Nga Jani Marka
Me aq sa kam mundur të ndjek në mediat sociale, komentet kritike në lidhje me ngjarjen e djeshme ndaheshin në dy kategori. Të parat ishin ato që synonin autoritarizmin e modelit Rama. Tërësisht të merituara!
Të dytat, ato që kritikonin mosreagimin e audiencës në mbrojtjen e të drejtave demokratike, të lirisë së shprehjes e protestës. Etiketimet mund të ishin nga më të ndryshmet, por më të shumtat i etiketonin studentët ekselentë: si dele të partisë. Tani, mendoj se kjo meriton pak më tepër vëmendje e shqyrtim kritik.
E që të bëhet kjo, së pari kërkon një diseksion të ekselentëve.
Kush ishin ekselentët? Në dijeninë time ishin studentë që sapo kanë hyrë në universitet me rezultate të shkëlqyera. Iu lumtë, e suksese të mëtejshme! Por, t’i etiketosh këta të rinj si të Partisë Socialiste nuk është e drejtë.
Jo vetëm kush ishin, por dhe në cilin moment të jetës së tyre ishin!? Ata ekselentë, 19-vjeçarë/-e, kishin vetëm 5 ditë që kishin shkelur në universitet, dhe kishin marrë një ftesë të hapur (ndryshe si shpjegohet që disa aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin arritën të hynin në sallë!?) nga MASR dhe fakultetet përkatëse të ndiqnin një takim me Kryeministrin (dëshmitë rrëfejnë se jashtë Hotel Tiranës mbetën disa dhjetra studentë ekselentë që nuk mund të hynin në sallë). Besa, edhe unë po të isha 19 vjeç do shkoja. Por, t’u kërkosh studentëve që kanë veç 5 ditë që kanë hyrë në universitet të mbrojnë demokracinë në ato rrethana, është si t’i kërkosh një foshnje në maternitet të ushqehet vetë.
Natyrisht, çështja nuk është te shfajësimi i tyre. Ata as kanë faj, e as nuk kanë faj. Ata, edhe ishin, edhe nuk ishin. Çështja është tek e ardhmja e tyre!? A do i sulmojmë këta ekselentë 19-vjeçarë se përse nuk e mbrojtën demokracinë (kur në sallë kishte edhe editorialistë të shtypit “të lirë”) në harkun e pak sekondave, apo do i ftojmë të gjykojnë në mënyrë kritike, e duke filluar nga nesër të bashkohen me studentët e tjerë, ekselentë notash ose jo, në betejën e përbashkët, jo vetëm për universitetin, por për mbarë shoqërinë. Kjo është ekselenca e mirëfilltë, qytetaria!
Jam i bindur, që disa ekselentë notash do i bashkohen kauzave për demokraci, disa do shohin interesin e tyre personal apolitik e të paanshëm, e disa të tjerë do i bashkohen pushtetit partiak të radhës për të përfituar prej tij.
Uroj që, me kalimin e ditëve e viteve, ekselentët e grupit të parë të bëhen shumicë!