Nga Fahri Xharra
Historia e ynë e mohuar, e vjedhur dhe stërkequr është mbi dhe, kurse ajo e vërteta është nën dhe e edhe nën ujë; asaj duhet t’i japim krahë dhe guxim që të flasë. Ajo duhet të flasë shqip, që të tregojë të gjithë vërtetën e saj, e cila e ngërthen në vete me mijëra vjet. Të shkojmë radhazi deri te Lumi Neretva, dhe në deltën e saj buzë Adriatikut. Atje janë gjetur prova që e kërkojnë domosdoshmërisht rishkrimin e historisë sonë e me këtë edhe asaj të Ballkanit.
Në lumin Neretva kanë rrjedhur sasi të panumërta të ujit dhe nën rrjedhë e tij janë fshehur faktet, të cilat i japin sharm edhe një herë asaj kohe ku zhvillohej jeta e të parëve tanë.
Desilo, quhet sot një luginë e vogël në Bosnën dhe Hercegovinën jugore, e ndërtuar afër Lumit Neretva. Në një liqe të vogël aty (2007) janë gjetur të fundosura anijet ilire. Me siguri që në antikuitet (lashtësi), Desilo ka qenë e lidhur me Neretvën nëpërmjet Liqenit Hutovo Blato. Sikur të kthehemi pas në histori e që është qëllimi, atëherë na del që Neretva në lashtësi është quajtur Narenta, Narona dhe Naro (Archeological Museum of Narona, The Ancient City of Narona, Neven Kazazovic, Tajne Neretve) dhe ishte shtëpia e Ilirëve të vjetër, të fiseve Ardiane dhe Daorsëve (John Wilkes, “The Illyrians”).
Ilirët rritnin dhe tregtonin bagëtinë, kuajt, të mirat bujqësore dhe të mirat e artit të bëra nga hekuri dhe bakri i vendit të tyre. Edhe prodhimin e armëve e kishin për dore. Këshilli i të vjetërve (pleqësia) e zgjidhte udhëheqësin, i cili i kryesonte fisin e vet. Kohë pas kohe udhëheqësit e rritnin ndikimin e tyre mbi fiset tjera dhe i bënin mbretëritë. Gjatë shekullit të V-të para Krishtit, fiset e zhvilluara mirë shtriheshin edhe në veri, në veri të lumit Sava e që sot është Slovenia. Edhe në Lublanën e sotme gjënden gjurmat bindëse të ilirëve (The Library of Congress – Country Study 1992). Ilirët e bënin tregtinë me fqinjët me bakër, asfalt dhe argjend të nxjerrur nga malet e tyre, me verë, djathë, vaj ulliri dhe peshk.
Në Austri, Ilirët e nxjerrnin krypën në vendin Gmuden (viti 1000 para Krishtit), ku edhe i kishin humbur minierat e argjendit të Oberzeiringut (Austri, viti 900 para Krishtit) duke kaluar ato në duar të keltëve. (Harry Mountain, The Celtic Enciclopedia ,Volum I. faqe 83) Në shek e VIII-të kultura ilire e rikapi lulëzimin e saj në brigjete Adriatikut të Gadishullit të Ballkanit me qendër në Glasinac (afër Sarajevës), si dhe në Koman dhe Mat në Shqipëri.
Në Enciklopedinë e keltëve gjithashtu lexojmë se të mirat tregtoheshin dhe eksportoheshin nëpër Hallstat (Austri) në kohën e Kulturës La Tène ( Kultura La Tène ishte e kohës së hekurit e emëruar sipas vendit La Tène, në veri të Liqenit Neuchâtel në Zvicër) dhe ilirët kishin ndikim shumë të madh në këtë kulturë (Harry Mountain, The Celtic Enciclopedia, Volum I. faqe 83).
Hulumtimet e para të regjistruara në lumin Narona datojnë që nga viti 1877, të cilat i udhëhiqte Muzeu Arkeologjik i Splitit (Kroaci), kurse monografinë e parë për Naronën dhe rezultatet e hulumtimeve arkeologjike në këtë zonë i publikoi arkeologu austriak Karl Patsh në vitin 1907 (Të shëtisim nëpër këto vite dhe le të përkujtojmë luftën tonë për mbijetesë si komb). Hulumtimet kishin vazhduar edhe në vitet e ’50, ‘60, ‘70, ‘80-ta. Zbulimi më i rëndësishëm ishte i vitit 1956, kur u gjet Tempulli Augusteum n’lokalitetin e Plećašove štale, dhe në të gjetja e 17 statujave të mbretërve “romakë” dhe anëtarëve të familjeve të tyre.
Luftërat ilire të viteve 229 dhe 219 para Krishtit e sollën sundimin romak mbi vendbanimet ilire të Luginës së Neretvës. Në vitin 168 para Krishtit u zu rob nga pushtuesit romakë edhe Mbreti Genti në Shkodër dhe u dërgua në Romë (165 para Krishtit) …dhe filloi përveç zhdukjes fizike edhe falsifikimi i historisë ilire, gjë që vazhdon edhe në ditët e sotit.
Por jo; (përveç tjerash edhe kjo):
Arkeologu Adam Lindhagen PhD në Universitetin e Lundit i specializuar në amforat romake të verës (thuase vetëm romakët e njifnin verën?) tha se “zbulimi më i madh i të gjitha kohërave në lokalitetet ilire ishte “Anija a parë tregtare ilire” e gjetur (The world’s first Illyrian trading post found). Pse e para? Ku humbën të tjerat që u përvetësuan nga romakologët dhe grekologët?
Ilirët si popull i vjetër që ishin …nuk i luftuan vetëm kolonistët grekë dhe pushtuesit romakë, por zbulimet arkeologjike tregojnë që ilirët bënin edhe tregti paqësore me romakët thotë Marina Prusak, profesore në Universitetin e Oslos. U gjet dhe u zbulua se Desilo (në brigjet e Neretvës) ishte qendër e madhe tregtare dhe shumë e rëndësishme për kontaktin në mes të ilirëve dhe romakëve. U zbuluan mbi 30 anije të fundosura tetë metra nën nivelin e ujit të Neretvës , anije ilire të mbushura me amfora me verë.
“Zbulimi ynë është i rëndësishëm për të kuptuar identitetet kulturore në Ballkan në kohërat e lashta” (Marina Prusac, University of Oslo).
Që ilirët janë prodhuesit e parë të verës nuk ka asnjë dyshim, sa për prejardhjen tonë ilire është turp të diskutohet në shekullin e sotëm. Gjithashtu e dimë që ilirët bënin verë me mjaltë dhe atë shumë më herët se gjermanët, francezët e popujt e tjerë të botës dhe gjithë këta popuj mësuan nga ilirët se si bëhet vera dhe birra.
Sa për ilustrim: Pas një fitoreje të madhe ndaj romakëve, Mbreti Agron bëri festë të madhe, të ftuarit ishin të shumtë, ndër ta ishte edhe një mik gal. Festa ka zgjatur disa ditë dhe është shtruar verë mbretërore me mjaltë. Pas kthimit në Gali në kujtimet e tij ai shkruan: “Kam pirë një pije shumë të mirë që ne galët nuk e njohim e që në Iliri e quanin “verë” (Ilir Shallo).
Lumi Neretva është i njohur që nga parahistoria, i cili e lidhte brendësinë e Ilirisë me Mesdheun. Zhvillimi i hovshëm i qyteteve në brigjet e këtij lumi ishte si pasojë e zhvillimit të madh të tregtisë dhe se e gjithë kjo ishte në suazat e fisit ilir të Daorsëve.
Për anijet ilire deri më tani dihej vetëm nga burimet romake dhe ato greke, kurse vjetërsia e anijeve të gjetura në Bosnje Hercegovinë vlerësohet në 2200 vjet, me përmasa 12 me 4 metra, të cilat shërbenin për bartjen e verës. Me zbulimin e fundit zonja Marina Prusac thotë: “Historia e Ballkanit duhet të rishkruhet” (So Balkan history must now be rewritten!).
Pra, historia e jonë e dhe e tërë Ballkanit duhet të rishkruhet, por jo sipas dëshirës së turqve.