Nga Ylli Manjani
Jetojmë në një sistem piramidal të madh.
————-
Gjithë këto koncensione e PPP, që ekspertët thonë se realizojnë punime në infrastrukturë e shërbime me 53% më shtrenjtë sesa po të bëheshin me kredi bankare, nuk mbështetet nga ekonomia!
Pra praktikisht kemi shtrirë këmbët përtej jorganit. Ndërkohë, në vend që t’i mbledhim këmbët, vijojmë të shkurtojmë jorganin. Ç’është më e keqja, fatura e këtyre shërbimeve super të shtrenjta do të paguhet nga më hallexhinjtë! Çdo e ardhur personale tatohet më shumë se fitimi apo të ardhura (divident) nga fitimi!
Taksa progresive dhe pallavrat e Edi Ramës se kush fiton më shumë taksohet me shumë kanë rënë me kohë, por paketa fiskale e vitit që vjen e legjitimon krejt pastër këtë paudhësi të “të majtit” Ramë. ( s’ka qenë ndonjëherë i majtë ai, po nejse)
Të pamundurit pensionistë dhe të rinj në shkolla, do t’i paguajnë më shtrenjtë me shërbimet që nuk marrin përshkak se buxheti që del nga kjo ekonomi, nuk financon dot edhe pagesën e kontratave të infrastrukturës edhe nevojat në rritje për arsim e shëndetësi.
Kulmi është që si paguesit e taksave ashtu edhe përfituesit e shërbimeve (që mungojnë) detyrohen të paguajnë për rrugë që ndoshta nuk i përdorin kurrë ose shumë më rrallë sesa ç’paguajnë.
Kulmi i kulmit është për përdoruesit e rrugëve me koncension: pasi ke paguar taksa, ke blerë naftën më të shtrenjtë dhe nuk ke marrë shërbimet e duhura, prap paguan tarifën e përdorimit të rrugës!!!
Padrejtësi sa më s’ka!
Megjithatë e lemë mënjanë ligjet, sepse ato janë të shkelura fund e krye, por të merremi me llogjikën piramidale ku na ka futur pushteti i Rilindjes. Thelbi është që kemi hyrë borxh, pa na pyetur njeri, për punë e shëbime që nuk arrijmë ti paguajmë sepse kaq punojmë dhe prodhojmë.
A nuk ishin kështu edhe piramidat financiare?! Pra qarkullon para nga nje xhep tek tjetri pa punë dhe interesat rriteshin në kurriz të pagatorëve, pa e ditur?! Llogjika është njësoj! Reagimi është i ndryshëm, sepse në rastin e piramidave të shkura njerëzit përceptuan ikjen e parave që kishin dorëzuar vetë.
Piramida e sotme është pak më e sofistikuar dhe pasojë e ka pak më të kamufluar. Pra nëse shkolla dhe spitali kanë probleme, për fat të keq nuk na bën përshtypje sepse kështu ka qenë gjithmonë.
Nga ana tjetër shërbimet që nuk i bën shteti i “mbyll” i forti me para, ndaj të cilit njerëzit i kan borxh votën. Kjo e fundit riciklon këtë politikë që sundon dhe ja ku jemi! Piramidë që mbahet ende në këmbë nga paratë e pista të të fortëve, të cilët do ti marrin këto para mbrapsht nga buxheti i shtetit. Të pastra fare! Prandaj e kanë të domosdoshme të shtojnë aktivitete kriminale që prodhojnë para të pista. Dhe kështu jeta vijon.
Sundimi i ligjit, demokracia dhe puna e ndershme janë fenomene në zhdukje.
Kryepasoja: kush ka mend IKËN nga vendi!
As pushtuesi sna e ka bërë këtë gjëmë!