Deputeti demokrat Tritan Shehu i ka cilësuar të papërgjegjshme dhe të rrezikshme deklaratat e zv/ministrit të Brendshëm Hodaj për ZDF-në gjermane, se Shqipëria mund të sistemoje deri më 600 mijë refugjatë.
“Shqipëria asnjëherë nuk i ka shmangur përgjegjësitë e saj ndaj komunitetit ndërkombëtar e as duhet ta bëjë kurrë këtë, përkundrazi. Por çdo gjë duhet te realizohet brenda dimensioneve, mundësive, realitetit tonë e me transparencë të plotë”, shprehet deputeti i PD në një shënim në Facebook.
Statusi i plotë
Një deklaratë e papërgjegjeshme dhe e rrezikeshme e zv.ministrit të Brendshem Hodaj për ZDF gjermane.
Shqipëria mund të sistemoje deri në 600 mijë refugjatë!!!
Shqipëria asnjëherë nuk i ka shmangur përgjegjesite e saj ndaj komunitetit ndërkombëtar e as duhet ta bëjë kurrë këtë, përkundrazi.
Por çdo gjë duhet të realizohet brenda dimensioneve, mundësive, realitetit tonë e me transparencë të plotë.
Ndërsa për ironi zv/Ministri i referohet për këtë “zbulim” numrit të kosovarëve që u strehuan në Shqipëri vite më parë!!!!
Paralelizëm surealist e absurd ky.
Desha ta pyes atë, po numri i ish-terroristëve të ISIS për t’u reabilituar në territorin tonë është brenda këtij 600 mijëshi, apo është kusur!?
Ndërsa Z.Rama i ka cilësuar të gjitha shqetësimet tona të deritanishme si thjesht fantazi, përse zv/Ministri i tij hyn në të tilla kalkulime e detaje?
Diçka po lëviz këtu.
Në fakt edhe vetëm të tilla prononcime shërbejnë qartësisht për të ndihmuar ata që duan të zhvendosin trajektoren e lëvizjes së refugjatëve drejt vendit tonë.
Dhe midis këtyre të fundit bëjnë pjesë edhe trafikantët, grupet kriminale etj etj, të cilet sot po vendosin në Shqipëri “Diktaturën e Krimit”.
Më thone se janë shtuar shumë javët e fundit kërkesat për skafe të fuqishme.
Siç duket “autostrada” detare drejt Italisë sërish do të funksionojë masivisht edhe për transportimin e qenieve njerëzore, krahas drogës.
Mos vallë do t’i duhet Italisë kështu të mendojë për një“mur” në bregun e saj lindor?!
Ndërsa ne duhet të parashikojmë një izolim të mundshëm të vendit tonë…
****
Çfarë ka deklaruar zv/ministri i Brendshëm një ditë më parë
“Shqipëria ka kapacitete të mbajë deri në 600 mijë refugjatë”. Këtë e ka pohuar Zëvendësministri i Brendshëm, Julian Hodaj, i intervistuar nga televizioni gjerman ZDF.
Në një reportazh të kanalit gjerman, ku flitet mbi planin e qeverisë austriake për ngritjen e një kampi emigrantësh në një vend të Ballkanit Perëndimor jo anëtar i BE, Hodaj shpjegon se Shqipëria është e sprovuar në përballimin e situatave të jashtëzakonshme të emigrantëve. Hodaj sjell në vëmendje rastin e shpërnguljes në vendin tonë të kosovarëve gjatë kohës së luftës, në vitin 1999.
Shqipëria, Maqedonia, por edhe Kosova përmenden si alternativa për stacionimin e emigrantëve, nëpër kampe të ngritura nga BE. Plani i kancelarit austriak Sebastian Kurz, që mbështetet edhe nga Danimarka, është përfolur vazhdimisht në mediat kryesore europiane, si francezja Le Monde, austriakja “Die Presse” e tashmë edhe televizioni gjerman ZDF.
Kundër vendosjes së emigrantëve në rajonin tonë është shprehur Komisioneri për Zgjerim në BE, Johannes Hahn, i cili tha për mediat austriake se Ballkani nuk mund të kthehet në vendparkimi emigrantësh.