Kryetari i Partisë Socilaiste Edi Rama thotë se raportet e tij me paraardhësin në këtë detyrë, janë tashmë të mira. Për rreth 10 vite, prej kohës kur Rama u zgjodh në krye të PS-së, marrëdhëniet e tij me ish-krytarin e kësaj partie kanë qënë të acaruara, por tani duket se situata ka ndryshuar. Fatos Nano i ka shkruar Edi Ramës një mesazh miqësor. Kështu deklaroi Rama në intevistën e tij në “Tonight” me Ilva Taren. “Pata një mesazh miqësor, shumë njerëzor dhe shumë korrekt”. Mesazhi i Nanos kishte mbërritur në telefonin e Ramës pasi ky i fundit falenderoi Nanon në fjalimin e tij në kongresin e 9 marsit
“Nuk mundem po ashtu, të mos i bëj sot një falenderim në distancë nga ky kongres, që përkon me një përvjetor jubilar të partisë sonë, edhe parardhësit tim, liderit të parë të kësaj partie, Fatos Nanos. Dëshiroj të na bashkohet kur të vijë dita e kremtimeve të 25 – vjetorit dhe uroj të gjej deri atë ditë, fjalët e duhura për kontributin e lidershipit të tij në forcimin e karakterit demokratik të Partisë Socialiste. Çfarë na ka ndarë me të, nuk e ndan dot më dysh historinë e kësaj partie dhe as nuk i bën më pak të rëndësishme, për këtë histori të përbashkët, dritëhijet e lidershipit të Fatosit”, tha Rama në kongres.