Luajti 9 ndeshje dhe shënoi 6 gola, që në gjashtëmujorin e fundit po shkëlqen në një ligë jashtë vendit, është pa dyshim 22-vjeçari Endri Çekiçi.
Pas një 4-vjeçari në Kroaci si pjesë e Dinamo Zagreb dhe Lokomotiv Zagreb, fantazisti me origjinë nga Pogradeci u transferua në pjesën e dytë të sezonit të kaluar te një klub i madh slloven si Olimpia Ljubjana. Sezonin 2019-2020 e nisi duke qenë në fushë si titullar në kampionat, ku i mjaftuan dy javë për të gjetur golin e parë.
Statistikat janë të gjitha në favor të fantazistit, me një ecuri fantastike në të gjitha kompeticionet, mirëpo as këto nuk e bindën trajnerin e Kombëtares, Edi Reja, për ta grumbulluar në dy ndeshjet e luajtura në qershor kundër Islandës dhe Moldavisë.
Por, çfarë duhet të bëjë më shumë një lojtar për të merituar ftesën në Kombëtare?! Aq më tepër që në rolin e një sulmuesi të dytë, tipik fantazist, te kuqezinjtë ka kohë që nuk është një futbollist me karakteristika të tilla. Në Kombëtare kujtohet ende Ervin Skela, ishkapiteni kuqezi që në rolin e një “regjisori” me cilësitë që kishte bënte diferencën.
Tashmë shtatori po vjen dhe i mbetet Edi Rejas për t’i dhënë një shans lojtarit shqiptar më në formë që luan në kampionatet europiane. Me siguri italiani nuk do ta nënvlerësojë nivelin e kampionatit slloven, aq më tepër që me zgjedhjet që ka bërë, ka treguar se nuk është nga ata që paragjykon.
Shqipëria luan më 7 shtator ndaj Francës, ndërsa tri ditë më pas kundër Islandës në “Elbasan Arena”. Me siguri lista është përpiluar, por sërish duket se dilemat mbeten për Çekiçin, por duhen edhe pak ditë të konfirmohen zyrtarisht ftesat. Gjithçka mund të ndodhë…/ Panoramasport