Nga Edison Ypi
Një pas-mesnatë andej nga ’80 e caja, kur kurvi ende s’kishte ngordhur, si gjithmonë me kufje në vesh, po kaloja radion stacion më stacion. Në një moment, dobët dhe mes zhurmave, më zuri veshi disa fjalë të një kënge shqip.
Ishte Radio Prishtina. Kënga ishte diamanti i paprekshëm dhe i pavdekshëm, të cilin e kam përsëritur, murmuritur, bërtitur, uluritur, pafundësisht herë në mënyra dhe rrethana, “Trioleta” e Lasgushit.
Deri në atë moment as e dija se Radio Prishtina ekzistonte dhe u entuziazmova. Por edhe u dëshpërova. Sepse ku duhej të ishte;
“Varg e varg me përgjërata,
para sysh më venë e vinë
si m’u ndrit çdo mall që pata
miq’o kimani zilinë”
Kosovari i kishte ndryshuar 1 fjalë,
“Varg e varg o me kujtime,
para sysh më venë e vinë
si m’u ndrit çdo mall që pata
miq’o kimani zilinë”
Pra, nga ar e kishte bërë bërllog, nga raki e kishte bërë uthull, nga Art e kishte bërë baltë.
Të nesërmen pasdite drejt e te Lasgushi.
– Kosovarit që më ka ndryshuar 1 fjalë unë ja çaj barkun me thikë me dorën time, tha Lasgushi, dhe heshti.