Nga Enkel Demi
Tabloja e parë
Nuk jam nga ata që mendoj se Gent Strazimiri është i marrë, kaqol apo akoma më shumë i fortë. E njoh prej më shumë se 20 vjet, është një njeri i lexuar, i mirëedukuar, me kulturë gjermanike, sepse dhe një pjesë e origjinës së tij rrjedh nga familjet e Austro-Hungarisë që erdhën në Shqipëri gjatë monarkisë. Më ka qëlluar të ulem me të në biseda të gjata (këtu nuk kam parasysh studio televizive) dhe kam hasur një polemizues të mirë, energjik, i cili thellohet në argument dhe citon, nëse mund të shprehem kështu, ka bibliografi në debat. Ndaj, kur e pashë me allti të ngjeshur pas brezit, nuk e fsheh që u trondita, jo pse i njoh vetes këtë fobinë ndaj armëve, por sepse një ligjvënës si ai që me siguri para se të flerë lëçit libra, nuk ka përse të jetë pushkatar. I qëmtova me kujdes fotot e tij me armë, tek bënte ecje në pyje dhe male, por i konsideroj thjesht shprehje e një pasioni a sporti që është qitja. Ajo që nuk arrij të nxë është që një njeri kaq i mirëedukuar të ketë nevojë të shprehet në këtë mënyrë, kaq agresive. E kuptoj që Strazimiri do të përfaqësojë në partinë e tij njerëzit e paepur, qëndrestarët, të cilët kanë nevojë me pathos, gjuhë të mbushur me metafora ta tregojnë që do të qëndrojnë përballë. Në një farë mënyre si Azemi dikur në vitet ’97-’98. Por, ndoshta nuk janë të njëjtat kohë? Një tjetër gjë që më habit në gjithë këtë lëmsh është fakti që Gent Strazimiri është i djathtë i kulluar, në parimet e tij për mbrojtjen e kapitalit, pronës, atdheut dhe padyshim është kundërevolucionar, si janë të gjithë konservatorët, etatist mund të them. Ndaj e shoh skiç të armatosur, skiç si njeri që nuk dorëzon koburen si Isa Boletini në Paris, skiç si shkelës i ligjit, skiç si njeri që frymëzoi dekriminalizimin e Kuvendit dhe skiç që nuk hedh poshtë rrenat e Ristanit dhe Lulit se çfarë ngjeshte pas rripit. Ka gjasa të ketë ardhur koha t’i rikthehem “Metamorfozës” së Kafkës, se ka shumë vite pa e lexuar. Atje mund të gjej çelësin e enigmës, se kukuvajkat do i gjej në komentet poshtë shkrimit.
Tabloja e dytë
Gjatë ndeshjes miqësore me Luksemburgun tifozët e Kombëtares thirrën disa herë emrin e Ballist Morinës. Ky patriot i çuditshëm, i cili u bë shkak që Shako të thoshte atë shprehjen flamurtare që u shndërrua në këngë, tash është i kërkuar. E kapën me armë pa leje, e mbajtën do kohë në qeli, e çuan në arrest shtëpie dhe ai çau ferrën. Që Ballistin ta kapësh me armë nuk është kurrfarë çudie. Ai jeton në një realitet paralel, në të cilin e ndjek agjentura serbe, kurse njerëz me pare nga Beogradi kanë vënë çmim për kokën e tij. Mbante armë, sepse mendoi që në Shqipëri ia dinin kaq për nder atë punën e dronit sa do e mbyllnin njërin sy. Shteti atë ditë e kishte seriozisht punën e shtetit dhe e plasi brenda. Tani, nëse ligji është i barabartë për të gjithë, kërkesa e tifozëve të Kombëtares duhet të plotësohet pas ngjarjeve të fundit tek liqeni.
Tabloja e tretë
Me pak ditë vonesë Ben Blushi e kuptoi që armiku i tij kryesor nuk është as Çiftja i Elbasanit dhe as Ed’ Rama, por Strazimiri. Ky i fundit i mori krejt skenën dhe e la pa punë rebelin e Partisë Socialiste. Prej ditësh nuk ia vë njeri në pullë, madje as Fevziu, sepse qëndresa e Strazimirit e ka nxjerrë fare nga lista e lajmeve. Ndaj Blushi bëri ç’bëri dhe u ankua fillimisht për deputetin e armatosur të opozitës, më pas për referendumin socialist. Ka gjasa që ajo pistoleta e Gentit pa shkrepur fare të ketë vrarë veç lëvizjen e Blushit, të cilën media po e dënon me heshtje që në Shqipëri do të thotë harresë.