Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia Rrugore ka ndërmarë një aksion “Tispol” gjatë të cilit katër shoferë janë arrestuar për drejtim të mjetit në gjendje të dehur ndërsa 30 të tjerë nuk kanë qenë të pajisur me leje drejtimi.
Gjithashtu sipas njoftimit të policisë janë vendosur edhe 2078 gjoba për shkelje të ndryshme.
Kontrollet janë përqëndruar në parandalimin e ngjarjeve rrugore që shkaktohen kryesisht nga drejtimi i mjeteve pas përdorimit të pijeve alkoolike apo në gjendje të dehur, nga drejtimi i mjetit pa leje drejtimi, nga drejtimi i mjeteve pa rrip sigurimi, si dhe në ndëshkimin e atyre drejtuese të mjeteve që përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit dhe drejtuesve të motoçikletave që nuk vendosin kaskën mbrojtëse.
Një vëmendje e veçantë po i kushtohet kontrollit teknik të mjetit dhe shpejtësisë tej normave të lejuara dhe parakalimeve të gabuara që janë rrezik potencial për aksidente rrugore.
Kontroll po ushtrohet edhe ndaj drejtuesve të biçikletave, me qëllim që ata të pajisin biçikletat me sinjalet zanore dhe me sistem ndriçimi për natën.
Gjithashtu, nga kontrollet parandaluese, u konstatuan me radar 36 drejtues mjetesh, të cilët qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, si dhe janë proceduar administrativisht me sanksion plotësues 338 drejtues mjetesh dhe motomjetesh.
Janë vendosur 202 masa për përdorim celulari gjatë drejtimit të mjetit, të cilat evidentuar nga kontrollet e kombinuara me punonjës policie civilë.
302 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 292 për parakalime të gabuara, 62 për mosvendosje të kaskës mbrojtës, ndërsa pjesa tjetër prej 877 masash administrative për shkelje të ndryshme.
Policia Rrugore është e angazhuar maksimalisht në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë.
https://streamable.com/zd1mf