Nga Dr. Ferjolt Ozuni
Pedagog pranë Universitetit Mesdhetar te Shqipërisë
Në një kohe ku gjithë vëmendja është drejtuar – me të drejtë – tek limitimi i infektimeve dhe humbjeve të jetëve nga COVID-19, shumëkush ka drejtuar vëmendjen edhe drejt limitimit të pasojave afatshkurtra dhe afatmesme në ekonominë e vendit, por kryesisht edhe në impaktin që e gjithë kjo situatë do ketë në sipërmarrjet e të gjitha niveleve. Është folur për fasonët, për fabrikat, për dyqanet e supermarketet; është folur dhe diskutuar edhe për turizmin, por shumë pak e kanë drejtuar vëmendjen e tyre nga sektori i transportit të udhëtarëve. Qeveria ka lançuar një plan masash për ti ardhur në ndihmë ekonomisë së vendit dhe veçanërisht biznesit të vogël ku bëjnë pjesë edhe numri më i madh i agjencive turistike në Shqipëri, por industria e turizmit nuk është thjeshtë një agjenci turistike. Për asnjë çast nuk sygjeroj dhe nuk mendoj që ato agjenci – kryesisht vetëpunësimi – të mos ndihmohen në këtë kohë të errët dhe të paimagjinueshme, por në sektorë të veçantë ndoshta, duhet hedhur shikimi pak më tutje se vlera e qarkulluar e një viti më parë; duhet parë pjesëmarrja reale në sektorin ku bën pjesë dhe impakti që kjo pjesëmarrje sjell.
Të gjithë e dimë që nuk mund të funksionojë turizmi pa implikimin dhe pa pjesëmarrjen aktive të të gjithë aktorëve që bëjnë pjese në këtë industri (mes të tjerave, e konsideruar dhe strategjike për Shqipërinë), dhe janë pikërisht kompanitë e transportit të udhëtarëve të cilët janë lënë jashtë dhe nuk janë konsideruar nga ndërhyrja financiare e iniciuar nga Qeveria. Është e vërtetë që ato janë kompani me qarkullim te madh te parave por janë edhe ndër kompanitë më vulnerabël dhe më të prekura nga situata e krijuar nga COVID-19, pasi aktiviteti i tyre është ndaluar totalisht. Ndërkohë që rifillimi i punës së tyre duket shumë i largët, kostot qe sipërmarrësit në fjalë duhet të suportojnë janë të mëdha dhe dëmi i shkaktuar per-total përllogaritet në miliona Euro – këtu, pa llogaritur fitimin e munguar.
Që në fillimet e para të kësaj situate pandemie, u fol se do kishte një impakt të pamenduar në ekonominë botërore – dhe në një interviste televizive ne javën e fundit të Janarit, dhashë alarmin që sektori i turizmit duhet të jetë i pari që duhet të fillojë vetëmbrojtjen por duhet të mbrohet edhe nga shteti në forma të ndryshme. Në atë kohë diskutova rreth humbjeve kolosale që po shihte sektori transporteve në Kinë ku humbjet momentale përllogariteshin në disa dhjetëra miliardë dollarë. Në paralelizimin që i bëra me situatën e transportit rrugor të udhëtarëve në Shqipëri, theksoja faktin që duhen filluar parapërgatitjet për mbrojtjen e këtij sektori në vendin tonë pasi që në atë moment kishin filluar shenjat e para të reflektimit të krizës me anulime masive.
Situata në të cilën gjenden të gjithë sipërmarrësit në sektorin e turizmit është më e vështira në të gjithë historinë e këtij sektori, dhe është më delikate dhe më e vështirë se në çdo sektor tjetër. Kjo, jo vetëm për faktin se të gjithë këta sipërmarrës kane mbyllur totalisht aktivitetet e tyre dhe po humbasin çdo ditë e më shumë nga kjo situate e krijuar, por janë te detyruar edhe të rimbursojnë klientët e tyre për udhëtime te anuluara, rimbursime këto qe janë vështirë për tu rikuperuar nga furnitorët ndërkombëtarë dhe gjithë vëmendjen do e drejtojnë ndaj furnitorëve vendas. Në këtë mënyrë, do tentohet te rikuperohet çdo lloj parapagimi ndaj furnitorëve vendas, dhe në këtë pikë goditen akoma më shumë transportuesit turistikë të cilët, ato pak të ardhura nga parapagimet së bashku me ndonjë te ardhur nga sezoni i kaluar apo kredi, i kanë investuar në mirëmbajtjen apo rinovimin e flotës së tyre. Presioni i ushtruar zinxhir në këtë sektor do te çojë në shkurtimin e shumë vendeve të punës apo edhe falimentimin e një sërë kompanish në këtë sektor gjë që, përveç dëmit të madh financiar, do të sillte edhe një dëm të konsiderueshëm social.
Sot kemi në treg mbi 60 Operatorë (transportues) të Transportit Ndërkombëtar të Udhëtarëve në linja të ndryshme të cilët kanë të punësuar mbi 1300 shoferë, inxhinierë, mirëmbajtës dhe personel administrativ, të cilët janë kryesisht kryefamiljarë. E këtyre u bashkohen edhe rreth 30 Transportues Turistik me të paktën dy mjete të cilët kanë të punësuar mbi 500 persona, po kryefamiljarë kryesisht. Shumë pak prej tyre kanë akses në media dhe shumë pak prej tyre kanë fuqinë e duhur për të ngritur zërin në instancat e duhura me qellim marrjen në konsideratë të mbështetjes së tyre për ti mbijetuar kësaj situate. Kjo gjë i disavantazhon pasi i le këto kompani totalisht në hije dhe në mëshirë të fatit, dhe automatikisht, edhe mbi 1800 familjet e qindra shoferëve, inxhinierëve apo stafit mbështetës të këtyre kompanive do të ngelen në mëshirë të fatit në momentin që pamundësia financiare e sipërmarrësit do ta çojë atë drejt ndalimit të pagesave të rrogave të stafit. Është e vërtetë që për këtë situatë duhet ta ngrenë zërin edhe shoqatat respektive të sektorit, por, nëse në rastin e Transportit Ndërkombëtar të Udhëtarëve shoqata ka probleme në angazhim dhe shuarjen e mosmarrëveshjeve mes anëtarëve, në rastin e Transportit Turistik të Udhëtarëve, nuk ekziston fare një shoqatë – po si rezultat i mosmarrëveshjeve të aktorëve kryesor të këtij sektori.
Duhet theksuar fakti që, nëse agjencitë outgoing nxjerrin jashtë ekonomisë tonë vlera të konsiderueshme çdo vit (mbi 1.5 miliardë Euro në 2018; 24% te totalit te importeve sipas INSTAT), operatorët e Transportit Ndërkombëtar të Udhëtarëve dhe Transportuesit Turistik, në bashkëpunim me agjencitë turistike incoming fusin vazhdimisht para në ekonominë vendase (47% e totalit te eksporteve ne 2018, sipas INSTAT) duke pasur mbi 80% të klientëve shtetas të huaj dhe/ose emigrantë shqiptarë – ne rastin e linjave ndërkombëtare.
Kerkohet një zgjidhje nga Qeveria për lehtësimin e barrës financiare të të gjithë transportuesve duke subvencionuar rrogat e gjithë punonjësve të tyre apo duke i hequr nga detyrimet fiskale dhe tatimore të kësaj periudhe pandemie. Shtyrja e pagesës se detyrimeve nuk do të bënte asgjë më shumë se sa do të zgjaste agoninë e këtyre kompanive pasi duke mos pasur asnjë aktivitet dhe asnjë te ardhur në këto momente, do e kenë të vështirë të paguajnë. Ndërsa fshirja e detyrimeve fiskale të kësaj periudhe do ti bënte këto kompani të pluskonin ende dhe të mbijetonin. Edhe se Kryeministri Rama e hidhte poshtë kategorikisht këtë ide kur u pyet në një nga daljet e tij televizive, mendoj se në këtë sektor kjo do të ishte zgjidhja e duhur. Duke pasur parasysh edhe faktin që është edhe një nga sektorët me amortizimin më të madh për shkak të kostove të mëdha të mjeteve dhe mirëmbajtjes se tyre, në një kohë shumë të shkurtër të gjitha këto kompani do të jenë në pamundësi financiare për të paguar edhe shërbimet më bazike të tyre e jo më të paguajnë rroga, tatime, taksa, siguracione, dokumentacion makine, etj.