Deputeti i Lëvizjës Bashkë, Redi Muçi ka ironizuar nga Kuvendi kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha në lidhje me protestën që vijon prej ditësh kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit në Vlorë.
Ai theksoi se ka një të vërtetë të madhe në thirrjet e protestuesve për të dërguar Ramën dhe Berishën në burg. Ai ironizoi kur tha se qeveria, që iu referua si Sulltanati, i fryn zjarrit se protesta është nxitur nga faktorë të jashtëm, ndërsa PD, që iu referua si kryegjyshata hesht.
“Rendin e ditës e kanë vendosur ata të rinj që kanë mbushur sheshet prej 4 ditësh. Rendi i ditës së sotme është kërkesa për dorëheqjen e një qeverie të krimbur nga krimi e të kalbur nga korrupsioni, kërkesa për shquqizimin e ligjeve grabitqare për investitorët strategjikë, paketën e maleve dhe ndryshimet që i keni bërë ligjit për zonat e mbrojtura. Mos e vazhdoni më këtë teatër patetik.
Nga njëra anë sulltanati që i lëshoi disa nga jeniçerët nëpër media për t’i fryrë zjarrit të komplotit kundër Perandorisë, nga ana tjetër kryegjyshata që ka lënë në gjumë të thellë letargjik, të paqtë dimëror siç i ka hije moshës së tretë. Shqipëria po e lë pas të shkuarën.
Në atë foltore duhet të ishte Rama dhe të jepte llogari për kërkesat e protestuesve. Ndaj të nderuar kolegë ju bëj thirrje që të kërkoni thellë brenda jush se ndoshta zbuloni indinjatën e fjetur dhe sot të flisni për kërkesat e protestuesve. Ka një të vërtetë gjigante në thirjet e protestuesve Rama në burg, Berisha në burg. Kjo e vërtetë do t’ju çlirojë edhe ju nga diktati i Sulltanatit dhe Kryegjyshatës.”, tha ai.










