Nuk ishte një fitore e Interit ndaj Napolit, që e mbylli edhe çështjen e titullit kampion në Seria A, por ndoshta ishte një fitore ekskluzive e Mançinit ndaj Sarrit, me një mënyrë loje jo shumë të këndëshme, por që është kthyer në shumë rezultative. Ndoshta ka ardhur koha që edhe Guardiola të fillojë të preokupohet për kohët e vështira që po kalon “tiki-taka” e tij. Trajneri katalanas vazhdon të jetë krenar për produktin e tij, madje e imponon kudo që transferohet… por tani është një kohë tjetër. Atletiko e Madridit është pak a shumë e kundërta e “modelit Pep”, por nxorri jashtë Champions League, as më shumë e as më pak, por Barcelonën, pikërisht terrenin eksperimental ku “tika-taka” u bë e famshme. Leiçester është i gjithi mbrojtje dhe kundërsulm, por po dominon në Angli dhe në fund Napoli i Sarrit shkërmoqet në “San Siro” nga Interi, duke i dhënë edhe fund ëndrrës “scudetto”. 2-0 për Interin, me një modul miks midis Ranierit dhe Simeonen. Portë e blinduar si pasojë e një mbrojtje solide, presing total në mesfushë dhe në fund kundërsulm vrasës. Duket se ka mbërritur periudha e pragmatistëve.