Ministrja e Mbrojtjes reagon ashpër për akuzat e ish-kryeministrit se dy pilotët humbën jetën duke transportuar me helikopter, mermer për shtëpinë e saj të pushimit.
Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, duke aluduar se helikopteri që u rrëzua një ditë më parë në Malësinë e Madhe po transportonte pllaka mermeri për shtëpinë e pushimit të saj në Vermosh.
Kësaj akuze i është përgjigjur menjëherë ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e cila i cilëson hijena krerët e PD-së. Me një shprehje popullore, Kodheli përpiqet të thotë se nuk i prish asnjë punë reagimi dhe akuzat e PD-së.
“Është e frikshme që pa u varrosur ende dy djemtë që humbën tragjikisht jetën në aksidentin e djeshëm, politika e hienave u vërsul të shqyejë të vdekurit, për të ushqyer partinë e baltës! Pa u tharë ende boja e letrës së ngushëllimit që kapot e partisë së baltës u dërguan familjarëve të dy shërbëtorëve besnikë të shtetit, kapot dhe vrasësit e tyre me pagesë të së vërtetës, u vërsulën të hedhin baltë mbi viktimat.
Ka një shprehje populli për rastin, kur të vinë përballë krijesa të tilla të errësirës: Të kam lënë Zotin se me ty s’merret dot robi! Ndërsa për këto hiena politike unë mund të them vetëm se ia kemi lënë popullit sovran të shohë të degjojë e të gjykojë për ta!
Dhe jam e bindur që edhe më keq do t’i gjykojë se ç’i gjykoi në 2013 e në 2015! Qershori i ardhshëm do të shpagojë me votën e popullit gjithë baltën e tyre të neveritshme!”, deklaron ministrja e Mbrojtjes.