Përmes një postimi në facebook, Edi Rama deklaron se Teatri i Ri Kombëtar do të jetë një nga veprat më të bukura arkitektonike dhe urbanisitike në Europë.
Ai shprehet se skeptikët nuk besuan as për Sheshin Skënderbej se do të ishte një ndër hapësirat më të bukura publike të Europës, por e kundërta u vërtetua.
Statusi i plotë i Ramës
Kur 10 vite më parë, thosha se Sheshi i Ri Skënderbej do jetë ndër hapesirat më të bukura publike të Europë, çfarë nuk më dëgjuan veshët.
Sot, Sheshi i Ri Skënderbej, pasi u bllokua si kantier, u shkatërrua për t’u zëvendësuar me një rrethrrotullim makinash me një kurabie bari në mes dhe, më në fund u rindërtua e përfundua, është përzgjedhur në listën e finalistëve për Çmimin Europian të Hapësirës më të Bukur Publike 2018, në Barcelonë.
Të shohim nëse do të shpallet fitues, por sidoqoftë ka marrë tanimë edhe vulën më prestigjoze europiane, si një ndër hapësirat më të bukura publike të Europës.
(Prandaj, ata që hidhen përpjetë sapo shfaqen të rejat që sjell vizioni e këmbëngulja modernizuese në hapësirën tonë të përbashkët, bëjnë mirë ta nxjerrin mësimin nga kjo histori, sepse nesër edhe Stadiumi i Ri Kombëtar edhe Teatri i Ri Kombëtar, do të jenë në të njëjtën kategori të Familjes Europiane të veprave të bukura urbanistike e arkitektonike, siç është tanimë Sheshi i Ri Skënderbej).