Kryetari i opozitës, Lulzim Basha prej disa ditësh ndodhet jashtë vendit, ndërsa sot ka marrë pjesë në Kongresin e Kristian-Demokratëve në Gjermani, ku ka treguar se ka pasur fatin që të takojë dhe personalitetet më të larta të CDU-së.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Basha tha se në kongres ka folur dhe për planin e Bundestagut, me 9 pika për Shqipërinë, e cila sipas tij do ti jepte fund krizës politike.
“Dje kam pasur rastin të bisedoj nga afër me zyrtarë të CDU-së. Sot pres të takohem me ministren e Mbrojtjes, ku në fokus të bisedave ka qenë së pasi çështja e integrimit të Shqipërisë dhe hapja e negociatave. Plani me 9 pika dhe udhërrëfyes për nxjerrjen e Shqipërisë nga kriza. Jam shumë optimist dhe nga Lajpcigu do të kthehemi me zemrën dhe duart plot sa i takon planit për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza dhe për ta futur Shqipërinë në rrugën e zhvillimit”, pohoi Basha.
“Dua të ndaj me ju një lajm të mirë që dje dhe sot ka qenë në fokus plani ekonomik i PD. Është hartuar me ndihmën e ekspertëve të kristiano-demokratëve gjermane. Ne vazhdojmë bashkëpunimin me ta, sa i takon dhe investimeve gjermane në vendin tonë”,tha më tej kryedemokrati.