Pas atentatit të sotëm në qytetin e Vlorës, ka reaguar ish-deputeti i Vlorës, Agron Shehaj, i cili tha se policia e shtetit është kthyer në polici politike që ka për qëllim vetëm goditjen e kritikëve të regjimit Rama.
Përmes një stausi në facebook, Shehaj thotë se atentati jo vetëm që rrezikoi qytetarët e pafajshëm por goditi edhe turizmin.
Strategjia e Edi Ramës që “kriminelët të hanë kokën e njëri-tjetrit” po i kthen qytetet shqiptare në fushëbeteja të krimit. Atentati i sotëm në mes të Vlorës, jo vetëm rrezikoi jetët e qytetarëve të pafajshëm dhe ka shtuar pasigurinë e tyre, por i ka dhënë goditje turizmit, në prag të çeljes së sezonit turistik. Nëse krimi nuk luftohet pasojat janë shkatërruese për sigurinë dhe mirëqenien e njerëzve. Përplasjet kriminale në mes të Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Vlorës e kudo janë gjithashtu dëshmi e kthimit të Policisë së Shtetit, nga polici që lufton krimin dhe shkelësit e ligjit, në polici politike që ka për qëllim vetëm goditjen dhe persekutimin e kritikëve të regjimit Rama, protestuesve kundër krimit, qytetarëve që kërkojnë drejtësi, kundërshtarëve politike që luftojnë për demokraci dhe drejtësi.