“Ligji i ri thyen konsensusin për garantimin e pavarësisë së Radiotelevizionit Shqiptar”
Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka kthyer në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”. Në argumentimin e dhënë nga juristët e Presidencës për këtë hap thuhet se ndryshimet ligjorë të miratuara më 10 Mars 2016 në Kuvendin e Shqipërisë nuk garantojnë pavarësinë e televizionit publik për të cilën palët politike kishin rënë dakord më parë.
Sipas zyrës juridike të Presidentit ndryshimet në ligj u bënë për shkak të pengesave me pasoja të rënda në drejtim të funksionimit të RTSH-së. Kjo ka lidhje me zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të këtij institucioni. Ndryshimet parashikojnë që nëse dështohet në zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH në tre raunde përmes një shumice të cilësuar, atëherë në raundin e katërt dhe të pestë të kalohet në shumicë të thjeshtë.
Për presidencën kjo është e papranueshme sepse: “Një zgjidhje e tillë krijon premisat e zgjedhjes së një personi të parapëlqyer nga mazhoranca”, dhe njëkohësisht “mazhoranca politike duket se ka gjetur një zgjidhje përmes ligjit të ri, që thyen konsensusin që duhet të arrihet për të garantuar pavarësinë e RTSH-së”.
Për këtë shkak thuhet se zgjidhja e gjetur me thyerjen e konsensusit në mënyrë të njëanshme dhe të papritur dëmton rëndë themelet e shtetit dhe nxit destabilizim. Një kundërthënie tjetër brenda ndryshimeve ligjore të kthyera tashmë në Kuvend, sipas juristëve të Presidencës, përbën edhe fakti që ndërsa për zgjedhjen e drejtorit të RTSH mund të përdoret shumica e thjeshtë, për shkarkimin e tij duhet patjetër shumicë e cilësuar në Këshillin Drejtues të Televizionit.
Argumenti i tretë i sjellë është edhe fakti se sipas zyrës juridike të presidentit “këtij ligji i është dhënë fuqi prapavepruese” në zgjedhjen e drejtorit të RTSH tashmë një proces i bllokuar. Ndaj kërkohet “ndalimi i fuqisë prapavepruese të ligjit si një element përbërës i parimit të sigurisë juridike” por edhe për shkak se “nuk është interesi publik për të cilin ligjit mund t’i jepet fuqi prapavepruese, për sa kohë interesi publik është pavarësia e RTSH-së dhe liria e medias”.