Shqipëria është përfshirë gjatë natës nga temperatura të ulëta dhe reshje bore në disa zona. Reshjet e borës kanë përfshirë pjesën më të madhe të qarkut të Dibrës, Korçës e Elbasanit.
Sipas informacioneve të marra nga banorët, fshatrat e disa njësive janë të bllokuara dhe nuk ka lëvizje të furgonëve të fshatrave nga bllokimi i rrugëve rurale. Në disa zona ka dhe mungesë të energjisë elektrike, ndërsa në rrugën nacionale lëvizet pa problem Burrel-Peshkopi. Njësitë më problematike janë Lura, Kalaja e Dodës, Arras, Trebisht, disa fshatra të njësisë Zerqan janë të bllokuara dhe Tërnova e Madhe dhe Tërnova e Vogël ku lartësia e borës shkon nga 30-40 cm.
Në Korçë, reshjet e borës kanë nisur prej orës 4 të mëngjesit. Trashësia fillon qeë nga 2 cm në qytet deri në 10-15 cm në zonat e larta malore. Deri në këto momente nuk ka probleme në qarkullim pasi që prej mëngjesit po punohet me kriposje nga firmat kontraktore.