Një pjesë e studentëve në disa fakultete të Tiranës vijojnë bojkotin dhe ngujimin në fakultete të ndryshme të Tiranës. Gjatë ditës së sotme, studentët e Ekonomikut bllokuan derën kryesore dhe nxorën administratën jashtë. Sakaq në grupe të ndara janë edhe studentët në rrethe, ku një pjesë kërkon mësimin dhe një pjesë bojkotin dhe ngujimin deri në plotësimin e kërkesave.
Pas orës 10: 00 një grup me studentësh protestues të Universitetit ‘Aleksandër Xhuvani’ që u ngujuan pasditen e të martës në ambientet brenda godinës kryesore marshuan drejt Fakultetit të Shkencave Teknike Mjekësore duke kërkuar solidaritetin e kolegëve. Me protestuesit u bashkuan një numër i vogël studentesh, ndërkohë që në mbrëmje pritet që studentët t’i rikthehen ngujimit. Nga ana tjetër në auditore është konstatuar shtim i studentëve që ndjekin leksionet dhe seminaret.
Studentët e kampusit universitar në Durrës pasi e kanë gdhirë natën e shkuar në ambientet e kampusit universitar, në ditën e dytë janë shprehur të bindur për të vijuar me bojkotin mësimor. Në ditën e dytë të protestës pati edhe studentë qe ju drejtuan auditorëve, ndërsa protestuesit këmbëngulin në plotësimin e 8 kërkesave nga ana e kryeministrit Edi Rama.