/a, 319/b, 319/c, 319/ç, 319/d, 319/dh, 319/e;
b) çdo vepër penale e kryer nga grupi i strukturuar kriminal, oganizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal;
c) akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.
ç) akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës”.
Për ata që prisnin pas vetting-ut të kishte më shumë vezë nga pulat dhe më shumë ËC në spitale, ky ndryshim do të thotë se Krimi i Organizuar, çdo lloj trafiku dhe aktet terroriste tashmë pas Rilindjes do hetohen e Gjykohen nga Vermoshi në Konispol nga Prokuroritë dhe Gjykatat e Rretheve. Në fakt, nga Vermoshi në Konispol në atë periudhë 2016-2018 lulëzoi gjelbërimi i bimëve me tre fletë. Me pak fjalë, do duhet të kemi super hetime dhe në Përmet, dhe në Burrel, dhe në Kukës, dhe në Sarandë e të tjera, e të tjera.
Proaktiviteti i hetimit të trafiqeve si njerëzore dhe narkotrafikut sipas Kryereformatorit Xhafa, do njohë efikasitet të paparë me këto ndryshime. A thua të jetë kaq e thjeshtë, kur pothuajse shumica e oficerëve të policisë gjyqësore që mësuan nga përvoja hetimore e Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, se kanë idenë çdo të thotë proaktivitet në hetim?! Po të hyjmë në terma teknikë sipas parashikimeve të këtij neni janë hequr nga kompetencat e SPAK, vepra penale sa me poshtë:
– Trafikimi i narkotikëve, neni 283/a i Kodit Penal.
– Trafikimi personave.
– Trafikimi i të miturve, neni 110/a dhe 128/b i Kodit Penal.
– Vepra penale me qëllime terroriste.
– Neni 230 e vijues i Kodit Penal e të tjerë.
Mungesa e përfshirjes së këtyre veprave penale në një strukturë të posaçme të përqendruar hetimore ndikon negativisht në hetimin e këtyre çështjeve. Dhe nuk besoj se reformatorëve ju shpëton lehtë një detaj i tillë.
Prokuroritë e rretheve nuk mundet të bashkërendojnë punën mes tyre, për shkak të mungesës së kompetencës territoriale në ushtrimin e ndjekjes penale.
Mungesa e profesionalizmit në trajtimin e këtyre veprave penale parashikon dështim të garantuar.
Dhe çuditërisht askush nuk ngriti zërin, por thjesht duartrokitën.
Rritja e fenomenit të kultivimit të lëndëve narkotike në mënyrë të frikshme, ka bërë që hambarët t’i kemi plot, por me hashash, jo me drithë dhe me sa duket s’ka “armik” që na thyen dot. Dhe sikur hashashin ta përdorim në vend të sallatës jeshile përsëri kemi plot e mjafton për të gjelbëruar dhe Evropën. Por që kjo freski dehëse hashashi të kalojë përtej kufirit duhet të konsumohet trafiku i lëndëve narkotike. Dhe mesa duket nuk “lind” domosdoshmëri që lufta kundër këtij trafiku të ketë përqëndrim në struktura të specializuara. Edhe kjo thua të jetë “shkrepje” e pavullnetshme e reformatorëve???
Këto lloj veprash penale hetohen me metoda speciale të hetimit. Dhe në rast se ka ndonjë anëtar komisioni të reformës apo ekspertë të shpjegojë se si do duhet të përdoren shpejtë, saktë dhe bukur këto metoda speciale, atëherë le t’ia lënë kompetencë hetimin e trafiqeve, jo Prokurorive të Rretheve, por ta mbledhin mendjen e t’i lënë tek Postat e Policisë së fshatit këto hetime. Është e pamundur që të realizohet një dorëzim i kontrolluar në një Rreth dhe të ndiqet penalisht nga një prokurori rrethi ky trafik. Këto lloj veprash penale duhen hetuar në bashkëpunim me shërbimet e intilegjencës, çfarë prokuroritë e rretheve objektivisht e kanë më të vështirë për ta realizuar. Duhen burime profesionale të specializuara për hetimin e këtyre çështjeve. Dhe në lidhje me këtë fakt ekspertët ndërkombëtarë që janë pranë komisioneve tona duhej të dëshmonin paaftësitë e strukturave jo qëndrore në këto lloj hetimesh. Në mos e dinë këtë të paktën të pyesin shefat e tyre në Bruksel apo gjetkë sa para janë harxhuar deri më sot për të përgatitur specialistë?
E njëjta logjikë, por më frikshëm vlen dhe për veprat penale kundër terrorizmit. Çdo të thotë kjo? Këto vepra penale kanë shtrirje të gjerë në të gjithë territorin si brenda shtetit ashtu dhe jashtë shtetit. Mungesa e kompetencës territoriale të një prokurorie të një rrethi në një rreth tjeter ndikon direkt në hetim. Edhe sikur të gjendeshin forma bashkëpunimi mes prokurorive të rretheve në rangun procedural apo dhe me burime profesionale, vonesa në kohë do të sillte pasoja të pariparueshme.
Pra, frikshëm lufta kundër terrorizmit e krimit të organizuar spostohet dhe decentralizohet. A ka ndonjë njeri në këtë vend ta besojë se Gjykata e një Rrethi do mund të jetë minimalisht profesionale dhe maksimalisht e guximshme që të dënojë dikë që trafikon 10 ton hashash?
Po trafikun e qenieve njerëzore?
Pothuajse në çdo rast hetimi për trafikimin e qënieve njerëzore, në veçanti femrave për prostitucion jashtë territorit të RSH-së, vjen si rezultat i kthimit të të dëmtuarave nga autoritetet e huaja, apo dhe hetimi i përbashkët me autoritetet e huaja të drejtësisë. Në këtë rast ndjekja penale do të bëhej në rrethin, në të cilin është deportuar e dëmtuara, fakt ky që e shkëput totalisht prokurorinë që kryen hetimin me kompetencën territoriale.
Në rastin, kur hetimi fillon me kërkesë të autoriteteve të huaja, nga praktika është vënë re se të paktën vendet e rajonit, kanë një prokurori speciale që ushtron ndjekjen penale për këto lloj veprash penale. Mungesa e një organi të tillë, homologe me prokuroritë speciale të shteteve bashkëpunuese do të sillte mungesë efikasiteti dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.
Vetëm argumentin që është vendosur në SPAK hetimi nga Organizatat Kriminale dhe Grupet e Strukturuar ju lutem mos e përdorni si mbrojtje, se fyeni inteligjencën e çdo juristi, qoftë dhe kamarier me juridik.
Nuk është mbrojtje, sepse thjesht fare të shkosh tek grupi apo organizata duhet hetim. Dhe hetimi nga Rrethet në Qendër do dojë disa muaj kohë. Dhe pas gjashtë muajsh apo një viti jemi vonë. Në hetimin e këtyre veprave dhe një ditë vonesë sjell pasoja të tmerrshme.
Nëse është e vërtetë, atëherë një pyetje të thjeshtë duhet të bëjë gjithkush: Po qe se shpresojmë që reforma do na sjellë anembanë atdheut tonë Gjykata super objektive dhe profesionale, atëherë ai gjyqtar që gjykon dhe dënon një super trafikant dhe super kriminel apo terrorist nuk dënon dot një zyrtar për korrupsion?
Të gjithë këtë retropsketivë të një ndryshimi, i cili ka tre vjet që ka ndodhur e riktheu në vëmëndje një “letër tepër sekret” e Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, zbuluar “rastësisht” dhe publikuar nga mediat e pavarura prej opozitës.
Në këtë letër me të drejtë Kryetari i asaj gjykate shprehte këto shqetësime, të cilat çdo jurist i quan të drejta. Por, koha e publikimit të kësaj letre ka tjetër synim. Meqë e shohin që dështimi po merr sukses të plotë në kompetencat e SPAK, mediat që duan shumë baballarët e reformave dhe kombit, po përgatisin terrenin e dështimit të kontrolluar. Pasi jep argumentat e letrës fillon tjetërsimi i fakteve. Ja si shprehen mediat për këtë shqetësim të shprehur në letrën sekrete: “Gjatë shqyrtimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, propozimet e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda u pranuan nga OPDAT, Ministria e Brendshme, ekspertët penalistë dhe Fatmir Xhafaj, por propozimet nuk u reflektuan në versionin përfundimtar të miratuar. Çfarë pasoje ka sjellë sot gjymtimi i kompetencave? Pasoja është kjo: Nëse veprat penale të terrorizimit, komplotit, vrasjeve, trafikut të drogës, armëve, qenieve njerëzore e të tjera kryhen nga individë, nuk janë në kompetencë të SPAK dhe Gjykatave Speciale. Nëse këto vepra penale kryhen në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, organizatave dhe bandave të armatosura, janë në kompetencë të SPAK-ut. Pra, 33 vepra të rënda penale, kur kryhen jo në bashkëpunim, nuk janë në kompetencë të SPAK!”.
Me shumë elegancë këtu na del që të gjithë faktorët ligjformues paskan qënë dakord. Atëherë si ka mundësi nuk u reflektuan këto ndryshime? Këtë media rilindase nuk e thotë.
Në fakt, e vërteta është krejt ndryshe. Në atë kohë që diskutoheshin këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, jo vetëm Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, por dhe përfaqësues të OPDAT-it, përfaqësues të Policisë së Shtetit, kundërshtuan me argumenta dhe me shkrim këto kompetenca të cunguara të SPAK-ut. Dhe ka qenë Kryetari i Komisionit Xhafa që ka kundërshtuar me forcë këto sygjerime. Çuditërisht ka qënë kundër dhe atyre që ai ka dëshirë t’i quajë kumbarë të reformës, pasi siç thamë dhe OPDAT ka sygjeruar me shkrim këto zgjerime kompentecash të SPAK-ut.
Një fakt i tillë konstatohet lehtë në protokollet e zhvillimit të mbledhjeve, jo vetëm të komisiont Xhafa, por dhe të mbledhjeve të Grupit të ekspertëve. Kjo frymë kundërshtimi e këtyre sygjerimeve vihet re dhe në relacionin e Komisionit për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, ku ndër të tjera shprehen: “Ligji procedural synon të reflektojë në mënyrë të plotë dhe të qartë qëllimin e ligjvënësit kushtetues, duke shmangur çdo zgjerim apo ngushtim të mundshëm të dispozitës, i cili do të binte ndesh me parashikimet eNenit 42, paragrafi 2 të Kushtetutës. ...duke garantuar përputhshmërinë e kësaj dispozite ligjore me Nenin 135, paragrafi 2 të Kushtetutës. Për më tepër kjo dispozitë përcakton kategorinë e subjekteve, akuzat penale, kundër të cilave shqyrtohen nga gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar pavarësisht llojit të veprës, për të cilën është ngritur akuza”.
Siç edhe është konstatuar jo vetëm në realcionet shpjeguese, por dhe në protokollet e mbajtura gjatë zhvillimit të mbledhjeve të Komisionit Xhafa, ky i fundit ka ritheksuar me forcë se del jashtë kornizve kushtetuese zgjerimi i kompetencave të SPAK. Në fakt, e çuditshme të mendosh që kryereformatori mendon se trafiqet e të gjitha llojeve dhe terrorizmi nuk janë pjesë e krimit të organizuar. Se të paktën kështu përcakton neni 135/2 i Kushtetutës: “Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar…”
Referuar Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar dhe dy Protokolleve Shtesë të Saj, pa hyrë në hollësi specifike, habitemi se si Komisioni i Reformës neglizhoi përcaktimet e qarta të kësaj Konvente që përcakton çdo lloj trafiku e çdo veprimtari terroriste si krim të organizuar.
Prandaj, atyre që kanë ndërmend të përgatisin “pafajsinë” e Babait të reformës në këtë katrahurë kompetencash të SPAK-ut, duke publikuar argumenta që Xhafa paska qënë dakord me këto sygjerime nga aktorët e sistemit, por s’e dimë kush ia sabotoi punën dhe SPAK-u mbeti vetëm tek 5 mijë lekshat e policëve, duhet t’i rikujtojmë fjalimin e Xhafës në inagurimin e reformës, por me pak ndryshim: “Në mos SPAK? Kush do ta luftojë Terrorizmin dhe Trafiqet? Në mos sot? Kur do t’i luftojmë terroristët dhe tonelatat e drogës?”.
* faksimilet i morrëm nga media borizane Karlos së Rilindjes