Skënderbeu humbet në shtëpi (2-3) nga Tërbuni i Pukës dhe tani i duhet të presë përballjen Partizani – Vllaznia. Teuta dhe Kukësi, paqe në “Niko Dovana”
Kjo e mbrëmjes ishte vërtetë e pabesueshme. Tërbuni i Pukës ka fituar në stadiumin “Skënderbeu” (2-3), duke e hapur sërish garën për titullin kampion. Kampionët e vendit kanë humbur për herë të parë gjatë këtij sezoni në shtëpi dhe këtë ia shkaktoi një skuadër që vetëm matematikisht qëndron në Superiore. Befasia e pukjanëve ka ardhur që në pjesën e parë, kur kanë shënuar dy herë, fillimisht me Lalën në të 28’ dhe në pas me Jovanoviç, dy minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt. Skënderbeu ishte një skuadër mendjemadhe që nuk bëri asgjë për ta fituar takimin në fushë. Në pjesën e dytë, trajneri Josa dërgoi në fushë tre futbollistë që i dhanë impuls sulmit, si goleadorin Hamdi Salihi, ish-kapitenin Blendi Shkëmbi, si dhe Sabino Plakun. Janë korçarët që kanë shënuar me një 11-metërsh të kthyer në gol nga Salihi në të 56’, ndërsa Plaku në të 84’ barazpeshon rezultatin. Pikërisht në të 93’, Abaz Karakaçi pas një kundërsulmi i jep korçarëve goditjen “KO”. Tani duhet pritur nëse Partizani do ta shfrytëzojë këtë assist të ri dhe nesër ndaj Vllaznisë të bëj maksimumin për t’iu afruar Skënderbeut dhe tentuar titullin kampion. Pukjanët e Viktor Gjonit kanë meritën e madhe që po vazhdojnë ta respektojnë këtë kampionat, megjithëse pothuajse janë rrëzuar nga kategoria, si dhe kanë shtatë muaj pa u paguar.
Ndërsa në “Niko Dovana” u vunë përballë Teuta dhe Kukësi dhe ishte një 90 minutësh, që megjithëse përfundoi pa gola (0-0) ruajti një ritëm të kënaqshëm. Edhe këtu është një garë për zonën Europa League dhe të dy skuadrat duhet të presin rezultatin e Tiranës që do të ndeshet në transfertën e Ballshit. Takimi që do të luhet në 16:00 pritet të jetë vërtetë interesant, për vetë objektivat që kanë skuadrat. Bardheblutë duan një vend në Europë për të shpëtuar edicionin, ndërsa Bylis për të qëndruar në Superiore.