Në prag të zgjedhjeve lokale, vendi duket se është zhytur edhe në një krizë konstitucionale me mungesën e Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese në Shqipëri mbeti jashtë funksionit dhe e mbyllur përkohësisht, pasi nga nëntë anëtarët e saj, tre janë dorëhequr ose kanë mbaruar mandatet, katër janë rrëzuar në procesin e vetingut (verifikim apo kontroll i detajuar për zyrtarët publikë) dhe vetëm dy kanë mbijetuar. Ndërkohë, Parlamenti nuk arriti t’i emërojë anëtarët e rinj.
Opinionistët në Shqipëri thonë se kjo krizë vetëm sa po shkon e thellohet. Ata nuk parashikojnë zgjidhjen e krizës pa një dialog ndërmjet pushtetit dhe opozitës me përfshirjen e bashkësisë ndërkombëtare. Ndonëse mbajnë qëndrime të kundërta, ata ndajnë të njëjtin mendim se Shqipëria vërtetë ka hyrë në një krizë të thellë politike, e cila po kalon në krizë shoqërore.
Si filloi?
Drejtori i Gazetës Liberale dhe pedagogu i shkencave politike, Ervis Iljazaj thotë se Shqipëria gjendet në këtë situatë për arsye se opozita shqiptare prej kohësh denoncon vjedhjen e votave të zgjedhjeve të vitit 2017 ose kanë pretendim se zhvillimi i zgjedhjeve të ndershme në Shqipëri është i pamundur me kryeministrin Edi Rama.
“Ne kemi ardhur në këtë krizë sepse palët janë ekstremisht të kundërta në qëndrimet e tyre. Opozita kërkon largimin e Edi Ramës nga kryeministri sepse mendon që me atë në krye të Qeverisë nuk mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme për shkak të marrëdhënieve që kanë kjo qeveri dhe kryeministri me persona me precedent kriminal dhe për shkak të përdorimit të tyre gjatë fushatës elektorale dhe gjatë procesit zgjedhor”, thotë Iljazaj. Në këtë kuptim, thekson ai, vendi ndodhet në këtë krizë për shkak se të dy palët politike, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, kanë qëndrime ekstremisht të kundërta të cilat po sjellin gjithnjë e më shumë konfliktin politik në Shqipëri.
Në anën tjetër, opinionisti dhe drejtori i Gazetës Tema, Mero Baze thotë se ky ngërç politik në vend ka ardhur si pasojë e reformës në drejtësi, e cila sipas tij, prodhoi dy blloqe politike të angazhuara pro dhe kundër saj.
“Ishte dhe vazhdon të jetë një betejë e cila në një krah e ka të rreshtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe një pjesë të politikës shqiptare që e mbështesin reformën, dhe një koalicion i gjerë tashmë edhe i hapur kundër saj, të cilët mekanizmin e vetëm për të ndalur reformën e kanë natyrisht krijimin e një krize të thellë politike. Mendoj që në këtë pikë kanë pasur sukses. Shqipëria është në një krizë politike të shkaktuar nga ata faktorë politikë që u betuan, në njëfarë mënyre, kundër reformës kur ajo filloi të zbatohet”, shprehet Baze.
Dekreti i presidentit dhe zgjedhjet lokale
Presidenti Ilir Meta kishte anuluar dekretin për datën e zgjedhjeve, duke thënë se ky vendim ka ardhur si rrjedhojë e “shqetësimit të thellë për situatën kritike të krijuar në vend si pasojë e mos-reflektimit të asnjërës palë”.
Të dy opinionistët, Baze dhe Iljazaj mbajnë qëndrime të kundërta sa i përket këtij vendimi.
Zoti Baze thotë se presidenti është i ngarkuar për të caktuar datën, por nuk ka kompetencë ta mbajë vendin pa zgjedhje.
“Akt politik, juridik që të lësh vendin pa zgjedhje, pa datë zgjedhjesh, është e paprecedent. Si të thuash, është një gjë ‘null’ – është diçka që nuk ekziston. Kështu që në këtë pikë presidenti ka arritur të krijojë krizë institucionale. Pra, duke përdorur mungesën e Gjykatës Kushtetuese e cila do ta jepte verdiktin menjëherë për këtë çështje”, thekson ai.
Ndërsa, sipas Ervis Iljazaj, presidenti nuk i ka hequr të drejtën shqiptarëve për të votuar, por thjeshtë ka pezulluar datën e votimit duke e parë situatën politike në vend. Në mungesë të Gjykatës Kushtuese, thotë ai, debati mbi dekretin e presidentit për anulimin e zgjedhjeve duhet të fokusohet nëse është i duhuri apo jo.
“Jo më kot Kushtetuta ia ka dhënë këtë kompetencë presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve. Presidenti i Republikës duke qenë se përfaqëson unitetin kombëtar, duke qenë se ruan ekuilibrin institucional, para se të caktojë një datë apo para se të dekretojë zgjedhjet lokale në Shqipëri, Kushtetuta i jep një mundësi për të vlerësuar situatën politike, për të vlerësuar gjendjen shoqërore”, thotë Iljazaj.
Kur dhe si mund të zgjidhet kjo krizë?
“Që të zgjidhësh një situatë duhet të merresh me thelbin e krizës. Thelbi i krizës është reforma në drejtësi”, ripërsëritë Mero Baze.
Ai thotë se kriza është te reforma ndërsa pasojat janë te sistemi politik, te Parlamenti, te zgjedhjet. “Shqipëria po vazhdon të shkretohet duke mbetur pa një Parlament përfaqësues, pa zgjedhje konkurruese. Më 30 qershor mund të bëhen votime, por ato nuk janë zgjedhje konkurruese”, thotë Baze.
Ndërsa Iljazaj mendon se herët apo vonë, bashkësia ndërkombëtare do të jetë ajo që do të ndërhyjë.
“Mendoj që ndërkombëtarët, herët apo vonë, do të ndërhyjnë për të zgjidhur krizën. Sinjalet e para kanë filluar dhe në këtë kuptim një mundësi që palët politike në Shqipëri kishin për ta zgjidhur këtë konflikt, por edhe kësaj here nuk na zhgënjyen dhe nuk e zgjidhën dot, dhe pritet vendimi i ndërkombëtarëve”, thotë Iljazaj. Shqipëria është anëtare e NATO-s që nga viti 2009. Asaj i është dhënë statusi i kandidatit për BE në vitin 2014, dhe javë më parë Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rama nuk e ka fshehur drojën e tij se zhvillimet e fundit në vend mund të përkeqësojnë nisjen e negociatave të anëtarësimit.
Që nga muaji shkurt, opozita organizoi nëntë protesta në Tiranë me kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar atë të papranueshëm që të jetë në krye të Qeverisë shqiptare në kohën e mbajtjes së zgjedhjeve.
Kërkesat dhe protestat e opozitës për largimin e kryeministrit Edi Rama, janë intensifikuar edhe pas publikimit të përgjimeve telefonike nga gazeta gjermane “BILD” ku dëgjohen politikanë socialistë dhe ish-ministra të Qeverisë Rama që diskutojnë për rezultate maksimale të votimeve, dhe dyshohen të jenë të përfshirë në manipulim të procesit zgjedhor. Aktualisht, gjendja po shihet të jetë në një qorrsokak, kurse zgjidhja preferohet të kërkohet përmes një dialogu të lehtësuar nga faktori i jashtëm, në këtë rast Bashkimi Evropian, duke marrë parasysh edhe ambiciet e Shqipërisë që sa më shpejt t’i nisë negociatat e anëtarësimit në BE, për çka stabiliteti i brendshëm politik do të jetë një kriter i domosdoshëm.
/REL/