Nga Andi Bushati
Kush e ka ndjekur më vëmendje përballjen e kryeprokurores Marku në llogaridhënien para komisionit të ligjeve, me siguri nuk e ka humbur një detaj domethënës. Gjatë debatit provokativ me një nga deputeët e opozitës, ajo ka bërë një lapsus frojdian. Ajo e ka etiketuar prokurorinë e përgjithshme si “ndërmarrjen që drejton” duke e zhveshur nga emërtimi solemn dhe hijerëndë i institucionit.
Ndoshta askush nuk mund të shpjegojë dot nëse kjo “rëshkitje” i vjen nga mungesa e përvojës, apo nga fakti se ajo e quan veten një drejtuese formale të një ndërmarje ku ka të tjerë aksionerë. Por gjithësesi, një gjë mund të thuhet me siguri, ajo u soll sikur beson në versionin e dytë.
Sepse paraqitja e saj ishte një dështim i turpshëm. Ajo u karakterizua gjatë gjithë mbledhjes së trasmetuar live vetëm nga përgjigjet boshe: “nuk e di”, “nuk kam informacion”, “nuk ka statistika”, “nuk kam tagër të njoh këtë çështje të veçantë” etj.
Për të thënë të vërtetën pozicioni i saj në një sallë parlamentare që i ngjan përditë e më shumë tregut çam, ku nuk e merr vesh i pari të dytin, nuk ishte i lehtë. Deputetët demokratë më shumë sesa për pyetje, ishin të prirur për të bërë një propagandë diskrdituese. Kolegët e tyre të majtë, merakun e veëtm kishin të tregonin se gjithçka shkonte mbroth. Njëra palë donte të provokonte me çdo kusht konflikt, ndësa tjetra, tashmë e kapluar nga bezdia për procesin demokratik të llogaridhënjes, kërkonte t’a mbyllte sa më parë seancën.
Por, pavarësisht nga ky konfrontim me llogjikë tejet partizane, publiku i gjërë, ajo pjesë gjithnjë e më e madhe e shqiptarëve që rrefuzon të votojë edhe PS edhe PD-në, priste diçka tjetër nga kryeprokurorja.
Së paku formalisht, për ata, ajo është e zgjedhura e parë në erën pas votimit të reformës në drejtësi. Është e vetmja drejtuese e institucionit të akuzës që ka kapërcyer filtrat e vettingut. Është gjithashtu, ajo, që megjithëse u votua vetëm nga njëra palë, u mbeshtet dhe publikisht nga misionet ndërkombëtare që e mbikqyrin reformën.
Pra në këtë kuptim, në paraqitjen e saj në publik ajo duhej të simbolizonte këtë fazë të re. Ajo duhet të ngrihej përtej përleshjes partizane PD- PS dhe t’i fliste publikut. Dalja e saj live, në TV, duhet të sqaronte disa pikpyetje të mëdha: pse vendet europiane vazhdojnë t’a kenë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës si kusht për përparimin e vendit drejt BE-së? Pse mediat ndërkombëtare vazhdojnë të shkruajnë se paratë e trafiqeve po i përdor politika? Pse nuk dimë ende asgjë për 623 kg e kokainës të fshehura si banane? Pse nuk ka ende përgjigje për vërtetësinë e përgjimit të Agron Xhafës? Pse nuk njihet fajtori i ekstradimit të paligjshëm të financierit të Habilajve?
Vetëm kështu ajo do të mund t’a justifikonte statusin simbolik të flamurtares së një ere të re, të një reforme në drejtësi që na është servirur prej kohësh si mënyra e vetme për të pastruar shoqërinë duke u vënë edhe kundër politikës e duke i treguar vendin edhe asaj.
Por, fatkeqësisht, Arta Marku, tregoi sot se as e përmbush dot këtë mision dhe se ndoshta as nuk e ka imagjinuar atë edhe në ëndrrat e saj më të guximshme. Ajo u soll si një nënpunëse province, as më pak dhe as më shumë, se sa ajo që qëndronte poshtë Ulsi Manjës në prokurorinë e Shkodrës.
Paraqitja e saj qe madje shumë larg dhe se profili që kanë krijuar në përballjet me qeveritë e kohës paraardhësit e saj, Theodhori Sollaku apo Ina Rama.
Ndërsa Arta Marku, simboli i parë i reformës së re, nuk u ngrit dot mbi sherrnajën e përditshme PS- PD. Ajo u soll si një llogaritare memece, që në vend të një pasqyre të përgjithshme, raportonte për shifra dhe statistika pa kuptim. Ajo as jepte përgjigje dhe as mbante qëndrime, nga tmerri se mos i prishte punë atyre që e kanë katapultuar aty.
E në kuptim ajo nuk ka faj. Ndoshta ajo vërtet e di se e kanë vënë në krye të një ndërmarrjeje që është pronësi e tjetërkujt. Ajo aq kupton dhe aq bën dhe ky nuk është më problem i saj, por halli ynë dhe i një reforme që na e shitën si çudi, ndonëse rrezikon të vazhdojë të prodhojë profile të ngjashme.