Kuvendi nuk është mbledhur sot në seancë plenare por në komisionet e përhershme po diskutohet intensivisht për p-ligjin kundër shpifjeve që prek legjislacionin e medias dhe atë të komunikimeve elektronike.
Ndryshe nga vitet e kaluara kur seancat plenare mbaheshin rregullisht të hënën dhe të enjten, në sesionet e fundit Kuvendi mblidhet vetëm të enjten madje disa herë seancat janë zhvilluar një herë në dy javë.
Dy komisionet e përhershme, ai për Integrimin Evropian dhe për edukimin dhe mjetet e informimit kanë në axhendë seanca dëgjimore me palët e intersit ndërsa ditën e mërkurë përfaqësuesit e shoqatave të medias kanë kundërshtuar ashpër ndryshimet ligjore. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe OSBE që për ironi të fatit vitin e ardhshëm do të drejtohet nga nismëtari i ndryshimeve ligjore kundër shpifje, kryeministri Rama.
Qeveria: Pse po e ndryshojmë ligjin e medias
Në relacionin e ndryshimeve ligjore shkruhet se hartimi i këtij projektligji është diktuar nga nevoja për të reflektuar ndryshimet e propozuara në ligjin nr.97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, në lidhje me rregullimin e shërbimeve të publikimeve elektronike, për shkak të rritjes së impaktit të tyre në aspektin social, kulturor, ekonomik dhe politik të shoqërisë shqiptare, një fenomen që haset gjerësisht edhe në vendet e tjera.
Mediat elektronike (on-line) janë një trend në rritje, të cilat po shmangin dhe po zëvendësojnë mediat tradicionale, për shkak edhe të lehtësisë së aksesit së çdo individi dhe përdorimit të portaleve on-line nga një numër i pakufizuar personash.
Për të mbrojtur veçanërisht dinjitetin dhe reputacionin e individit, të miturit nga përmbajtjet e dëmshme dhe të gjithë qytetarët nga nxitja ndaj urrejtjes, dhunës etj. propozohet amendimi i këtij ligji, si një nismë e domosdoshme mbështetëse për zbatimin efikas të ligjit për mediat audiovizive, e cila parashikohet të përfshijë në objektin e tij edhe rregullimin e mediave elektronike.
Ndryshimet e shpejta që po ndodhin në shoqëri, si në fushën e teknologjisë, shkencës, ekonomisë dhe kështu me radhë, kanë ndikim edhe në krijimin e normave të reja ligjore që nuk janë parashikuar më parë. Në momentin e miratimit të ligjit për komunikimet elektronike në vitin 2008, roli i teknologjisë dhe internetit në përhapjen e informacionit nuk ishte në dimensionet që ka arritur sot informimi nëpërmjet portaleve on-line.
Në këto kushte, duke mbajtur në fokus veçanërisht influencën e portaleve on-line, gjatë viteve të fundit është e nevojshme që të ndërmerret kjo nismë me qëllim që zhvillimet teknologjike sociale etj të ecin paralelisht me evoluimin e kuadrit ligjor.Gjithashtu, vlen të theksohet që pavarësisht nga ndryshimet e propozuara, ky projektligj në asnjë dispozitë të tij nuk cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e tregut të medias audiovizive dhe elektronike, por synon përcaktimin e disa rregullave dhe vendosjen e disa standardeve etike në mënyrë që të respektohen dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut, si dhe të përmirësohet cilësia e informimit dhe e diskursit publik.
Shoqatat e medias, të gjithë kundër ligjit
Prej dhjetorit të vitit të kaluar, qeveria e kryeministrit Edi Rama shpalli synimin për t’i vendosur mediat online në një regjim kontrolli, duke marrë kritika nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes dhe të të drejtave të njeriut. Në një dëgjesë publike në Komisionin e Medias të mërkurën, draftet u konsideruan sërish si ligje censure nga gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gazetarja Mimoza Koçiu, përfaqësuese e shoqatës së “Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë” u kujtoi deputetëve të komisionit se kishin përballë një koalicion të madh gazetarësh vendas dhe ndërkombëtarë dhe u bëri thirrje atyre që t’i rrëzojnë dy projektligjet. “Pluralizmi i mendimit është vendosur në Shqipëri në vitin 1991 me themelimin e Rilindjes Demokratike. Mos e cënoni atë 30 vjet më vonë,” tha Koçiu.
Gazetari Ylli Rakipi, i paditur së fundmi dy herë për shpifje nga kryeministri, i kritikoi projektligjet si totalitare dhe e konsideroi këmbënguljen për t’i miratuar ato si nismë personale të Edi Ramës.
Drejtoresha ekzekutive e BIRN Albania, Kristina Voko theksoi në fjalën e saj se procesi ka qenë i mbushur me paqartësi dhe se Këshilli i Ministrave nuk është konsultuar me askënd në fazën e hartimit të drafteve. Voko hodhi poshtë edhe pretendimet mbi modele të huaja duke i konsideruar projektligjet të pangjashme me asnjë vend demokratik.
“Ne i kundërshtojmë dy projektligjet në tërësi, pasi nuk pranojmë që AMA dhe AKEP, dy institucione që kritikohen në të gjitha raportet për varësi politike të kenë kontroll mbi përmbajtjen e medias online,” tha Voko, duke i konsideruar ato si ligje censure.
Aleksandër Çipa nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkoi anulimin e të dyja drafteve, duke u shprehur prerazi kundër çdo lloj arnimi. Ndërsa pranoi edhe defektet e medias, Çipa theksoi se ligjin duhet ta bëjnë gazetarët përmes mekanizmave të vetërregullimit dhe jo qeveria.
Kritika për censurë dhe shkelje të lirisë së medias adresuan edhe pedagogu Elvin Luku nga Medialook dhe gazetari Artan Rama. “Gjobat janë shumë të larta dhe do t’i çojnë mediat online drejt mbylljes,” tha Luku, duke e konsideruar gjithashtu të rëndë ekzekutimin e tyre përpara ankimit në gjykatë. Ndërsa Artan Rama tha se projektligjet i japin goditjen përfundimtare vetërregullimit në Shqipëri dhe u kujtoi deputetëve misionin e gazetarëve.
“Është detyrë e medias të kontrollojë qeverinë dhe kurrsesi e qeverisë të kontrollojë median,” përfundoi Rama./monitor