Nga Edon Qesari
Na ishte seç na ishte, në kohë tashmë të perënduara, na ishte zhanri i lavdishëm – shumë i mundimshëm – i reportazhit. Në krye të herës, ky i panjohur i ditëve të sotme, mbante kurorë princërore nëpër të përditshme dhe revista, duke qenë gjithaq një prej atyre kaçubeve të ushtrimit të zanatit fisnik të gazetarisë ku gjenin strehë, njëkohësisht, si shkrues ashtu dhe lexues: të parët çapiteshin më së shumti prej botës së letrave – shumë syresh ishin paraqitur për herë të parë nëpër redaksira me çanta shkolle në krah dhe diploma gjuhë-letërsie ndër zemra, e tek reportazhi shihnin mundësinë për të hedhur në letrën e informacionit atë çka ndrojtja nuk ua kishte lejuar prej botës së fiksionit, të mbeteshin me këmbë në tokë, por me ndonjë fluturim pindarik; të dytët, lexuesit pra, sepse gjenin te ky zhanër informimi një mundësi a një urë për t’i thithur gazetës diç më tepër se përsëritja e vakët e llafazanërisë së lajmeve televizive, duke ua ngacmuar kureshtinë e duke ua përcjellë atë në interesim, ku me raste dilte dhe ndonjë penë e talentuar që ia vlente t’i kushtoje ndonjë qoshk, përmes gërshërës, mes faqeve të librave.
Por kohët sesi kanë ndryshuar … janë shndërruar në allasoj. Kalemxhinjtë s’para lexojnë më, kështu që s’lëvrojnë më beteja me titanë të penës nëpër ëndrra, megjithëse nuk përtojnë të mbledhin artikujt e tyre (jo më thelbësorë se thashethemet e një dite) e t’i botojnë si llahtarira akademike; teksa lexuesit janë kthyer në klikues, të cilët, me ose pa vetëdije, janë çakërdisur prej bombardimeve newsfeed-iane të rrjetit, lexojnë me furi gjatë dhe përtojnë të thellohen gjerë, e durimi iu soset, qameti, aty nga rreshti i katërt.
Kështu që dy kategoritë kanë ndikuar, thartuar, helmuar dhe bastarduar njëri-tjetrin, pa mundur ne kurrë të dimë se kush e nisi i pari: analfabetët e shkrimit të cilët gazetarinë e kanë kthyer në telendisje portalesh që qelben erë mejhanesh (mejhane të vërteta, paçka se tërë salltanete, ku kalojnë gjithë ditën duke u përpëlitur e ulëritur për të bindur njëri-tjetrin se kanë marrë një mesazh nga kometa Hallej e cila shpejt do bëjë gjëmën…)? apo analfabetët e këndimit, që shkronjat kanë filluar t’iu duken hieroglife, që nuk lexojnë për të mësuar, aq më pak për të kuptuar, por vetëm për të pohuar, grushtuar mbi tavolinë dhe fituar (argumentin, bastin, vendin e punës, partinë dhe/apo katandinë)?
* * *
Në tërë këtë rrokopujë, reportazhi – arti i përulur i vëzhgimit, thellimit, bashkëbisedimit, zhbirimit dhe, si pasojë, i gjithë ngadalësisë që lyp çfarëdolloj realiteti i cili qëndron diku më larg se syri, veshi dhe hunda jonë – kjo mjeshtëri e kulluar e njohjes përmes shënimit të përshtypjeve, bllokut të zverdhur në xhep dhe ndërgjegjjes civile mbi botën që na rrethon, ka humbur gjurmët në harresë: aty ku humbën gjithashtu përkushtimi për të shkruar dhe dashuria për të lexuar. Dhe ca keq më vjen vërtet!