Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmes një statusi në “Facebook” shkruan se 20 vjet më parë kapitulloi Slobodan Milosheviç, njeriu që kreu masakra mbi popullatën civile në Kosovë.
Statusi i Thaçit:
Në këtë ditë, 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s. Marrëveshja e Kumanovës do të thotë çlirim, fund i gjenocidit, paqe dhe fillim i jetës së re në liri dhe barazi për ne. Ishte një rrugëtim i dhimbshëm, por krenar për rindërtimin e vendit dhe shoqërisë sonë. Për botën ishte një fitore e të drejtave të njeriut mbi çdo cenim në shekujt e mëparshëm.
Me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë. Me dhimbje, por gjithmonë duke u krenuar me heroizmin e tyre, e kujtojmë edhe çdo dëshmor që ka rënë për të bërë realitet ëndrrën tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës! HTH