Shkruan Edibe Selimi Osmani*
Këngë për Ditë Vere
Trandafilin në ferrë (2 herë)
Çe na erdh lumja Verë, oooih!
Vera erdh’ e shkaj,
Mulleza nuk pushoj,
Vera jerdh’ e shkaj,
Shyshja nuk kindoj, oooih!
Vera jerdh’ e shkaj,
Shyshja nuk pushoj,
Trandalin në kaç
Tre jarana pash,
Besën s’un ua dhashë,oooih!…
Mitologjia shqiptare, së cilës i duhen shtuar shtresimet e më vona të feve (krishterë-ortodokse e islame), ruan gjurmët e lashta të besimit popullor pagan. Nëpërmjet tyre populli shqiptar shfaq botëkuptimin pagan ndaj jetës. Në fshatrat e këtyre dy trevave shënuam disa rite me rëndësi të Ditës së Verës, të cilat edhe popullata e vendeve me besimtarë myslimanë i ruan me xhelozi.
Në disa fshatra të Komunës së Gostivarit dhe të Tetovës, ritet e Ditës së Verës në krahasim me ritet e Shën Gjergjit janë më të zbehta dhe po vijnë duke u zhdukur. Kurse në fshatrat e Dervenit më karakteristike janë ritualet e Ditës së Verës se ato të Shën Gjergjit.
Në fshatrat Sërbinovë, Qafë, Tërnovë, Strajan dhe Padalisht (komuna e Gostivarit) ritet të Ditës së Verës i hasim edhe sot në terren. Sipas gojëdhënave që shënuam në këto fshatra në këtë ditë fshihen mjetet e punëdorës së femrave; ato kyçen në arkën e drurit me dry. Kur i pyetëm fshatarët pse veprohej kështu, na thanë “që t’mshilen (mbyllen)” gojat e hasmit, mos bëjnë shpifje në familje, t’dryhet goja e xharpnit, mos i kafshojë njerëzit e kafshët shtëpiake”.
Të njëjtën ditë, para se të fshihen mjetet e punëdorës, e zonja e shtëpisë, për çdo anëtar të familjes, përgatit silmikeshë (pej i leshtë dyngjyrësh, bardh e kuq, i dredhur). Në të varet një pjesë e vogël e kungullit të egër dhe një thelb hudhre (larca, verore).
Po, në fshatrat e lartëpërmendura, amvisat herët në të gdhirë sjellin ujë taze nga kroi i fshatit në shtëpi. Ata stërpikin oborrin dhe shtëpinë.
Besimi pagan në ujët e shenjëtuar të natyrës: lumit, të përroit, të kroit, të burimit edhe te popullsia e Maqedonisë, nuk është vetëm një kujtim nga historia e të parëve, por është edhe një besim i gjallë e aktiv, besim alternativ e bashkëshoqërues i të gjitha feve që kanë njohur shqiptarët.
Ditën e Verës, herët në mëngjes gatuajnë silpejten (lloj flije) që e hanë së bashku në sofër anëtarët e familjes. Sofra vendoset në oborr, në vendin ku bëhet edhe shirja e të lashtave, pastrimi i groshës e i drithrave. Nën sofër rradhiten në formë kryqi duajt e kashtës së thekrës, me të cilën i zoti i shtëpisë, pasi hahet silpejtja (flija), lidhet çdo pemë që i jep fryte. I zoti i shtëpisë, përveç duajve të thekrës, merr edhe sopatën, i afrohet pemës, e prek me sopatë dhe gjatë kohës që e lidh tri herë, veprimin e përcjell me fjalët: “A de, bojsh me kal, a me thes, a të t’pres?”. Gjatë shqiptimit të fjalëve lidhen tre nyje me kashtë. Është e kuptueshme se ushqimi te lëmi, në origjinë, është një flijim për tokën e bukës, për të bërë që ajo të ketë forcë për të prodhuar vitin e ardhshëm.
Zakoni i mbajtjes së kashtës nën sofër, duke e krahasur me një fenomen të tillë në popujt të Evropës e të Ballkanit në veçanti, ka të bëjë me një lloj lëmi ritual. Kuptohet që bëhej me qëllim që demoni i drithit, i cili përfaqësohej në këtë kashtë t’u jepte forcë e mbarësi bereqeteve e në përgjithësi prodhimeve në këtë familje.
Në fshatin Orçush, Reçan, Raven, Vërtok (komuna e Gostivarit) bëhen të njëjtat rite. Në këto fshatra, herët në mëngjes, e zonja e shtëpisë merr sopatën, në dorën tjetër këmbanën, prek pemën me sopatë dhe thotë: “A ta pres, a më e pres?”. Vetë përgjigjet duke i ra këmbanës: “Mës e pre, se dë boje me kal e me thes”.
Në vigjilje të kësaj dite, vajzat shëtisin në natyrë, sjellin lule dhe gjelbërime. Për darkën e natës së Ditës së Verës, hahet flija. Kur mbarojnë me ushqimin e zonja e shtëpisë i bie sofrës me pallë druri tri herë dhe thotë: “Më n’aj shkunde era pemët” (Të mos na i shkundë era pemët).
Çdo familje zien kokrra misri me hi, duke menduar që gjatë vitit anëtarët e saj do të mbrohen nga sëmundje të ndryshme. Është e pamundër t’i përfshijmë të gjitha ceremonitë rituale , do t’i veçojmë disa nga ato. Gjatë kësaj të kremteje në fshatrat Debresht, Vrapçisht, Toplicë dhe Negotinë, nuk punohet punë dore.
Në fshatrat e Dervenit të Tetovës, amvisat na thanë se Ditën e Verës është keq që tundësi të rijë zbrazur. Duhet tundur dhe dhalla e mandej shpërndahet te të afërmit dhe fqinjët. Tundësja kujdeset për fëmijët që kullosin bagëtinë ajo ju jep nga një lugë kos “që të mos i munde qyqja”…
* Marrë nga vepra “Rite e Besime popullore në viset e Tetovës dhe të Gostivarit”, Edibe Selimi-Osmani, botuar në Shkup 1997, faq.36-54.