Lideri i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me qytetarët e Dibrës.
Në fjalën e tij Basha u shpreh se prioriteti kryesor i PD-së është zgjidhja e problemeve jetike per çdo shqiptar, referuar krizës ekonomike që ka kapur çdo familje. Basha tha se për vendin është jetik ndalimi i projektit të Edi Ramës për shpopullimin e Shqipërisë.
“Sot kriza ekonomike është problem numër 1 për çdo familje shqiptare, ndaj dhe prioriteti numër 1 për ne demokratët është t’i japim zgjidhje problemeve jetike për çdo shqiptar. Ta bëjmë këtë një orë e më parë dhe të ndalim zbrazjen e vendit, spastrimin e Shqipërisë nga shqiptarët e ndershëm, projektin më të zi të Edi Ramës.
Dy herë janë spastruar shqiptarët në histori: nga Sllobodan Millosheviçi në Kosovë dhe janë 400 mijë shqiptarë të spastruar nga regjimi kriminal i Edi Ramës, të spastruar nga politikat e represionit, të terrorit, të shpunësimit, të gjobave, të rritjes së kostos së jetës, rritjes së çmimeve.
Ne jemi të vendosur ta ndalim këtë projekt- theksoi lideri i opozitës, i cili u shpreh se mbështetja me investime është projekti më i mirë për ndaljen e shpopullimit. ‘Nëqoftëse projekti i Edi Ramës është shpopullimi i Shqipërisë, ne do të kemi projekt kryesor ndaljen e këtij projekti, mbështetjen e Veriut me investime, me rritje ekonomike, politika punësimi dhe t’i japim dorën biznesit të vogël, të rihapim shkollat dhe universitetet e mbyllura, për ta kthyer Shqipërinë në shinat e rritjes ekonomike”, – deklaroi kreu i opozitës.
Lideri i opozitës u shpreh se referendumi “Rama ik” i 30 qershorit ndodhi në kushtet kur Shqipëria është në kolaps total ekonomik për shkak të babëzisë dhe hajdutërisë së Edi Ramës.
“Kjo qeveri është një bande që i është vërsulur buxhetit të shtetit, pasurive të shqiptarëve dhe ka kthyer çdo institucion të shtetit në një instrument vjedhjeje, duke nisur me Parlamentin e duke përfunduar me drejtorinë më të fundit të Shqipërisë”,- tha kryedemokrati.
Në takimin me demokratët e Dibrës, shprehu vendosmërinë e tij dhe të opozitës për të shndërruar shumicën e 30 Qershorit ‘Rama ik’ në shumicë qeverisëse për vendin.
“Vetëm 2 vjet e 6 muaj pas masakrës elektorale të 2016 në Dibër dhe asaj të 2017-ës në të gjthë vendin, shqiptarët kanë dhënë mesazhin më të qartë me braktisjen dhe refuzimin total të regjimit kriminal dhe të korruptuar të Edi Ramës me 30 qershor. 85 përqind refuzim. Është sinjali më i qartë se shqiptarët kanë kryer punë me këtë regjim, se duan ta largojnë një orë e më parë. Është thirrja dhe kushtrimi i shqiptarëve dhe i dibranëve për ndryshim”, u shpreh Basha.