Nga Skënder Minxhozi
“Në darkë merremi vesh, në mëngjes grindemi”, kështu thoshte pak a shumë një koment i një parlamentari të majtë para pak ditësh, teksa fliste para mediave, pas një seance të zakonshme sherresh në Kuvendin e Shqipërisë. Faktikisht edhe këtë javë u duk sikur seanca plenare e Parlamentit hyri në të njëjtën spirale sharjesh, sulmesh dhe banalitetesh. Duke sjellë si pasojë direkte kërcënimet publike të opozitës, për të bllokuar negociatat për reformën në drejtësi.
Kjo ka ndodhur të enjten paradite, ndërkohë që e mërkura ka qenë një ditë bisedimesh konkrete dhe paradoksalisht të frytshme mes shumicës dhe pakicës, për draftin final të reformës. Aq sa shumëkush nga reporterët e shtypit dukeshin dukshëm më entuziastë në komentet e tyre nga selia e Kuvendit. Do të kalonin vetëm pak orë dhe rruga e reformës do të kthehej në “gjendjen” e mëparshme: plot kthesa, gropa dhe asfalt të prishur.
Palët ranë megjithatë dakord të mërkurën për disa detaje të reformës, si njohja dhe kompozimi i Këshillit të Emërimeve, apo vendosja e Byrosë Kombëtare të Hetimit nën kompetencën e Prokurorisë së Posaçme – të cilat ishin dhe janë ndër pengesat themelore, drejt votimit të paketës kushtetuese në Kuvend. Ky avancim substancial përbën një zhvendosje pozitive të procesit përpara, duke dhënë të shpresohet se elementet e mbetura do të kenë gjithashtu vullnetin e dyanshëm që u pa në javën që po lemë pas.
Megjithatë në këtë pikë duket se loja politike vazhdon të jetë e fortë dhe turbulluese, rreth tryezës së reformës në drejtësi. Dhe seanca plenare e përjavshme e Kuvendit duket se shërben pikërisht për t’i dhënë hov kësaj loje pasqyrash që po zhvillohet në sfond, me procesin e reformës. Vizita e Lulzim Bashës në SHBA, e pasuar nga dakordësimi i të mërkurës në komisionin Xhafa, u duk si një moment krucial në shbllokimin e negociatave për draftin final. Ndërsa marshi “indietro” që opozita bëri një ditë më pas, duke e kushtëzuar tryezën e reformës, me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mandateve të dy deputetëve të maxhorancës, u duk në fakt si një presion që Berisha dhe Basha pas tij, dëshirojnë të ushtrojnë mbi tryezën e negociatave.
Dhe arsyet e këtij presioni në distancë janë mëse të kuptueshme. Drafti final ka ende momente pak të qarta, aspekte konkrete apo detaje delikate, të cilat nëse mblidhen të gjitha së bashku, marrin një peshë jo të vogël në arkitekturën përfundimtare të reformës në drejtësi. Shumica, me të cilën do të votohen institucionet e reja, varësitë e këtij apo atij organizmi, mënyra e zgjedhjes së disa drejtuesve të institucioneve të sistemit të drejtësë, shqyrtimi i akuzave dhe e drejta për ankimim – janë të gjitha elemente që kërkojnë negociim të mëtejshëm dhe që e mbajnë ende pezull fjalën e fundit për reformën.
Sherri politik që po mbahet gjallë kryesisht përmes acarimit të seancave të zakonshme të Parlamentit, po synon të influencojë pikërisht këtë proces bisedimesh. Harrojeni që mandati i Rakip Sulit të mund të kthehet në një kauzë sherri politik të përmasave kombëtare. Halli është diku tjetër dhe duhet kërkuar pikërisht aty ku sot po konsumohet faza finale e një pakete ligjesh që do të reformojnë jo vetëm sistemin e drejtësisë, por që de facto po themelon një Republikë të Re shqiptare.
/javanews.al/