Kreu i Bashkisë së Kamzës i ka dërguar një letër Ministrit të Brendshëm, Prefektit të Qarkut Tiranë, Prezencës së OSBE-së si dhe KZAZ nr.27 dhe 28 përmes të cilës sqaron se nuk e njeh vendimin e KQZ për aq kohë sa dekreti i Presidentit është në fuqi.
“Komisioni Qendror Zgjedhor nuk ka tagër ligjor që të gjykojë mbi Dekretet e Presidentit për sa i përket datës së zgjedhjeve. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rezervat e tij ligjore për Dekretet e Presidentit, mund t’i drejtohet vetë kryesisht këtij institucioni (Presidentit)”, shkruhet në këtë letër.
Më pas letra vijon: “Zbatimi i Dekretit nr.11199, datë 10.06.2019 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nga ana e qeverisjes vendore Bashkia Kamëz, është një detyrim ligjor dhe aq më tepër kushtetues.
Në mbështetje të plotë me Ligjin nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, është njoftuar KQZ-ja në zbatim të detyrimeve që përcakton Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, përkatësisht me shkresat: nr.329 prot. datë 21.01.2019, Nr.386/1 datë 29.01.2019, nr.1410 prot., datë 18.03.2019, Nr.2728 prot. datë 21.05.2019 dhe Nr.2867/1 prot. datë 31.05.2019 dhe Nr. 3271 prot. datë 13.06.2019, ku ju kemi informuar për administrimin e procesit zgjedhor”.
Mziu deklaron se ana e institucionit të Bashkisë Kamëz dhe e tij personalisht është ndjekur e gjithë procedura ligjore për zbatimin e Dekretit të Presidentit.
Duke vlerësuar kushtetushmërinë e këtij dekreti deklaroj se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor 2019″, shkruhet në letrën e firmosur dhe vulosur nga Xhelal Mziu.