Mikrobet janë kudo, ato mund të përhapen lehtë nga një vend në një tjetër nëpërmjet ujit, objekteve, gjallesave dhe grimcave të pluhurit. Gjatë ditës, duart tona janë në kontakt me shumë objekte, të tilla si aparatet telefonike, kartëmonedhat, mjetet e transportit, dorezat e dyerve etj., mbi të cilat janë të fshehura miliona mikroorganizma, disa prej të cilave kanë aftësi patogjene. Gjithashtu, këto mikrobe mund të hyjnë në trup kur duart i çojmë në hundë, gojë, sy, edhe pse janë të padallueshme me sy të lirë për njeriun.
Për më tepër, disa baktere kanë shfaqur një rezistencë të fortë ndaj antibiotikëve, prandaj është i rëndësishëm parandalimi i infeksionit duke i larë duart tuaja tërësisht, veçanërisht për personat me një sistem të dobësuar imunitar (një ftohje banale mund të komplikohet në një bronkit kronik). Është mjaft e rëndësishme që gjithkush ta kthejë në zakon larjen e duarve, në dukje një veprim shumë i thjeshtë, por që shpesh nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Shumë shpërthime sëmundjesh me origjinë nga ushqimet shkaktohen nga duart e palara.
Prania e baktereve dhe viruseve që ndodhen në duart tona mund të shkaktojë grip, sëmundje pulmonare, hepatitin e formës A dhe shumë forma të diarreve. Fakt është që më shumë se 5.000 fëmijë vdesin në ditë, ose 1.7 milionë fëmijë vdesin çdo vit nga çrregullimet diarreike nën moshën 5 vjeç. Larja e duarve, sidomos në momentet më kritike, si përpara ngrënies apo përgatitjes së ushqimit dhe mbas përdorimit të banjës, mund të reduktojë deri në 50% diarretë te fëmijët nën 5 vjeç.
Larja e duarve me sapun mund të reduktojë incidencën apo rastet e reja me infeksion akut respirator në rreth 23%. Larja e duarve, nga vëzhgimet që janë bërë në mbarë botën, është në shifra të ulëta (34 %), sidomos në momentet më kritike. Këto sëmundje janë përgjegjëse për rreth 3.5 milionë të vdekjeve foshnjore çdo vit.