Nga Marsida T. Najdeni*
Ditët rridhnin si pa kuptuar nëpër rrugicat e Tiranës së dikurshme. Ai dukej sikur kërcente me topin. I shkathët, i shpejtë, i kurdondodhur, driblonte, pasonte, shënonte. Madje, aq me shpirt jipesh mbas ndeshjes sa ishte gati të bënte çdo rrol në lojë.
Ky ishte Gledi Llambi, i qeshur dhe me ballë krenar. Të gjithë fëmijët e lagjes ziheshim kush ta kishte në ekip. Ishte e sigurtë se kush kishte Gledin në ekip do të fitonte. Unë kisha fatin e madh, që rrallë ta kisha kundërshtar. Nuk ka kampionat rrugicash që unë dhe Gledi mos t’ishim në të njëjtin ekip bashkë me Alban Tufinën, Andi Llukën, Bledar Krasniqin, Rubin Dervishin, Genard Kadiun e të tjerë; ishim “ekipi i artë”. Ku ta dinim ne se Gledi kishte gjysh kampionin e madh, Daken e Tironës, Hysen Kusin. Aftësitë dhe talentin Gledi i kishte në gen nga gjyshi tij nga ana e mamasë; por, edhe xhaxhai i tij, i famshmi i viteve ’70-’80 Fori Llambi me ekipin e Tiranës.
Dakja në kohën e tij ishte legjendë, kampion i parë më 1930. Ashtu si Gledi dhe Dakja dekada më përpara në vitet ‘20 do të luante në rrugicat e qytetit. Aq shumë e donin shokët dhe tifozët Hysenin, sa gjithë jetën e thirrën me nofkën e tij. Biles ka ende njerëz, të cilët mendojnë se ai quhesh Dake Kusi.
Kush ishte Hysen Kusi?
Lindi në një familje të vjetër qytetare tiranase më 20 qershor 1912. Familja Kusi bën pjesë në ato fise aq sa intelektuale, aq dhe punëtorë e patriotë. Hyseni u rrit nga një familje e shëndoshë, ku mbizotëronte mbi të gjitha dashuria për njëri-tjetrin. Babai tij, Ismail efendi Kusi ishte ekonomist në komunitetin mysliman. Ndërsa e ëma, Qamile Mara, rridhte gjithashtu nga një familje qytetare tiranase. Çifti pati 6 fëmijë, 4 djem – Ramazan Kusi akademik ushtarak, Abdulla Kusi, i pushkatuar nga komunistët më 1945, i cili kishte shërbyer si kryetar komune i Petrelës, Nazif Kusi, i cili vdiq shumë i ri, fill mbas mbarimit të fakultetit në Milano, Hysen Kusi, i cili jo vetëm një sportist i shkëlqyer, por dhe një ekonomist i mesëm që njihte mirë italishten dhe fërngjishten.
Dy motrat ishin njëra Hajrie Kusi, e cila do të martohej shumë shpejt me Qazim Mulletin, Prefektin e famshëm të Tiranës. Kalvari i vuajtjeve të saj mbas 1944 nëpër internime bashkë me djalin, Reshitin janë histori rrënqethëse. Ndërsa motra tjetër Lutfija do t’i vdiste nuse e re në familjen e mirënjohur Gjinali. Siç shihet fatkeqësitë në familjen e Ismail Kusit nuk ishin të vogla. Fatkeqësi të tmerrshme që rënduan dhe tek Hyseni. Të dhënat që paraqes i kam nga e bija e Hysen Kusit, zonja Mira Kusi, me të cilën kam biseduar dhe kërkuar gjatë.
Sipas të bijës së Dake Kusit, babai saj ka luajtur futboll profesional nga mosha 17 vjeçare deri në vitin 1936, ku vetëm 24 vjeçar e la sportin dhe punoi si ekonomist i mesëm. Në librin “Tirana Personalitete” të Shoqatës Tirana në faqen 53 mësojmë se Hyseni shkollimin fillor e kreu në Tiranë. Më pastaj, ndoqi gjimnazin e famshëm “Zosimea” në Greqi. Kishte një rreth shoqëror të madh dhe kudo la emër të mirë. Dakja ishte shumë i dhënë mbas futbollit dhe e luante qysh në vogëli. Ai u rrit duke parë ndeshjet e ekipit të Tiranës në fushën e Shallvares gjatë viteve ‘20. Ishin vite, të cilat do të linin mbresa në formimin e tij, edhe kështu vetëm 17 vjeçar do të bëhej pjesë e ekipit të Tiranës. Talenti i tij ra në sy menjëherë, prandaj nuk ngurroi kush ta merrte pranë skuadrës, megjithëse në moshë fare të re. Qysh herët mori dhe nofkën Dake, kuptimin e gjejmë tek karakteri i Hysenit. Ai nuk ishte shtatlartë, por i guximshëm dhe energjik. Nuk i trembej asnjë dueli në fushë dhe kurdoherë i pari në stërvitje. Pra, pamvarësisht se s’qe mbase i madh në trup, ai ishte i madh ne karakter dhe shpirt, i fortë si një dake. Nuk lodhej sa në mbrojte dhe në mesfushë. I bëhej kundërshtarit si pullë poste. Jepte shpirtin dhe zemrën për fanellën, prandaj nuk habiteshin tifozët, kur e shikonin ndonjëherë dhe në sulm. Dake Kusi i përket plejadës së artë të futbollit tiranas dhe atij shqiptar. Ishte ndër ata që vuri themelet e para të një futbolli profesionist në Shqipëri. Ai bashkë me Tiranën në vitin 1930 fituan kampionatin e parë të futbollit shqiptar. Nga studiuesi dhe gazetari sportiv Besnik Dizdari kam mësuar që Hysen (Dake) Kusi është ndër të parët (në mos i pari) lojtar shqiptar, i cili do të huazohej me kontratë sportive me pagesë nga SK Tirana për tek SK Teuta në vitin 1934. Tek Tirana Dakja luajti përkrah emrave të mëdhenj si Selman Stërmasi, Irfan Gjinali, Adem Karapici, Rexhep Maçi, Shefqet Ndroqi, Isuf Dashi e të tjerë. Ndërsa tek Durrësi do të krijonte një miqësi shumë të ngushtë me të madhin Niko Dovana. Duke parë emrat e ekipit të Tiranës vetëkuptohet se jo më kot Tirana e atyre viteve do të fitonte 6 kampionate në vitet ‘30-të. Dake Kusi do t’qe fitues i katër prej këtyre kampionateve më 1930, 1931, 1932 dhe 1936. Tironën e zemrës nuk e harroi deri ditën e fundit të jetës. Nuk qe rastësi, që Tirana u shpall Kampionia e Parë në historinë e Federatës tonë. Hysen Kusi ka hyrë në histori për t’u mos harruar asnjëherë nga brezat që ishin dhe do t’vinë.
Jeta e Hysenit nga kampion i parë në Kënetën e Maliqit
Dhe pse ishte 10 vjet më i madh se ajo, goca tironse, Ikbale Cullhaj e kishte ndjekur Hysenin, kur luante futboll tek Fusha e Shallvares. Ajo i ka treguar të bijës se kur ishte 14 vjeçare shkonte bashkë me kushërirat për të parë futboll dhe aty e kishte parë Hysenin për herë të parë. Çifti do të fejohej në vitin 1942. Asikohe tradita e kërkonte që fejesa të zgjaste më e pakta 2 vjet. Nuk arritën ta shijojnë njëri-tjetrin se erdhi 1944 bashkë me peripecirat që e tronditën çiftin. Siç thashë dhe më lart Hyseni s’qe marrë kurrë me politikë, por të ishe kunati i Qazim Mulletit nuk vinte pa çmim në Shqipërinë komuniste. Dhe pse nuk kishte marrë pjesë në asnjë organizatë, edhe pse kishte qenë thjesht një ekonomist i mesëm në Bashki, edhe pse nuk kishte aderuar kurrë me asnjë parti politike, edhe pse jeta për të ishte vetëm sporti, u pa gjithësesi si armik. I pushkatuan vëllain Abdullain, po ashtu e motra, Hajrie Kusi, do përfundonte bashkë me të birin, Reshit Mulletin e vogël, në të gjitha kampet e internimit.
Në 17 Nëntor të 1944 e morën pushtetin komunistët dhe s’pritën fare, më 21 Janar 1945 e arrestuan Hysen Kusin. Për tre muaj e mbajtën në birucë, i bënë torturat nga më çnjerëzoret, teksa priste ditën e gjyqit, gjyq i thënçin. Ngulte këmbë se nuk kishte bërë asgjë kundra popullit të tij. Më 28 prill 1945, me vendim nr. 33, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi si “kriminel lufte” me 10 vjet burg, punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtave civile-politike, baras me kohën e dënimit. Në vitin 1946 Hysenin do ta dërgonin me punë të rëndomtë për të tharë Kënetën e Maliqit. Siç dhe tregojnë dëshmitarët: “Atë Kënetë e kemi tharë me gjak!”.
Hyseni u mbyll fort në vetvete nga torturat dhe kushtet mjerane. Ushonjzat ia thithnin gjakun pa pushim dhe puna e rëndomtë pa u ushqyer la pasoja shëndetësore tek ai. Mbas 5 viteve në gjendje të rënduar doli nga burgu. Edhe pse i tjetërsuar, ajo vajza tironse e priste, e donte, e përqafoi pranë vetes. Në vitin 1950 u martuan të dy, 8 vjet mbas shpalljes së fejesës. Martesa solli në jetë dy fëmijë; Mirën dhe Ismailin, por vetë martesa s’do të qe e shëndoshë. Ana shëndetsore dhe psikologjike e rënduar e Hysenit nga fatkeqësitë e vuajtjet e shumta lanë pasoja dhe tek gruaja e fëmijët. Ai vdiq vetëm në moshën 62 vjeçare nga kanceri. Një çift i shkatërruar, një familje e vuajtur, fëmijë që u rritën e jetuan me frikë, kur ishin krejt të pafajshëm.
Falenderimet e mia personale për Mira Kusi, e cila në këto muaj më ndejti pranë për ta mbaruar këtë shkrim modest nga ana ime. E shkruajta me shumë dashuri dhe mirënjohje. Ia dedikoj zonjës Ikbale (Cullhaj) Kusi.
* 15 Janar 2020 – 28 Mars 2020
In Memoriam për Gledin!