Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës së tij në Parlamentin Britanik, është ndaluar edhe te Magna Karta, dokumenti 800 vjeçar që ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë.
Në një postim të tij në Facebook, Basha ka shpërndarë foton e dokumentit 800-vjeçar të “Magna Carta” për të cilin thotë se dokumenti në thelb të tij ka barazinë sociale dhe të drejtën e individit.
Ky dokument, shton Basha, është tregues i qartë i përcjelljes së simbolikës se pushteti buron nga njerëzit dhe duhet t’iu shërbejë vetëm atyre.
Postimi i Bashës:
“Të dashur miq, këtë foto e mora, nga panelet e Ëestminster, ndërtesës historike të Parlamentit Britanik, nënës së gjithë parlamenteve.
Është Magna Carta, dokumenti 800 vjeçar që ka frymëzuar betejat më madhështore për liri në botë këto 8 shekuj, nga Reforma e Monarkisë Britanike tek Revolucioni Amerikan dhe ai Francez. Madhështia e saj qëndron te ideali i shenjtë dhe parimi bazë i demokracisë perëndimore se liria dhe të drejtat e njeriut mbrohen me ligj dhe se dhunimi i tyre është shkak për përmbysjen e çdo pushteti.
Magna Carta është mantra e kufizimit të pushtetit me ligj dhe ndërtimit të shoqërisë mbi barazinë para ligjit dhe respektin për të drejtat dhe liritë e çdo njeriu. Magna Carta është Karta e Madhe që e bëri Britaninë të madhe sepse vendosi precedentin se mbi të drejtat dhe dinjitetin e njerëzve nuk ka pushtet mbi tokë përvec pushtetit të njerëzve nga njerëzit dhe për njerëzit!”, shkruan Basha.