Forcat Demokratike Siriane (FDS), të mbështetura nga SHBA, thonë se e kanë çliruar territorin e fundit që mbahej nga ISIS në fshatin Baguz.
Lajmi vjen pothuajse një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi mposhtjen e plotë të ISIS, duke treguar me krenari një hartë të territorit që kishin ekstremistët kur ai erdhi në pushtet. E njëjta gjë u konfirmua edhe dje nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
“Këtu është ISIS në ditën e zgjedhjeve, këtu është ISIS tani”, tha Trump me krenari. “Kur erdha unë ishte një lëmsh i madh. Tani ka mbetur një pikë e vogël që do të pastrohet brenda natës”.
Mustafa Bali, zëdhënësi i Forcave Demokratike Siriane, shkroi në Tuiter se fitorja ushtarake kundër ISIS-it tashmë është e plotë. Megjithatë, ai tha që nëpër Siri ka ende ekstremistë të shpërndarë, dhe misionet e tyre do të vazhdojnë derisa t’i kenë shfarosur plotësisht./T.CH